Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zhvillimet një ditë pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Specialja

Protestuesit para Qeverisë

Foto: Driton Paçarada

Një ditë pasi Gjykata Speciale shpalli verdiktin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, edhe sot janë paralajmëruar protesta në Prishtinë. Të gjitha zhvillimet e ditës së sotme mund t’i gjeni këtu.

Çitaku: Si shtet të reagojmë shpejt, seriozisht e institucionalisht

1 muaj më parë / 17 sht 2026 10:15
Vlora Citaku

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se shteti dhe institucionet e Kosovës duhet të reagojnë shpejt pas vendimit të Gjykatës Speciale me të cilin i dënoi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Çitaku ka thënë se nuk e kemi luksin të rrimë e të presim sepse është në pyetje historia e vendit.

“Një vendim që, në bindjen time, duket sikur ishte shkruar para se gjykimi të përfundonte. Një vendim që e ka shpërfillur pothuajse në tërësi punën e mbrojtjes. Ka shpërfillur dëshmitë e Wesley Clark, James Rubin dhe dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes. Një verdikt drakonik, që shkoi edhe përtej asaj që kishte pritur Prokuroria. Prandaj tani nuk kemi luksin të rrimë e të presim që koha t’i rregullojë gjërat vetë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Joseph: Serbia, Rusia dhe Kina do të përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën

1 muaj më parë / 17 sht 2026 10:09
Edward P. Joseph

Profesori i Universitetit “Johns Hopkins”, Edward P. Joseph, e ka cilësuar shokues vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në një intervistë në “ABC News”, Joseph u shpreh se këtë vendim, Serbia do e përdorë për të diskretituar UÇK-në dhe veprimtarinë e saj.

Joseph shtoi se Serbia dhe aleatët e saj, Rusia dhe Kina, do përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën.

“Kjo gjë do të përdoret nga Serbia si mjet për të diskretituar UÇK, veprimtarinë e saj. Do të përdoret nga Rusia dhe Kina. Do përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën. Ne kemi parë këtë muaj në Serbi, që është nderuar imazhi i këtij personazhi, kemi parë ceremoni, është përdorur gjuhë urrejtjeje në Beograd. Ne kemi dëshmuar sesa të gjata janë dëmet që janë dhënë. Dënimi nuk është i barabartë me dënimet që kanë marrë figurat serbe, që kanë kryer krime”, theksoi ai.

Forca të shtuara të Policisë te Qeveria

1 muaj më parë / 17 sht 2026 09:11
Policia e Kosovës

Forca të shtuara të Policisë janë parë në mëngjesin e sotëm tel objekti i Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, një protestë para objektit të Qeverisë është paralajmëruar edhe për sot. 

Kjo protestë po organizohet në shenjë revolte kundër vendimit në Hagë ndaj katërshes së UÇK-së, të cilët u dënuan më 81 vjet burgim nga Specialja.

Një protestë e tillë është mbajtur edhe dje para EULEX-it dhe objektit të Qeverisë, ku pati edhe të arrestuar për shkak të hedhjes me gurë ndaj këtyre objekteve. 

Clark për dënimet në Hagë: S’kam parë dëshmi që e justifikojnë këtë vendim

1 muaj më parë / 17 sht 2026 09:10
CLARK

Gjenerali i NATO-s Wesley Clark, ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Hagës, e cila dënoi me gjithsej 81 vjet burg 4 ish-krerët e UÇK-së.

Në prononcim në A2 CNN, ai tha se ishte i shokuar nga vendimi i Hagës dhe se nuk ka parë asnjë dëshmi që të justifikojë këtë lloj vendimi.

Sipas tij tani do të jetë një rrugë e vështirë për të ardhmen.

“Jam i shokuar dhe i zemëruar. Unë e njoh Thaçin dhe shokët e tij dhe të gjithë ata që kanë bërë luftën. Unë kam dëshmuar në gjyq kam thënë se çfarë kam parë dhe e dija se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe bashkëpunimin tonë me UÇK-së dhe nuk kam parë asnjë dëshmi që të justifikojë këtë lloj vendimi. Fatkeqësisht Gjykata e dha vendimin e vet dhe kjo do të jetë një rrugë e vështirë në të ardhmen”, u shpreh gjenerali.

I pyetur nëse kishte diçka që përputhej mes asaj që thoshin gjyqtarët dhe asaj që gjenerali ka parë me sytë e tij, ai u përgjigj se Hashim Thaçi bëri një punë të shkëlqyer për të ruajtur edhe popullatën e pafajshme serbe.

“Me aq sa di, këto dëshmitë sekrete që edhe vetë nuk më treguan asnjë dëshmi nga prokuroria, nuk do të më bënin dhe që të ndryshonin mendimin tim. Unë jam takuar tre herë me Hashim Thaçin gjatë konfliktit dhe në Rambuje. Sigurisht e takova atë kur isha në Kosovë, por UÇK-ja dhe ajo çfarë po ndodhte atje ishte një rebelim kundër një regjimi autoritar dhe jo vetëm një regjim autoritar, por edhe shumë krime individuale të kryera nga serbë individualë përkundër fqinjëve të tyre shqiptarë”, është shprehur Clark.

“Dhe siç e kam shpjeguar dhe në gjykatë edhe sot kishte me shumë emocion me njerëz që kishin njohur njëri-tjetrin dhe shqiptarët u ndjen të tradhtuar nga fqinjët e tyre serbë që kishin jetuar një jetë së bashku, por sigurisht që ishin ndjesi të forta dhe këtë mendova se Hashim Thaçi bëri një punë të shkëlqyer për të ruajtur edhe popullatën e pafajshme serbe, si për ata të cilët ë që ishin mbi lumin Ibër që i shtyn shqiptarët më poshtë. Pra kam patur shqetësime për më tej, por nuk mund të thosha që Thaçi ishte dikush që të mund të dënohej për krime lufte”, ka shtuar ai.

Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Gjenerali Wesley Clark ka qenë një prej dëshmitarëve të mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së. 

Ai gjatë dëshmisë pati thënë se UÇK-ja ishte organizatë pa strukturë të mirëfilltë të komandës dhe kontrollit. Ndërsa, autoritetin ua la komandantëve të zonave.

“Ata ishin grupe luftëtaresh në nivel rajonal apo lokal të cilët ishin  grumbulluar, mbledhur së bashku për të mbrojtur komunitetin e tyre dhe dikush nga jashtë po përpiqej që t’i ndihmojë ata që të merrnin armë”, pati thënë Clark.