Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

NYT: Bisedimet SHBA-Rusi për Ukrainën përfshijnë një marrëveshje nafte multimiliardëshe

jjj

Bisedimet e administratës Trump me Rusinë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë janë zgjeruar dhe në atë përfshihet një marrëveshje nafte prej shumë miliarda dollarësh, që do t'u sillte përfitime biznesmenëve të Lindjes së Mesme që kanë lidhje me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, raportoi të shtunën New York Times.

Marrëveshja, e cila varet nga miratimi nga qeveria amerikane dhe Kremlini, përfshin një sërë fushash nafte, rafinerish dhe stacionesh benzine në të gjithë botën në pronësi të grupit rus të energjisë Lukoil, sipas raportit.

Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Thesarit i SHBA-së dhe Lukoil nuk janë deklaruar në lidhje me këtë raport. 

Grupi që ndjek marrëveshjen përfshin investitorin dhe miliarderin amerikan Todd Boehly, dy grupe të Lindjes së Mesme që kanë bërë biznes me familjen e Kushnerit ose Witkoffit, dhe një degë të qeverisë amerikane, shkruan gazeta.

Presidenti rus, Vladimir Putin e ngriti çështjen e marrëveshjes gjatë një takimi më 5 shtator me Witkoffin dhe Kushnerin në Kremlin, shkruan NYT duke cituar burime, duke shtuar se Putini propozoi përfundimin e marrëveshjes si një mënyrë për t'u treguar rusëve se mund të bënin biznes me Shtetet e Bashkuara.