Gjermanët e rinj të mërkurën në mbrëmje në Gyor të Hungarisë, mposhtën si mysafir Izraelin e kësaj grupmoshe me rezultatin 5:1.
Ishte fitorja e gjashtë nga shtatë ndeshje të luajtura për gjermanët që janë në Grupin D, bashkë me Kosovën U21, në kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.
Gjermania prinë në tabelë me 19 pikë, me gjashtë fitore e një barazim. Më 22 mars barazoi pa gola me “Dardanët” e rinj.
Për arsye sigurie, ndeshja në Gyor u zhvillua me dyer të mbyllura.
Nicolo Tresoldi dhe Karim Adeyemi i shënuan nga dy gola, ndërsa Ansgar Knauff e realizoi një tjetër.
Niv Yehoshua e shënoi golin e vetëm për izraelitët.
Izraeli U21 është në vendin e fundit, pa pikë, në gjashtë ndeshje të luajtura.
Polonia është e dyta me 15 pikë në shtatë ndeshje, tri më shumë se Bullgaria.
Kosova e katërta ka nëntë pikë, ndërsa Estonia e pesta ka një pikë në gjashtë ndeshje.