Një ditë pasi Gjykata Speciale shpalli verdiktin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, edhe sot janë paralajmëruar protesta në Prishtinë. Të gjitha zhvillimet e ditës së sotme mund t’i gjeni këtu.
Hamza takon liderët e partive tjera: Diskutuam për bashkëpunim në këtë periudhë të rëndësishme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka takuar ndaras tre liderët e partive parlamentare shqiptare, Albin Kurtin e Vetëvendosjes, Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike dhe Ardian Gjinin e Aleancës, pas vendimit në Hagë.
Ai ka thënë se në takime u diskutua për seriozitetin e situatës së krijuar dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë periudhë
Hamza ka bërë të ditur se takimet janë zhvilluar me kërkesën e tij, ndërsa ka falënderuar tre liderët për takimet.
“Sot, me kërkesën time, pas vendimit në Hagë, u takova ndaras me tre liderët e partive parlamentare, z. Kurti, z. Abdixhiku dhe z. Gjini. I falënderoj të tre për takimet”, ka shkruar Hamza në Facebook. “Ne biseduam për seriozitetin e situatës së krijuar, sfidat me të cilat po përballemi, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në këtë periudhë të rëndësishme për popullin dhe shtetin tonë”.
Një ditë më parë, Gjykata Speciale në Hagë dënoi me 81 vjet burgim katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thaçi mohon çfarëdo përfshirje në vrasje
Ish-presidenti Hashim Thaçi ka mohuar çfarëdo përfshirje në vrasje, një ditë pasi Gjykata Speciale e dënoi me 25 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.
Në një shkrim në X, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq e ka cilësuar vendimin me “gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike, që kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor”.
Ai ka thënë se është cenuar paanshmëria.
“Mbrojtja argumenton se konstatimet e Panelit të Gjykimit për fajësinë ‘përtej dyshimit të arsyeshëm’ bazohen në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara”, ka shkruar Mishetiq.
Ai ka përmendur edhe çështjen e Behajdin Allaqit, për vrasjen e të cilit Specialja e shpalli Thaçin fajtor. Aty është thënë se Thaçi u shpall publikisht fajtor edhe pse sipas tij më herët “(Paneli i Gjykimit) kishte urdhëruar të gjitha palët që të mos diskutonin për rastin e zotit Allaqi në seanca publike dhe pasi trupi gjykues kishte urdhëruar që të gjitha dëshmitë e lidhura me këtë rast të mbaheshin konfidenciale”.
Është thënë se Thaçi do të mirëpritste shqyrtimin publik të provave.
Mbrojtja ka thënë po ashtu se do të apelojë vendimet “për shkak të shkeljes së të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës”.
“Z. Thaçi mohon kategorikisht çfarëdo përfshirje në vrasje”, thuhet në deklaratën e Mishetiqit.
Specialja ka konstatuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor ndaj 49 personave, torturë ndaj 303 personave dhe vrasje të paligjshme të 96 personave.
Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.
Thaçi bën thirrje për përmbajtje
Luka Mishetiq, avokati i Hashim Thaçit, ka bërë të ditur se ish-presidenti që një ditë më parë u dënua me 25 vjet burgim për krime lufte, ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të ruajnë qetësinë.
Në një shkrim në X, Mishetiq ka thënë se Thaçi shpreh mirënjohjen për mbështetjen që ai dhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar.
“Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme”, ka shkruar Mishetiq në X.
Kastrati: Zhbërja e Speciales mund të bëhet vetëm në bashkërendim me ndërkombëtarët
Avokati Emrush Kastrati ka deklaruar se zhbërja e Gjykatës Speciale në Hagë mund të bëhet vetëm duke ndjekur të njëjtën formë institucionale përmes së cilës ajo është themeluar.
Sipas tij, një proces i tillë do të kërkonte bashkërendim me faktorin ndërkombëtar, pasi, siç tha, themelimi i Speciales ishte rezultat i këtij bashkërendimi dhe i presionit ndërkombëtar.
“Zhbërja e Gjykatës Speciale mund të bëhet vetëm duke ndjekur formën ashtu siç është formuar. Për të ndodhur kjo duhet një bashkërendim me faktorin ndërkombëtar, sepse kjo ka qenë rezultat i atij bashkërendimi, madje në një mënyrë ka qenë presion”, ka thënë Kastrati të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Përdorimin e konceptit “ndërmarrje e përbashkët kriminale” për UÇK-në nga Specialja, Kastati e ka vlerësuar si term të rëndë dhe të ekzagjeruar në raport me ish-krerët e UÇK-së.
“’Ndërmarrje e përbashkët kriminale’ është shumë term i rëndë dhe term më i ekzagjeruar. Kjo nuk mund t’u atribuohet krerëve të UÇK-së, sepse misioni i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka qenë për ta luftuar pushtetin e Serbisë dhe shkatërrimin që Serbia bënte ndaj popullatës civile”, ka thënë ai.
Kastrati vlerësoi se dërgimi i aktgjykimit në Gjykatë të Apelit mund të zgjasë deri në dy apo tri vjet.
Gucati e quan “hajn” e “mashtrues” Kurtin
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, e ka quajtur “hajn” dhe “mashtrues” kryeministrin Albin Kurti.
Në një diskutim me një qytetar nga sheshi, Gucati u pyet për kërkesat që do të shpalosen të premten në protestë. Ai është pyetur edhe për kërkesat që veteranët do t’i kenë për Qeverinë.
“Nuk merrem me ato (buxhetin e shtetit). Qe ku është hajni. Qe ku është mashtruesi”, ka thënë Gucati duke bërë me gisht në drejtim të Qeverisë, teksa i përgjigjej qytetarit se a duhet të ndajë buxhet shteti për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja.
Një ditë më parë, Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Veteranët kanë paralajmëruar protestë për të premten, ndërsa të enjten kanë prezantuar një “platformë veprimi” duke përfshirë si pikë edhe kërkesën për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kurti e Hamza diskutojnë se si të korrigjohet vendimi i Speciales
Kryeministri Albin Kurti ka takuar të enjten kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, një ditë pas dënimit me 81 vjet burgim nga Gjykata Speciale të katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit është thënë se të dy kanë diskutuar për rrugët dhe mënyrat që duhet ndjekur për ta korrigjuar vendimin e djeshëm. Ata janë zotuar për komunikim të rregullt.
“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit. Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm. Kryeministri Kurti dhe kryetari Hamza u zotuan për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet e interesit publik, shtetëror dhe kombëtar”, thuhet në njoftim. “Rezistenca e popullit tonë dhe lufta çlirimtare, përveçse të drejta, ishin të domosdoshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviqit, që i ka të dokumentuara krimet: nga represioni sistematik deri te aparteidi, nga mohimi i të drejtave themelore njerëzore e qytetare deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi”.
Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi u dënuan dje me nga 25 vjet burgim për krime lufte, ndërsa Kadri Veseli me 18 e Rexhep Selimi me 13.
Thaçi e Veseli kanë udhëhequr PDK-në vite më parë.
Veteranët prezantojnë “platformën e veprimit”, kërkohet zhbërja e Speciales
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka prezantuar “platformën e veprimit” pas dënimit të katër udhëheqësve të UÇK-së nga Gjykata Speciale një ditë më parë.
Sipas veteranëve, kjo platformë përfshin qëllimet, ekipet, kërkesat dhe mjetet përmes së cilave OVL-ja synon të veprojë pas vendimit të shkallës së parë.
Fatmir Sopi, që e ka prezantuar platformën para mediave, ka thënë se qëllimi është që reagimi i OVL-së të shndërrohet në veprim të organizuar, profesional dhe të vazhdueshëm.
Ndër pikat e përfshira janë mbrojtja në Apel dhe amendamentimi ose shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Qëllimi i Platformës është që OVL-UÇK ta shndërrojë reagimin pas aktgjykimit në veprim të organizuar, profesional dhe të vazhdueshëm. Prioritetet janë: mbrojtje në Apel, monitorimi i të drejtave të të akuzuarve, ruajtja e debatit demokratik dhe shfuqizimi i Ligjit nr. 05/L-053, kërkimi i përgjegjësisë politike, pjesëmarrja qytetare paqësore, angazhimi ndërkombëtar dhe ruajtja e dokumentuar e historisë së UÇK-së”, ka thënë Sopi, transmeton EO.
Në platformë parashihet edhe një rivlerësim institucional i Dhomave të Specializuara.
“Rivlerësimi institucional i Dhomave duhet të analizojë raportin ndërmjet arsyeve që çuan në krijimin e mekanizmit, përfshirë pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës për trajtimin e gjerë të organeve, mandatit më të gjerë që iu dha më pas Dhomave, akuzave të ngritura dhe rezultateve konkrete të proceseve”, ka thënë tutje Sopi. “Të kërkohet debat i posaçëm parlamentar dhe shqyrtim juridik i amendamentimit ose shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkesa duhet të mbështetet në Memorandumin Juridik që analizon bazën kushtetuese, dëshmitë relevante dhe pasojat e secilës alternative. Rivlerësimi duhet të trajtojë edhe raportin ndërmjet pretendimeve që ishin pjesë e procesit që çoi në krijimin e mekanizmit, përfshirë raportin e Këshillit të Evropës, trajtimin e gjerë të organeve, mandatit të gjerë që iu dha Dhomave dhe rezultateve konkrete të hetimeve dhe proceseve”.
Për zbatimin e platformës, OVL-UÇK parasheh krijimin e Këshillit Koordinues të Veprimit, nën përgjegjësinë e Kryesisë së organizatës.
Në kuadër të platformës janë paraparë katër ekipe: Ekipi Juridik dhe për Mbrojtjen, Ekipi Institucional dhe për Veprim Qytetar, Ekipi për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diasporë, si dhe Ekipi për Dokumentim, Histori dhe Komunikim.
Platforma parasheh gjithashtu mbështetje të plotë juridike dhe financiare për proceset në Apel. Aty është paraparë Fondi i Solidaritetit, si mbështetje plotësuese, me auditim dhe transparencë të plotë.
Në platformë kërkohet edhe krijimi i një mekanizmi profesional për monitorimin e procesit të Apelit dhe të drejtave procedurale.
Një tjetër pikë e platformës lidhet me materialet me origjinë nga Serbia dhe mënyrën se si ato duhet të analizohen.
“Të evidentohen materialet relevante me origjinë nga institucionet serbe dhe të analizohen burimi, autenticiteti, zinxhiri i ruajtjes, konteksti dhe pesha provuese. Çdo kundërshtim duhet të mbështetet në mangësi konkrete dhe të dokumentuara”, thuhet në platformë.
OVL-UÇK përmes kësaj platforme ka paraparë edhe kërkimin e përgjegjësisë politike ndaj zyrtarëve për të cilët, sipas organizatës, ekzistojnë deklarata publike të dokumentuara kundër UÇK-së.
“OVL-UÇK duhet të kërkojë përgjegjësi politike dhe largimin nga Qeveria të ministrave dhe zyrtarëve të cilët ekzistojnë të deklarata publike të dokumentuara se kanë akuzuar UÇK-në, drejtuesit ose pjesëtarët e saj për krime lufte, jasje politike apo veprimtari kriminale, në rastet kur pretendimet nuk mbështeten në vendime gjyqësore që i vërtetojnë. Për secilin rast duhet të përgatitet dosje me deklaratën konkrete, datën, burimin dhe faktet që e vërtetojnë. Kërkesa duhet t’i drejtohet Kryeministrit si çështje e përgjegjësisë politike dhe besimit institucional”, thuhet në platformë.
Platforma parasheh që OVL-UÇK të zgjerojë angazhimin me shtetet mike dhe diasporën, ndërsa paralelisht të ndërtojë mekanizma për ruajtjen dhe studimin e dokumentacionit të luftës.
OVL-ja bërë të ditur se për t’i arritur këto kërkesa do të protestojë paqësisht, do të iniciojë peticione kombëtare e do të ketë iniciativa juridike dhe parlamentare, por edhe kërkesa drejtuar institucioneve.
Veteranët kanë bërë thirrje për një protestë gjithëpopullore të premten.
Specialja nis procesin për kompensim të viktimave në rastin “Thaçi dhe të tjerët”
Gjykata Speciale ka nisur procesin për kompensimin e viktimave në rastin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që një ditë më parë u dënuan me 81 vjet në shkallën e parë, nën akuzat për krime lufte.
Palëve u janë caktuar afate gjatë shtatorit dhe tetorit për të deklaruar nëse do të paraqesin prova lidhur me reparacionet, ndërsa përfaqësuesi i viktimave duhet të paraqesë kërkesën konkrete për reparacione deri më 14 tetor 2026, pas së cilës Prokuroria e Specializuar dhe Mbrojtja kanë afat deri më 4 nëntor për t’iu përgjigjur.
Pjesa e vendimit:
a) VENDOS që të zhvillojë procedurën për reparacionet dhe të nxjerrë një urdhër për reparacionet, në përputhje me nenin 22(8) dhe rregullën 168, me kusht që Mbrojtja të mos paraqesë kundërshtime;
b) URDHËRON Mbrojtjen që të paraqesë çdo kundërshtim lidhur me këtë çështje deri të martën, më 22 shtator 2026;
c) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të paraqesin përgjigjet e tyre deri të premten, më 25 shtator 2026;
d) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që ta informojë Trupin Gjykues dhe palët për çdo ndryshim në mënyrën e paraqitjes së provave, në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;
e) URDHËRON që, nëse Përfaqësuesi i Viktimave ende dëshiron të paraqesë prova në përputhje me rregullën 168, ai duhet ta bëjë këtë deri të mërkurën, më 7 tetor 2026;
f) URDHËRON Mbrojtjen që ta informojë Trupin Gjykues, Përfaqësuesin e Viktimave dhe ZPS-në nëse synon të paraqesë ndonjë provë në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;
g) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që të paraqesë kërkesën për reparacione deri të mërkurën, më 14 tetor 2026;
h) URDHËRON ZPS-në dhe Mbrojtjen që t’i përgjigjen kërkesës për reparacione deri të mërkurën, më 4 nëntor 2026;
i) URDHËRON Sekretarinë që ta riklasifikojë si publike Urdhrin e 6 nëntorit 2025, parashtresat e Përfaqësuesit të Viktimave të 17 nëntorit 2025 dhe parashtresat e ZPS-së të 17 nëntorit 2025, jo më vonë se të martën, më 22 shtator 2026;
j) URDHËRON Mbrojtjen që të dorëzojë versionet publike të redaktuara të parashtresave të Mbrojtjes të 17 nëntorit 2025, ose të kërkojë riklasifikimin e tyre, deri të martën, më 22 shtator 2026.
Një ditë më parë, Gjykata Speciale dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Specialja ka konstatuar se të katërtit ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor ndaj 49 personave, torturë ndaj 303 personave dhe vrasje të paligjshme të 96 personave.
Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.
Të katërtit janë mbajtur në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Për të kundërshtuar aktgjykimin, ligji ua siguron të drejtën të akuzuarve që përmes mbrojtjeve të tyre të bëjnë apelimin e tij. Por edhe Prokurorisë nëse nuk është e kënaqur me dënimin.
Rregullorja e procedurave dhe provave të DHSK-së parasheh se palët e pakënaqura me aktgjykimin mund të dorëzojnë njoftimin me pikat që duan të apelojnë brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit.
Në rastin e Salih Mustafës, Gjykata Speciale pati caktuar shumën prej 207 mijë eurosh për kompensim për viktimat.
Pas vendimit të Speciales, Kuvendi i Shqipërisë fton qeveritë shqiptare t’i koordinojnë veprimet
Kuvendi i Shqipërisë përmes një deklarate të përbashkët ka ftuar qeverinë e Shqipërisë dhe atë të Kosovës të koordinojnë veprimet në mënyrë, që siç thanë ata, të korrigjojnë padrejtësinë e Gjykatës Speciale në rrugë institucionale.
Specialja dje dënoi me 81 vjet burgim në total ish-drejtuesit e UÇK-së.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi se një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli dhe as të barazojë agresorin me viktimën.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se lufta e UÇK-së ishte për liri dhe për t’i dhënë fund represionit dhe gjenocidit nga regjimi i Millosheviqit.
Deklarata e plotë:
Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviçit. Pa luftën dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit gjakatar serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës dhe e rrugës që çoi drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.
Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.
Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit. Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane.
Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Miloševićit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.
E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor.
Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që:
Në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.
Të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës, dhe i bën thirrje të dyja Qeverive tona që gjithashtu të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.
Berisha për vendimin e Speciales: M’u duk sikur vëllai im u vra për së dyti
Blerim Berisha nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale ishte i papritur dhe shokues.
Ka shtuar se gjitha familjet e dëshmorëve e kanë përjetuar sikur i kanë humbur sërish anëtarët e familjeve të tyre.
“Edhe vëllanë tim që më është vrarë në luftë, më është dukë sikur është vrarë për së dyti”, ka thënë ai mes emocionesh.
Në emisionin “tre8tre” ka deklaruar se duhet të mblidhen të gjitha partitë politike dhe të marrin vendim të zhbëhet Gjykata Speciale.
Ai ka thënë se vendimi i Speciales për dënimin e katërshes së UÇK-së nuk është marrë në emër të popullit të Kosovës.
“Unë e kam të vrarë vëllanë në luftë dhe kjo ishte vrasja e dytë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në këto momente që po kalon vendi dhe populli i Kosovës, duhet të ndalen ndasitë politike dhe të merret vendim i përbashkët që luftëtarët e Kosovës të mos dënohen.
“Ne ishim deri në orën 12 të natës në protestë dhe qëllimi ishte që të mos lëndohen policët tanë e të mos dëmtohet prona jonë. Ne duhet të protestojmë para Kuvendit të Kosovës sepse ata e kanë në përgjegjësi të mbrojnë interesin e popullit të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se dyshojnë se Gjykata Speciale do t’i vazhdojë arrestimet.
Sipas tij, ky dënim ishte njollë e zezë, pasi sipas tij, do të përdoret nga Rusia e Serbia për interesa të tyre.
Berisha: Vuçiqi e Rama janë përgjegjës për atë që ndodhi në Hagë
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se janë përgjegjës për dënimin në Hagë të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Berisha i bëri këto deklarata gjatë fjalimit në Parlamentin e Shqipërisë, duke thënë se Vuçiqi dhe Rama mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për atë që ka ndodhur në Gjykatën Speciale.
“Në qoftë se ka njeri më përgjegjës direkt për atë që ndodhi, është Aleksandër Vuçiqi dhe argati i tij, Edi Rama”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka kritikuar gjithashtu, siç tha, heshtjen e Ramës pas vendimit të Gjykatës Speciale.
“Ku e keni tani, e keni parë të çelë ndonjë gojë? Më thoni pak çfarë tha ai? Thuaj çfarë fjale ka shqiptuar?”, u shpreh Berisha.
Të mërkurën, Gjykata Speciale në Hagë shpalli fajtorë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, për krime lufte.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Sipas aktgjykimit, Thaçi dhe të bashkakuzuarit u shpallën fajtorë për përgjegjësi në krime, përfshirë vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Kusari-Lila: Ka mospërputhje në veprimet e PDK-së, hapat e ardhshëm s’duhet të jenë të ngutshëm
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka folur lidhur me raportimet në media për nismën e disa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë lidhur me zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kusari-Lila ka thënë se nuk dëshiron të gjykojë nismën, por ka theksuar se, sipas saj, ekziston një mospërputhje në veprimet e PDK-së, pasi kjo parti ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
“Tani unë nuk jam të gjykoj për këtë iniciativë, megjithatë ka një ndeshje të veprimeve dhe logjikës nga Partia Demokratike për arsye se ata kanë kontestuar tashmë në Gjykatën Kushtetuese edhe seancën, edhe formimin e Qeverisë. Në anën tjetër është shumë e rëndësishme që të kemi institucione dhe të kemi vendimmarrje të plotë”, tha ajo.
Duke folur për vendimin e djeshëm të gjykatës në Hagë dhe dënimet ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kusari-Lila tha se vendimi ka shkaktuar tronditje dhe rëndesë të madhe, duke theksuar se hapat e ardhshëm duhet të jenë të menduar mirë dhe jo të nxituar apo emocionalë.
“Përderisa ajo çka ka ndodhur dje na ka tronditur të gjithëve në kuptimin më negativ të fjalës, në atë se sa të rënduar jemi ndjerë me peshën e dënimit që i është dhënë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hapat e ardhshëm nuk duhet të jenë as të ngutshëm e as emocionalë, duhet të jenë të menduar mirë dhe duhet bërë të gjithë përpjekjet maksimale edhe në aspektin institucional shtetëror por edhe partiak të të gjithëve që të sigurojmë se cila është rruga më e sigurt drejt lirimit të plotë të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha tutje ajo.
Kusari-Lila u shpreh se vendimi është i shkallës së parë dhe se ekziston mundësia e apelimit.
Ajo ka bërë thirrje që mekanizmi i Apelit të shfrytëzohet dhe të ketë mobilizim të menjëhershëm.
“Është fat në fatkeqësi që është dënimi në shkallën e parë dhe ekziston apelimi, mekanizmi i Apelit me të cilin duhet mobilizuar menjëherë”, u shpreh ajo.
Ministrja tha gjithashtu se çështja nuk duhet parë vetëm në aspektin ligjor, por edhe si çështje politike dhe shtetërore. Për këtë arsye, sipas saj, duhet të ketë koordinim dhe unitet në qëndrime.
“Ndërsa në diskutimet e tjera, prapë po e thashë se çështja përveçse ligjore është edhe politike dhe shtetërore, prandaj duhet të ketë edhe koordinim edhe bashkim e unitet në qëndrime për arsye se kjo nuk është një betejë politike që do të fitojë dikush ndaj dikujt, kjo është betejë e gjithë Republikës së Kosovës“, tha tutje ajo.
Gjykata Speciale i ka dënuar me 81 vjet burgim në total 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me nga 25 vjet burgim janë dënuar Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi, me 18 vjet burgim Kadri Veseli dhe me 13 Rexhep Selimi. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme./EkonomiaOnline
PDK-ja thotë se do të kthehet në Kuvend nëse është nevoja
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se partia e tij mund të rikthehet në Kuvend nëse paraqitet nevoja, pas zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale.
PDK-ja e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Legjislaturës së 11-të dhe formimit të Qeverisë Kurti 4, ndërsa kishte deklaruar bojkot të punës së Kuvendit.
Megjithatë, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, Hamza ka thënë se dënimi i ish-drejtuesve të UÇK-së nga Gjykata Speciale ka ndryshuar rrethanat dhe se tashmë kjo çështje është prioritet.
“Kur ndërrojnë rrethanat, duhet të ndërrojë edhe qëndrimi ynë. Edhe ndërrojnë prioritetet. Mendoj që prioritet më të madh për këtë situatë nuk ka sesa ne si shtet të veprojmë në përputhje me interesat e shtetit”, ka thënë Hamza.
Ai ka theksuar se reagimi duhet të lidhet jo vetëm me ish-eprorët e UÇK-së, por edhe me interesat e shtetit dhe të ardhmen e tij.
“Jo vetëm të atyre personaliteteve, ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por mbi të gjitha edhe për interesat e shtetit, për historinë, për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e shtetit. Prandaj, në bazë të rëndësisë së rrethanave, ne do të sillemi në atë mënyrë. Nëse ka nevojë, do të jemi në Kuvend”, ka deklaruar ai.
Hamza paralajmëron takim me kryetarët e partive: Besoj në bashkëpunim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza pas mbledhjes së PDK-së ka thënë se do të takojë liderët e të gjitha subjekteve politike për të parë se çka mund të bëhet pas vendimit të Gjykatës Speciale, dënim i cili i dënoi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hamza ka thënë se beson në bashkëpunimin me ta sepse krerët e UÇK-së nuk gjenden në Hagë si anëtarë të ndonjë partie por si pjesë e historisë.
“Do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike sepse kjo nuk është më çështje që i takon një subjekti politik. Ata nuk janë shkuar atje si anëtarë të ndonjë subjekti politik por si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Besoj në bashkëpunimin me subjektet e tjera politike, në krijimin e një konsensusi të nevojshëm dhe ne si PDK do të dalim me veprime konkrete duke i përfshirë edhe ato ligjore edhe demokratike”, ka thënë Hamza.
Tutje Hamza ka folur edhe për iniciativën për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Ai ka thënë se PDK-ja i ka nënshkrimet e gatshme dhe varësisht nga rrethanat do të procedohet tutje porse për këtë kanë nevojë edhe për mbështetjen e partive të tjera politike.
“Po qe se vjen e mund të vjen iniciativa ligjore në Kuvendin e Kosovës normalisht që kemi nevojë për mbështetjen e subjekteve të tjera politike. PDK-ja i ka nënshkrimet e gatshme, varësisht prej nevojave ne do të procedojmë. Nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, po flasim për përshtatje me një situatë të re. Nuk po i ikim obligimit që e kemi marrë që Gjykata t’i hetojë, t’i prezantojë e faktojë të gjitha gjetjet e raportit të Dick Martyt për çka edhe është krijuar Gjykata”, ka thënë Hamza.
Kryetari i PDK-së gjithashtu ka bërë thirrje që protestat ndonëse si e drejtë e shprehjes së revoltës, të jenë pa u dëmtuar institucionet e vendit.
“Ne e njohim të drejtën e njerëzve për të protestuar por megjithatë për hir të vendit, seriozitetit, kërkojmë që gjithçka të jetë brenda rregullave demokratike dhe të jetë e kujdesshme dhe në asnjë formë të dëmtohet askush, asnjë institucion, asnjë person i Republikës së Kosovës”, është shprehur Hamza.
Gjykata Speciale i dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Ky vendim i Speciales në Kosovë u prit me protesta të qytetarëve. Ata protestuan para Qeverisë së Kosovës, e në një moment e gjuajtën me gurë ndërtesën qeveritare dhe thyen disa xhama. Në orët e vona u zhvendosën përpara objektit të EULEX-it e ku mes tjerash hodhën edhe mjete piroteknike, nga çka çatia e objektit në një pjesë shumë të vogël mori flakë.
OVL-UÇK thërret protestë gjithëpopullore për nesër
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë gjithëpopullore për të premten në orën 12.00.
Kjo është bërë e ditur në një konferencë të thirrur sot.
Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se zhvillimet e fundit, sipas tij, kanë tentuar ta vendosin në një balancë luftën e UÇK-së me atë që ka ndodhur gjatë viteve 1998-1999.
“Dje dhe sot u ul lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet ’98-’99. UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje. Asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë luftën tonë e as të njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të padrejtë, gjë që sipas nesh u dëshmua edhe dje. Po ashtu t’ju bëjmë me dije se organizatat e dala nga lufta sot në takimin që mbajtëm pak më herët me këshillin drejtues morëm vendim që të thërrasim protestë gjithëpopullore nesër në ora 12:00 në sheshin Skënderbeu”, deklaroi Syla.
Ai bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta synojnë të ndërmarrin hapa të tjerë, përfshirë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme që do të përfshinte edhe shqiptarët jashtë Kosovës.
“Kësaj padrejtësie që iu bë drejtuesve të luftës së UÇK-së do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Maqedonia e Veriut, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë. Po ashtu do të kërkojmë krijimin e një strategjie kundërshtuese ndaj këtij vendimi deri në përfundim të procesit të apelit, ku kërkojmë përfshirjen e institucioneve tona, partive parlamentare, shoqërisë civile, institucioneve të tjera të cilat do të mund të kontribuonin në këtë drejtim. Po ashtu në ora 16:30 sot, OVL e UÇK-së së bashku me disa shoqata të tjera të familjeve të dëshmorëve dhe shoqatën e invalidëve do të bëjmë prezentimin e kësaj platforme ku ju ftojmë që të jeni prezentë edhe ju, pra do t’i bashkangjitemi protestës dhe thirrjes nga studentët që janë sot, do të jemi edhe ne bashkë me ta në ora 16:30”, tha ai.
Ai u shpreh se, sipas tij, vendimi i fundit nuk është i vetmi rast që ka prekur ish-luftëtarët e UÇK-së.
“Ju e dini, nuk është vendimi i padrejtë vetëm ky i djeshmi, bashkëluftëtarët tanë, ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bukur gjatë kohës nën goditjet me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi Syla.
Gjykata Speciale i dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Komuna e Prishtinës kërkon vendosjen e flamurit të UÇK-së në hyrje të shkollave
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arian Elshani, u ka kërkuar të enjten të gjitha institucioneve arsimore publike të kryeqytetit që, krahas flamurit të Republikës së Kosovës, në hyrjet kryesore të shkollave të vendosin edhe flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në shkresën zyrtare drejtuar drejtorëve të shkollave, Elshani ka theksuar se UÇK-ja është pjesë e pandashme e historisë së çlirimit të Kosovës dhe se lufta dhe sakrifica e saj për lirinë e vendit përbëjnë një kapitull të rëndësishëm të historisë së re të Kosovës.
Ai ka vlerësuar se institucionet arsimore nuk janë vetëm hapësira ku nxënësit marrin dije, por edhe vende ku formohet kujtesa historike dhe qytetare e brezave të rinj.
“Liria që gëzojmë sot ka një histori. Dhe ajo histori duhet të kujtohet, të respektohet dhe t’u përcillet brezave që vijnë”, thuhet në shkresë.
Drejtoria e Arsimit ka kërkuar që vendosja e flamurit të UÇK-së të bëhet në mënyrë dinjitoze dhe të njëtrajtshme në të gjitha institucionet arsimore publike të kryeqytetit.
Studentët kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
Dhjetëra studentë janë grumbulluar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë të enjten, duke kërkuar drejtësi për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale.
Ata brohorisnin emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit teksa mbanin në duar pankarta me mesazhe të ndryshme.


Deliu-Gërvallës: Ke pasur gjithmonë akuza për UÇK-në, tash nuk e paske asnjë fjalë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për heshtjen e saj pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Deliu-Kodra ka thënë se Gërvalla për vite me radhë ka folur dhe ka bërë akuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa tani, sipas saj, nuk ka reaguar për dënimet e tyre.
“Për vite me radhë nuk u ndale së foluri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. I godite me akuzat më monstruoze, i sulmove me gjuhën më të ulët”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se Gërvalla nuk ka lënë vendim të drejtësisë pa komentuar dhe se ka pasur vazhdimisht qëndrime kritike ndaj UÇK-së.
“Ti që nuk lë vendim të drejtësisë pa komentuar. Ti që nuk lë kundërshtar politik pa sharë e fyer. Ti që për UÇK-në ke pasur gjithmonë akuza. Pikërisht kur udhëheqësit e UÇK-së morën dënime drakonike, ministrja e Drejtësisë mbeti pa zë!”, ka thënë Deliu-Kodra.
Deputetja e PDK-së e ka sfiduar Gërvallën që të deklarohet publikisht nëse e shqetëson aktgjykimi i Speciales.
“Donikë, dil para qytetarëve dhe përgjigju: a të shqetëson ky aktgjykim, apo heshtja jote është miratimi që nuk guxon ta shqiptosh publikisht?”, është shprehur ajo.
Në fund, Deliu-Kodra ka thënë se heshtja e ka demaskuar Gërvallën.
“Heshtja nuk të mbrojti. Nuk të fshehu. Të demaskoi!”, ka përfunduar ajo.
Deputetët e PD-së me stemën e UÇK-së në Kuvend, Peleshi: Vendim i dhimbshëm për kujtesën kombëtare
Seanca e Kuvendit të Shqipërisë ka nisur me qëndrimin për vendimin e djeshëm të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Paraprakisht në këtë seancë, deputetët e Partisë Demokratike kësaj radhe shkuan me stemën e UÇK-së të vendosur në kostumet e tyre.
Kryeparlamentari Niko Peleshi në fjalën e tij hyrëse ka thënë se është vendim i dhimbshëm jo vetëm për Kosovën por edhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare.
Ai gjithashtu deklaroi se Kuvendi do të dalë me një deklaratë të përbashkët për këtë çështje dhe se aktualisht Komisioni për Çështje Evropiane dhe Punë të Jashtme po i finalizon detajet e saj.
“Para se të fillojmë me rendin e ditës, dje Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën vendimin ndaj katër liderëve të UÇK-së. Ky vendim përbën një vendim të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, jo vetëm për Kosovën, por dhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare. Sot do të përcjellim një deklaratë të përbashkët nëpërmjet Kuvendit, ku do të shprehim mendimin e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vendim. Komisioni për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme po finalizon detajet e deklaratës”, ka thënë ndër të tjera Peleshi.
Hamza: Të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se partia do ta diskutojë në mënyrë të detajuar situatën pas vendimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hamza, para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së të enjten, ka deklaruar se të gjitha format demokratike dhe ligjore do të jenë në opsion, ndërsa ka thënë se qëndrimet zyrtare të partisë do të përcaktohen pas diskutimeve.
“Ne do ta diskutojmë situatën, do ta diskutojmë detajshëm. Ne e kemi thënë, që të gjitha format demokratike dhe ligjore janë opsion. Më tutje do të diskutojmë dhe pastaj do të shohim se cilat janë qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.
I pyetur nëse PDK-ja do të marrë iniciativë për zhbërjen e Gjykatës Speciale, Hamza nuk e ka përjashtuar si opsion.
“Të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”, shtoi ai.