Ylli botëror i futbollit, Lionel Messi do t’i mungojë të paktën në dy ndeshje ekipit të tij Inter Miami në MLS të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas lëndimit në nyjën e këmbës së djathtë në finale të Kupës së Amerikës me Argjentinën. Këtë e ka konfirmuar trajneri i Inter Miamit, Gerardo Martino.
“Teste tjera janë duke u kryer”, ka shtuar Martino. Messi u zëvendësua në pjesën e dytë të kohës shtesë ndaj Kolumbisë në finale.
Ai u pa në lot gjatë qëndrimit në bankinë. Edhe Messi reagoi pas lëndimit duke shkruar se shpreson të jetë së shpejti në fushë.
“Falë Zotit jam duke përparuar dhe shpresoj që së shpejti të jem në fushë dhe të bëjë atë që dua të bëj”, ka shkruar superylli argjentinas.
Pas 23 ndeshjeve në MLS, Inter Miami është në vendin e dytë në Konferencën Lindore me 14 fitore dhe pesë barazime.
Messi iu bashkua Inter Miamit nga Parisi verën e vitit të kaluar. Me Argjentinën ai fitoi Kupën e Amerikës për herë të dytë. Në total, Argjentina e ka fituar 16 herë Kupën e Amerikës.