Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Nëpër ndërrime” godet korrupsionin në Teatrin e Mitrovicës me probleme

Në teatrin “Muharrem Qena” të Mitrovicës, “Nëpër ndërrime”, nën regji të Faik Gashit, vjen si një tallje me realitetin, nëpërmjet gënjeshtarëve, oportunistëve e shantazhuesve që bëjnë çkado për të marrë pozitë. Normat morale nuk vlejnë e krejt këta emërues të përbashkët kanë korrupsionin. Përderisa shfaqja nxjerr në pah telashet e shoqërisë, inskenimi shpërfaq edhe problemet e teatrit

Luani synon të bëhet drejtor i të gjitha drejtorive. Por, personazhi i shfaqjes “Nëpër ndërrime” nuk është i vetmi që synon këtë pozitë. Të gjithë brenda shfaqjes duan që në një mënyrë apo tjetrën të jenë drejtor i të gjitha drejtorive. Shantazhojnë, mashtrojnë e manipulojnë. Edhe personazhet që paraqiten si më të ndershmit në fillim të shfaqjes, ndërrojnë anë nga fundi i saj. “Nëpër ndërrime” me tekst të Rrahim Sadikut në regji të Faik Gashit flet me gjuhën e së tashmes si goditje ndaj realitetit. Premiera e saj u dha të mërkurën mbrëma në teatrin “Muharrem Qena” në Mitrovicë.

Regjisori Faik Gashi ka thënë se në këtë situatë pandemie publiku ka nevojë për të qeshur. Për këtë arsye, sipas tij, sjellja e një komedie ishte e mirëseardhur nga të gjithë.

“Mendoj se është një tekst aktual e që paraqet të metat e shoqërisë tonë, e paraqet thjesht korrupsionin. E patë se sa lufta, beteja bëhet për të arritur të një pozitë. Këta nuk janë personazhe të sinqertë, secili arrin të luftojë ose gënjejë njëri-tjetrin në mënyrë që të arrijë deri te një pozitë”, ka thënë ai. Ka treguar se mbetet për të parë nëse shfaqja do të lëvizë edhe nëpër teatro të tjerë.

Në shfaqjen “Nëpër ndërrime” luajnë gjashtë nga dhjetë aktorët që janë pjesë e ansamblit rezident të Teatrit. Ky institucion teatror, emrin e aktorit të shquar Muharrem Qena e mori në mars të 2019-s. U bë me ansambël rezident prej gushtit të vitit 2020.

Aktori Fisnik Ademi është ai që portretizoi Luanin e që postin mund t’ia marrë gruaja e tij, Valmira, që luhet nga Qëndresa Kajtazi. Ademi ka thënë se teatri gjithmonë e ka si mision që të përçojë një mesazh te shoqëria. E këtë, sipas tij, e shfrytëzon mirë edhe shfaqja "Nëpër ndërrime".

“Po besoj që duhet të jetë kështu. Më vjen shumë mirë që sonte ishte një numër i madh i shikuesve dhe unë i ftoj të gjithë që të vijnë dhe ta shohim përsëri shfaqjen, dhe më vjen mirë që publikun sonte kemi arritur që ta kënaqim me një komedi”, ka thënë ai.

Image

Aktori Mirsad Ferati, pjesë e ansamblit rezident, por që mbrëmjen e së mërkurës ishte në publik, ka thënë se është i lumtur që komedia u mirëprit mirë nga artdashësit.

“Numri i madh i pjesëmarrësve me gjithë masat dhe duartrokitjet e të qeshurat dëshmuan që është një shfaqje e lezetshme për publikun, që flet për një realitet të hidhur në të cilin jetojmë, por ky është misioni i kulturës, misioni i teatrit, të reagojë pasi që Teatri në një formë apo tjetrën gjithmonë do të mbetet që të jetë opozitë e së keqes”, ka thënë ai.

“Nëpër ndërrime” është premiera e dytë prejse teatri “Muharrem Qena” u bë me ansambël rezident. E para ishte “Thyerja” nën regji të Agim Selimit, që ishte dhënë në dhjetor të vitit të kaluar.

Sidoqoftë realizimi i shfaqjeve nuk po shkon pa problem e që reflektohen edhe në produksionet teatrore.

Sipas regjisorit Faik Gashi, teatri “Muharrem Qena” ka një ansambël serioz, por pritet të plotësohet edhe pjesa tjetër e stafit, që ekipi të jetë i kompletuar.

“Më e mira do të ishte që Teatri të kishte objektin e vet pasi që kanë filluar të kompletohen si staf. Në të ardhmen duhet të kenë edhe më shumë aktorë në mënyrë që regjisori të ketë mundësi të zgjedhë për shfaqje të caktuara”, ka thënë ai.

E, sipas aktorit Fisnik Ademi duhet investuar më shumë në teatro.

“Natyrisht jemi në fillim dhe po shpresojmë shumë që në muajt apo vitet e ardhshme të mobilizohet edhe ekipi tjetër që të jemi më kompaktë dhe të funksionojmë si ekip. Ne i dimë rrethanat dhe kushtet në të cilat po jetojmë. Natyrisht është shumë mirë që edhe njerëzit që janë kompetentë në politikë t’i shohin kushtet nëpër teatrot tona në Kosovë dhe të investojnë”, ka thënë ai.

Aktori Mirsad Ferati ka theksuar se teatri “Muharrem Qena” meriton të ketë objekt të vetin e jo të veprojë në Qendrën Kulturore “Rexhep Mitrovica”.

“Fillimisht si trupë jemi konsoliduar shumë shpejt dhe shumë mirë me njëri-tjetrin. Ne kemi pasur rast të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin në Teatrin e Mitrovicës, por edhe në teatrot e tjerë të Kosovës. Trupa si trupë funksionon si një trupë e vetme, si një shpirt. Sigurisht në të ardhëm e afërt shpresojmë që të kemi shtëpinë tonë”, ka thënë ai. Pavarësisht rrethanave, ka thënë se aktorët çdo herë përpiqen të sjellin role të mira.

“Përzgjedhja e teksteve i takon menaxhmetit, Këshillit drejtues dhe atyre që merren me politikat zhvillimore të këtij teatri. Çdoherë edhe nëpër fjalëkryqe thuhet se detyra e aktorit është roli. Në përpiqemi që të sjellim role të mira, personazhe të mira edhe vepra sa më të mira për audiencën”, ka thënë ai. Ka shtuar se çdoherë duan që të paraqiten me dinjitet, krenari e të sjellin çdoherë çmime.

Edhe drejtori i teatrit “Muharrem Qena”, Sabit Sheremeti, ka thënë se realizimi i shfaqjeve nuk po kalon pa probleme.

“Ka pak vështirësi, por në parim është mirë, sepse Teatri i Mitrovicës mund të krenohet se e ka një ansambël me aktorë të vjetër e që e kanë përvojë më shumë se tre vjet. Vështirësi, pasi që është themelimi, por kryesisht rreth kushteve. Pengesa e parë është që nuk kemi objekt tonin dhe aktivitet i zhvillojmë në Qendër të Kulturës. Salla po shihet se është sallë e filmit dhe jo sallë e shfaqjeve”, ka thënë ai.

Premiera e radhës e teatrit “Muharrem Qene” pritet të jepet në muajin prill. Bëhet fjalë për shfaqjen “Duke pritur Godonë” nën regji të Kushtrim Mehmetit.

Artikuj të ngjashëm