Kampion i Maqedonisë së Veriut në futboll sërish do të jetë njëri prej klubeve shqiptare. Dhe me shumë mundësi në edicionin e ardhshëm garues, si asnjëherë më parë, gjysma e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut do të jetë e përbërë nga ekipet shqiptare.
Strugës, Shkupit, Shkëndijës, Gostivarit dhe Voska Sportit në edicionin e ardhshëm do t’u bashkohet Besa e Dobërdollit. Besa tashmë ka siguruar kalimin nga Liga e Dytë në Ligën e Parë.
Që gjysma e 12 ekipeve të Ligës së Parë të jenë shqiptare, ka mbetur që Voska e Gostivari të sigurojnë mbetjen në elitën. Voska është e nënta me 34 pikë, pesë më shumë se Vardari i pozitës së dhjetë. Gostivari është i shtati me 37 pikë. Makedonija GP i ka 26 pikë në pozitën e parafundit (11), njëjtë sa Bregalnica e Shtipit, që është e fundit.
Besa është klub i themeluar në vitin 1976, por që ka luajtur në të shumtën e kohës në rangje të ulëta. Ndryshimi i madh në këtë klub ndodhi dhjetë vjet më parë.
“Është dashur shumë mund e angazhim për të arritur këtu. Nuk është sukses i arritur shpejt. Ka gati dhjetë vjet që mundohemi të bëjmë vend në ligën elitare. Nuk na ka besuar askush, nuk ka besuar askush që një ekip nga regjioni ynë do të kalojë në Ligën e Parë. Është sukses që shpresojmë do ta gëzojnë gjenerata të tëra”, ka thënë të hënën për KOHËN, Bujar Kadriji, kryetar i klubit, Besa Dobërdoll.
Sipas tij, qëllimi i Besës është të ndryshojë gjithë futbollin dhe sportin në Maqedoni të Veriut. Kadriji ka treguar se ata që investojnë në klubin Besa jetojnë jashtë Maqedonisë së Veriut. Ka thënë se është klub shqiptar, që shumicën e lojtarëve i ka shqiptarë.
“Emri Besa tregon shumë”, thotë Kadriji. Ai jeton në Kroaci në të shumtën e kohës, ndërsa kishte bërë karrierë në mundje, në stilin greko-romak.
Zijadin Tahiri së bashku me vëllain dhe babanë e tij janë investues të mëdhenj në klubin Besa, ndërsa Kadriji ka përmendur edhe Ferit Shabanin si person po ashtu shumë të rëndësishëm për ngritjen e Besës në elitë.
Prej lojtarëve, Kadriji ka përmendur dy prej legjendave të futbollit shqiptar në Maqedoni të Veriut, Izair Eminin e Armend Alimin, që kanë udhëhequr Besën drejt elitës.
“Kemi shkruar histori. Ka shumë vjet që synojmë ligën e parë dhe këtë e kemi arritur tashmë. E kemi ditur se do të duhen shumë vjet, për shkak të rrethanave, por nuk jemi ndalur. Dhe tani jemi në ligën elitare. Por këtu nuk përfundon asgjë. Ky nuk është qëllimi përfundimtar. Duam të stabilizohemi në ligën e parë dhe të paraqitemi edhe në garat evropiane”, thotë kryetari i Besës.
Bujar Kadriji ka premtuar se do të investohen miliona euro për ndërtimin e stadiumit modern. Nuk e ka përmendur lokacionin.
Ai e ka vlerësuar shumë lartë faktin që gjashtë skuadra shqiptare do të jenë në Ligën e Parë në edicionin e ardhshëm.
“Për shumë kohë kjo mund të jetë dukur vetëm ëndërr. Tashmë është realitet. Realitet i bukur natyrisht”, ka theksuar Kadridi.
Emrit me peshë të klubit, dobërdollasit mundohen t’i përmbahen plotësisht.
“Me të gjithë jemi maksimalisht korrekt. Atë që e premtojmë e realizojmë 100 për qind. Obligimet ndaj lojtarëve i kryejmë me kohë. Ata që lëndohen kanë trajtimin e duhur nga klubi. Tani jemi në Ligën e Parë dhe për Besën dinë shumë njerëz. Do të dinë edhe më shumë”, ka thënë Kadriji.
Gara për titull të kampionit në Maqedoninë e Veriut është shumë e fortë. Pas xhiros së 29-të, Struga e Shkupi i kanë nga 58 pikë. Shkëndija është e treta me 55 pikë. Konkurrent tjetër nuk ka. Sileksi i vendit të katërt i ka vetëm 41 pikë.
Gara e fortë do të nxjerrë kampion shqiptar. Maqedoninë e Veriut në Evropë sërish do ta përfaqësojnë kryesisht ekipet shqiptare. Nga viti i ardhshëm ndoshta edhe Besa e Dobërdollit.