Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Teatri i Mitrovicës, fole artistike ndër vite

Dritat ranë, pëshpëritjet e publikut u zëvendësuan me heshtjen, sytë u bënë katër drejt skenës dhe perdja e Teatrit filloi të hapej. Kjo ishte rutina artistike e Teatrit të Mitrovicës për vite me radhë, që nga shtatori i vitit 1941, atëherë kur u formua grupi i parë teatror e deri më sot.

I ndodhur pranë Ibrit, në mes të dy pjesëve të Mitrovicës, teatri “Muharrem Qena” vepron në kuadër të Shtëpisë së Kulturës “Rexhep Mitrovica” që nga viti 1984. Përzgjedhja e kësaj pike strategjike kishte ndodhur pikërisht për shkak të shfrytëzimit të saj nga dy popujt, shqiptarëve dhe serbëve.

Me një stil të veçantë ndërtimi mes kombinimit të harqeve e ngjyrave, ky teatër ka gjithsej 383 ulëse. Siç ndodhi me institucionet e tjera kulturore shqiptare, edhe ky teatër përjeton periudhën e errët të mbylljes nga viti 1956 deri më 1978. Por, dashuria për artin skenik triumfon më 1 shtator të vitit 1978, kur Teatri i Qytetit të Mitrovicës nisi punën me aktorë shqiptarë, nën ombrellën e emërtimit “Sandër Prosi” deri në vitin 2012.

Teatri i qytetit “Sandër Prosi” më 23 tetor të vitit 2007 kthehet në Teatër profesionist me pëlqim të Kuvendit Komunal dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ushtruesi i detyrës së Teatrit, Sabit Sheremeti, tregon se ishin të shumta temat të cilave aktorët e këtij rajoni i dhanë jetësim përmes paraqitjeve artistike.

Edhe “Provinca” në Mitrovicë godet politikën që e vonoi me fushatë EXPRESS “Provinca” në Mitrovicë godet politikën që e vonoi me fushatë

“Gjatë periudhës 1 shtator 1978 e deri në vitin 2012, Teatri i Qytetit inskenoi apo realizoi të plota 74 premiera, të gjitha me tekste origjinale me përjashtim të një teksti të përkthyer”, shprehet Sheremeti.

Ish-aktori e regjisori i cili sot është kryetar i Këshillit Drejtues të Teatrit, Halit Barani, thotë se qëllimi kryesor i tyre ka qenë gjallërimi i jetës kulturore, edhe atëherë kur e kanë rrezikuar veten.

Barani thotë se nuk kanë qenë të pakta rastet kur janë keqtrajtuar nga pushteti për shkak të shfaqjeve teatrore të cilat i realizonin.

“Në ’87-n kur ne e patëm shfaqur premierën ‘Dinosauri’ të Jusuf Buxhovit, i ndeznim disa flakadanë në skenë dhe me disa zingjir i luanim të burgosurit. E kemi harruar një shishe të birrës me naftë prapa, në 11 të natës pas tre dite të shfaqjes më kanë ardhur te shtëpia policia serbe dhe më kanë arrestuar e më kanë mbajtur deri në 3 të mëngjesit”, rrëfen Barani.

Tutje, ai tregon edhe për përballjen me problemet në formë kolektive.

“Duke u kthyer nga Prizreni na kanë ndalur në rrugë dhe na kanë nxjerrë nga minibusi të gjithë aktorëve, dy i kanë lidhur dhe i kanë shtrirë për toke. Na kanë bastisur dhe rrahur, na kanë keqtrajtuar fizikisht, pastaj kemi vazhduar rrugën prap. Por, ne për asnjë moment nuk i kemi ndërprerë aktivitetet tona kulturore, përkatësisht përgatitjet e shfaqjeve teatrore”, thotë Halit Barani.

Teatri “Sandër Prosi” është shpërblyer me 63 çmime të ndryshme në festivale vendore.

Në vitin 2012 ky Teatër profesionist shndërrohet në Teatër të Qytetit, teksa merr emërtimin “Muharrem Qena”.

Edhe “Nëpër ndërrime” godet korrupsionin në Teatrin e Mitrovicës me probleme Kulturë “Nëpër ndërrime” godet korrupsionin në Teatrin e Mitrovicës me probleme

Trupa rezidente është formuar më 1 tetor të vitit 2020, në përbërje nga aktorët Adem Zhitopotoku, Mirsad Ferati, Eshref Durmishi, Irena Aliu, Fisnik Ademi, Qēndresa Kajtazi, Artan Hetemi, Agan Asllani, Fatmir Haliti, Mehmet Preteni.

Ndër vite objekti i Teatrit ka pësuar ndryshime.

“Këto dy vitet e fundit, kemi riparuar disa punë të cilat kanë qenë aktive sikur ngjyrosja e dyshemesë, rregullimi i disa dritave. Kemi filluar rregullimin e zhveshtoreve, të cilat jemi duke i reparuar”, thotë u.d. drejtori i Teatrit “Muharrem Qena”.

Në anën tjetër, problemet rreth mirëfunksionimit të Teatrit nuk mungojnë.

“Specifika e parë që e konsiderojmë është që Teatri ta ketë ndërtesën e vet, do të na lehtësonte punën menaxhmentit dhe ekipit”, thotë Sabit Sheremeti.

Ai përmend edhe çështjen e buxhetit në raport me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Nga viti i kaluar problemi është te vijat buxhetore që i ndan Ministria e Financave dhe Kulturës, mjetet neve na dedikohen te subvencionet. Aty nuk kemi mallëra dhe shërbime, duhet të angazhosh një skenograf, kostumograf, e ai të sjellë paisjet e tjera. Në Teatër kemi nevojë edhe për gjërat elementare që përfshijnë një shumë prej 2-3 eurove, që në subvencione nuk ke si t’i paguash”, shton Sheremeti.

Edhe “Pikniku” në Mitrovicë rikthen absurditetin e luftës Shtojca për Kulturë “Pikniku” në Mitrovicë rikthen absurditetin e luftës

Zhveshtoret nuk përmbushin as kushtet elementare. Kabinat e meshkujve nuk janë funksionale e për pasojë zhveshtoret e femrave përdoren nga të dyja gjinitë.

Javët e fundit Teatri ka filluar të funksionojë me shitje të biletave me çmime simbolike. Që nga themelimi më 2012 e deri më sot, teatri “Muharrem Qena” ka shfaqur 21 premiera. “Duke pritur Godonë” dhe “Nëpër ndërrime” ishin premierat e këtij viti, teksa provat për premierën në ardhje “Mbledhje në Parlament” do të fillojnë gjatë prillit.