Futboll

Tifozët e Liverpoolit përkrahin Slotin në konfliktin me Salahun

Arne Sloti

Tifozët e Liverpoolit dëshmuan se në cilën anë janë në përplasjen e trajnerit Arne Slot me lojtarin e rëndësishëm të skuadrës, Mohamed Salah.

Rreth 5000 tifozë që kishin udhëtuar në Itali për ndeshjen e së martës me Interin, kanë thirrur zëshëm emrin e Slotit para dhe pas ndeshjes. Liverpooli e fitoi 1:0 ndeshjen e Ligës së Kampionëve. Dhe thirrjet e tifozëve janë përkrahje e madhe për trajnerin holandez të Liverpoolit.

Slot nuk e përzgjodhi Salahun për ndeshjen në Itali, duke e dënuar atë për komentet e papërshtatshme të bëra të shtunën. Egjiptiani kishte theksuar se “klubi e kishte shtyrë nën autobus” dhe se raportet me trajnerin i kishte prishur.

“Kaq shumë tifozë në rrethana të vështira për klubin dhe kjo dëshmon edhe një herë që nëse gjërat shkojnë kundër nesh apo ka momente të vështira, ne jemi të gjithë aty për njëri-tjetrin. Ne luftojmë së bashku dhe kjo është ajo që tifozët dhe lojtarët dëshmuan sonte”, ka thënë Slot.

“Përkrahja e tifozëve do të thotë shumë për mua. Por nuk ka të bëjë me mua, ka të bëj me ekipin. Dhe tifozët ishin aty po ashtu për ekipin”.

Salah është prej emrave më të mëdhenj në histori të Liverpoolit. Ka fituar dy trofe të Premier Leagues, Ligën e Kampionëe dhe shumë trofe të tjerë. Vitin e kaluar u shpall lojtari më i mirë për herë të tretë, pasi shënoi 34 gola në të gjitha garat dhe e udhëhoqi Liverpoolin drejt titullit të 20-të të Anglisë.

Por forma e tij pësoi rënie në fillim të këtij edicioni. Për Salahun është edicioni i dhjetë në Premier League.

Dhe pasi të shtunën mbeti në stol, ai dha deklaratën që bëri bujë në Angli. Salah ishte në stërvitjen e së hënës me skuadrën, por nuk u përfshi në delegacionin që udhëtoi për në Milano.

Të martën ylli egjiptian publikoi një fotografi duke ushtruar i vetëm në palestrën e kompleksit stërvitor të Liverpoolit.

33-vjeçari i ka 420 ndeshje, 250 gola e 116 asistime për Liverpoolin. Trashëgimia e tij për skuadrën është e jashtëzakonshme. Salah në prill e vazhdoi edhe për dy vjet kontratën me Liverpoolin. Por mbetet të shihet nëse do të luajë më për këtë skuadër.