Futboll

A po e shkatërron Salah trashëgiminë e tij te Liverpooli?

Mohamed Salah

Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, po e shkatërron trashëgiminë e tij, thotë ish-futbollisti i njohur anglez, Wayne Rooney.

Egjiptiani Salah tha të shtunën se ndien që është “hedhur nën autobus” nga Liverpooli dhe se marëdhënia e tij me trajnerin Arne Slot është prishur.

Rooney beson se trajneri Slot tani duhet ta tregojë autoritetin e tij dhe të mos e përfshijë Salahun në ndeshjen e së martës në Ligën e Kampionëve ndaj Interit, apo në ndeshjen e së shtunës në shtëpi ndaj Brightonit.

“Slot duhet të dëshmojë autoritetin e tij, ta largojë atë dhe t’i thotë ‘nuk udhëton me ekip, pasi ajo që ke thënë është e papranueshme’”, ka thënë Rooney pë episodin e fundit të podkastit të tij.

“Shko në Kupën Afrikane dhe le të qetësohet çdo gjë. Po të isha unë atje, nuk do të kishte mundësi që ai të ishte në ekip”.

Legjenda e Manchester Unitedit vlerëson se Salah, ylli shumëvjeçar i Liverpoolit, ose duhet të kalojë mosmarrëveshjet me Slotin, ose duhet të largohet nga skuadra.

“Duhet të zgjidhet shpejt në njërën apo mënyrën tjetër”.

Salah 33-vjeçar, ka shënuar plot 250 gola në 420 ndeshje me Liverpoolin. Por nuk ka startuar në tri ndeshjet e fundit, ndërsa qëndroi në stol të shtunën në barazimin 3:3 me Leeds Unitedin.

Deklarata e tij pas ndeshjes bëri bujë.

“Kam thënë shumë herë më parë që kam raport të mirë me trajnerin dhe papritmas nuk kemi më asnjë raport. Duket që klubi më ka hedhur nën autobus. Kështu ndihem. Mendoj se është e qartë që dikush dëshironte që unë ta merrja gjithë fajin”.

29 golat e egjiptianit në edicionin e kaluar e ndihmuan Liverpoolin që ta fitonte titullin e Premier Leagues. Në prill ai nënshkroi kontratë të re dyvjeçare. Rooney ka pyetur pse Salah, që u transferua te Liverpooli në vitin 2017 nga Roma, doli publikisht me komente.

“Ai përfundimisht po e shkatërron trashëgiminë e tij te Liverpooli”, ka theksuar pesë herë fituesi i Premier Leagues.

“Do të ishte e trishtuesme për atë që t’i shkatërroj të gjitha. Ai ka gabuar rëndë”.

Liverpooli po ka telashe të mëdha këtë edicion. Është në vendin e nëntë, 10 pikë prapa liderit, Arsenalit. Ka fituar vetëm shtatë prej 15 ndeshjeve të para. Salah ka realizuar katër gola në 13 paraqitje.

Rooney tha se Salah do të gabonte të thoshte “se nuk duhet të luftojë çdo ditë për pozitën time pasi e kam fituar atë”. Rooney thekson se koha i godet të gjithë dhe se Mo Salah nuk ishte në formën më të mirë këtë edicion. Sipas Rooneyt, për të luajtur duhet të jesh në formën më të mirë çdo javë.

“Po të isha bashkëlojtar i tij, nuk do të isha i lumtur me atë që ka thënë pasi Liverpoolit i duhet tani më së shumti. Ai në fakt e ka vënë Liverpoolin nën autobus me fjalët e tij. Ai ishte i jashtëzakonshëm për Liverpoolin, por shfaqi mungesë respekti për bashkëlojtarët, trajnerin dhe tifozët me këto fjalë. Jam i sigurt se pas disa vjetësh ai do të jetë pishman për fjalët që ka thënë”, ka theksuar Rooney.