Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

A po e rrezikon Muslija plejofin për Fortuna Dusseldorfin?

Florent Muslija

Florent Muslija nuk ka qenë në formën më të mirë fizike tash e disa javë. Por thuajse pa përjashtime, ai jep çdo gjë, në çdo ndeshje të Fortuna Dusseldorfit. Edhe në humbjen ndaj Braunschweigut, 1:0, në udhëtim të shtunën, në kuadër të xhiros së 26-të të Bundesliga 2, Muslija luajti 90 minuta. 

Fortuna është e 11-ta në tabelë me 31 pikë. Preussen Munsteri, që aktualisht është në pozitën që dërgon në plejaut, i ka 26 pikë. Deri në fund të kampanjës në Bundesliga 2 kanë mbetur edhe tetë xhiro. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“27-vjeçari Florent Muslija, pavarësisht gjitha problemeve, nuk ishte në mesin e 13 lojtarëve jo të gatshëm për lojë për trajnerin Markus Anfang, por ishte në formacionin titullar dhe luftoi për 90 minuta. Ishte ndeshje e rëndësishme për mbetje në ligë. Ai po merr edhe rrezik personal duke e bërë këtë gjë”, ka shkruar mediumi i njohur gjerman, “Bild”, të dielën. 

Nën drejtimin e Daniel Thiounes, Fortuna Dusseldorfi ka pasur vazhdimisht lojtarë të lënduar. Klubi rrezikonte lëndime edhe të lojtarëve të tjerë të cilët nuk ishin 100 për qind të gatshëm për lojë.

Megjithatë, sikur kishte bërë Thioune më herët, Anfang tani nuk ka rrugëdalje tjetër, pasi ka shumë lojtarë të lënduar. 

Për më shumë, Muslija është kthyer nga një futbollist i talentuar në një profesionist të përsosur. Ai është bërë lider i Dusseldorfit dhe shërben si model për bashkëlojtarët në aspektin e përkushtimit. 

Për mesfushorin kosovar këto padyshim se janë kthyer në ndeshjet më të rëndësishme të karrierës së tij. Dhe nuk kanë të bëjnë me luftën për mbijetesë në kategorinë e dytë. Në gjysmëfinale të plejofit për Botërorin 2026, ylli i Fortuna Dusseldorfit do të luajë me Kosovën në Bratislavë ndaj Sllovakisë më 26 mars, me shansin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës që në këtë verë organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA. Një fitore e mundshme do t’ia siguronte Kosovës vendin në finale të plejofit.

Finalja e plejofit luhet më 31 mars. Për kundërshtare do të jetë Turqia apo Rumania. 

Muslija i ka 38 paraqitje për Kosovën dhe padyshim se plejofi është mundësi e veçantë. Kosova asnjëherë nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje madhore më herët – dhe Muslija nuk po tërhiqet. Ai është i huazuar nga Freiburgu. 

Pas ndeshjes me Braunschweigun, ai tha: “Kam pasur disa telashe të vogla në javët e fundit, të cilat jam munduar që t’i kompensojë duke kaluar më pak kohë në stërvitje dhe duke e menaxhuar ngarkesën. Kam pasur telashe të vogla por po përpiqem ta ndihmoj ekipin, të jem në fushë dhe të mos i lë këto lëndime të vogla të më ndalin”. 

Problemi është se Muslija rrezikon më shumë lëndime dhe po ashtu t’ia ndalin në gjysmë rrugëtimin për në plejofin e Kupës së Botës. 

Ylli i Fortuna Dusseldorfit tha: “Aktualisht nuk po bëj dallime mes klubit dhe përfaqësueses. Për aq kohë sa jam i gatshëm të luajë dhe trupi më thotë se mund të luajë, jam i gatshëm për të luajtur. Nëse situata nuk është e mirë dhe nuk ndihem 100 për qind i gatshëm për ndeshje, jam i pjekur mjaftueshëm për të vendosur se kjo është e pamundur. Kemi një tjetër ndeshje në shtëpi ndaj Hertha Berlinit dhe do të mundohem të jem aty 100 për qind, dhe pastaj të jem në formën më të mirë fizike për përfaqësuese”. 

Muslija me fanellën e Kosovës i ka dy gola të shënuar.

Goli më i rëndësishëm i Muslijës mbetet ai ndaj Zvicrës, në ndeshjen e fundit të kualifikimeve të rregullta për Botërorin 2026. 

Realizoi supergol në barazimin 1:1 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, më 18 nëntor.