Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Pikniku” në Mitrovicë rikthen absurditetin e luftës

Skenë nga shfaqja “Pikniku” me tekst të Fernando Arrabal nën regji të Kushtrim Mehmetit, e dhënë premierë të premten më 12 qershor në teatrin “Muharrem Qena” në Mitrovicë

Skenë nga shfaqja “Pikniku” me tekst të Fernando Arrabal nën regji të Kushtrim Mehmetit, e dhënë premierë të premten më 12 qershor në teatrin “Muharrem Qena” në Mitrovicë

Në ditët kur situata në qytetin që ka dy administrata – një të jugut e një të veriut – dhe kur shënohet 27-vjetori i lirisë, krejt afër urës, në atë që është teatri i qytetit, “Muharrem Qena” është dhënë premiera e shfaqjes “Piknik” nën regji të Kushtrim Mehmetit. Është kontrapunkt i një historie lufte siç njerëzit janë të mësuar të dëgjojnë. S’ka aksione, heroizma, nacionalizma e “izma” të tjerë. Zhytet në absurditetin e luftës, nuk shkrep armë, por synon të godasë me ikje prej fushëbetejave

Në një mbrëmje qershori, përballëkalimet midis atyre që ecin nëpër urën mbi Ibër të Mitrovicës janë tejet të shpeshta. Qytetarët që kalojnë në pjesën më veriore të qytetit, apo ata që ia mësyjnë anasjelltas s’janë të paktë. Një ndër simbolet më të vrazhda të luftës së fundit në Kosovë, sikur ka njëfarë normaliteti. Matanë urës gjen numër të konsiderueshëm shqiptarësh.

Në dyqanet ku serbët ofrojnë shërbime, porosinë mund ta bësh në shqip, përgjigjen e merr në serbisht dhe paguan me cilën monedhë të duash, dinar a euro. Duket se kohëve të fundit është bërë njëfarë trendi që shqiptarët, jo veç ata të Mitrovicës, të kalojnë në anën tjetër. Patrullat e Policisë së Kosovës janë aty, siç ngjan edhe me karabinierët. Rreziku i vetëm janë qentë endacakë. Madje në dy raste karabinierët qetësojnë këto kafshë kur ua mësyjnë qytetarëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo urë përtej simbolikës është bërë pika ndarëse midis shqiptarëve dhe serbëve pas luftës së vitit 1998-1999, ku nga forcat serbe mbetën të vrarë mbi 10 mijë civilë shqiptarë. Veç pse ishin shqiptarë dhe që jetonin në shtëpitë e tyre. Pjesa e parë e qershorit 1999 solli lirinë pas intervenimit ushtarak të botës demokratike kundër ish-Jugosllavisë, shkaku i krimeve kundër njerëzimit që po bëheshin kundër shqiptarëve.

Në ditët kur situata në qytetin që ka dy administrata –  një të jugut e një të veriut – dhe kur shënohet 27-vjetori i lirisë, krejt afër urës, në atë që është teatri i qytetit, “Muharrem Qena” është dhënë premiera e shfaqjes “Piknik” nën regji të Kushtrim Mehmetit.

Posa hyhet në teatër merret vesh se bëhet fjalë për një shfaqje ku paraqitet lufta. Rrjetat e pozicioneve a mjeteve ushtarake janë të shtrira midis sallës. E në skenë, thasët e pozicioneve janë tregues i qartë se aty ka luftë. Maskat e bardha vijnë si shpirtra të humbur a ushtarë të habitur. Është drama e spanjollit Fernando Arrabal, “Piknik në fushë të betejës”. S’ka shkrepje armësh. Dhe, s’ka nevojë të ketë. Lufta mund të tregohet edhe pa pushkët që kërcasin “bam, bam”. Të shumtë janë ata që parafrazojnë Chekhovin se arma që hyn në teatër duhet të shkrepet. Por i ka dalë boja kësaj gjëje. Dhe “Piknik” me krejt kritikat që mund t'i bëhen e dëshmon se lufta mund të tregohet edhe pa kërcitje pushkësh.

Një të riu i shkojnë prindërit në istikame. Njëmend duket si piknik. Madje, ngjan sikur po lufton ajo që tash quhet “Gen Z”, megjithëse drama u takon viteve ‘50 të shekullit të kaluar. Është tamam piknik për prindërit, por edhe për vetë ushtarin. E këshillojnë të birin të ketë kujdes, të pastrohet, thua se e kanë dërguar që të jetë konviktor në ndonjë kampus universitar. Vepra hyn në teatrin e absurdit. Nganjëherë mund të duket edhe dramë e pakuptimtë. Por me skenografi të thjeshtë e lojë modeste, tregon se lufta është vetë absurdi. Gjatë piknikut të prindërve me të birin që është ushtar në front, ai zë rob një kundërshtar. E trajtojnë atë si mikun më të mirë. Duket diçka si ai Armëpushimi i Krishtlindjeve që ndodhi më 24–25 dhjetor 1914 në Frontin Perëndimor ku përballeshin trupat britanike dhe gjermane. Muhabetet në skenë janë njëmend absurde kur llogaritet se po bëhen në luftë. Por nëpërmjet tyre tregohet se vetë lufta është absurde.

Edhe kur “kërcasin” bombat –  efekt muzikor –  prindërit as që futen në istikame. Me skenografi të thjeshtë, me gjasë për të vënë theksin te njeriu në luftë, ose te fakti se ata të rinj as nuk e dinë se përse dikujt i është tekur për t’i dërguar në luftë, shfaqja nuk synon të magjepsë të pranishmit. Meqenëse regjisori është edhe udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, shfaqja tregon deri diku edhe botëkuptimin e tij mbi të bërit teatër. Pa fije patetizmi, aktorët me aq sa mund t’ia thonë, shpalosin qejfin për jetë e ëndrrat që ua mohon dhe ua rrezikon lufta. Shkaku i mungesës së aksionit luftarak nganjëherë sikur bëhet atmosferë pak e padurueshme, por krejt kjo i shkon për shtati teatrit absurd dhe luftës si absurditet. Me gjasë, regjisori s’ka pasur synim të stepë publikun me ndonjë hata, por të stimulojë absurditetin. Dhe, në këtë rrafsh ia ka dalë.

Fundi i dramës me aktorët: Mehmet Preteni, Fisnik Ademi, Irena Aliu, Agan Asllani e Qëndresa Kajtazi është tragjik dhe të pranishmëve u tregohet se lufta mori jetë të të rinjve që kurrë s’kanë pasur ambicie për të vrarë a për të zënë territor të tjetërkujt. Se ata janë viktima më e madhe e absurditetit të quajtur luftë. Shfaqja sikur është një kontrapunkt i një historie lufte siç njerëzit janë të mësuar të dëgjojnë. S’ka alamet aksione, heroizma, nacionalizma e “izma” të tjerë.

Në një vend që ka përjetuar luftën para 27 vjetësh, shfaqjet e tilla gjejnë hapësirë dhe duhet të gjejnë. Ideale do të ishte që një pjesë e atyre që kalojnë nëpër urën e Ibrit, të ndalen për një orë edhe në teatër, për të marrë një mesazh artistik për konfliktet e luftërat. Sidomos për qytetarët serbë që konsiderojnë se Serbisë i është bërë e padrejtë më 1999 kur NATO-ja mori përsipër bombardimin për të shpëtuar shqiptarët që po u mohohej e drejta natyrore për të jetuar. Nëse s’do të shihnin asgjë tjetër, do të merrnin vesh se shqiptarët nëpërmjet artit, s’po bëjnë thirrje për nacionalizma. Por edhe pse janë viktima po e paraqesin luftën si diçka absurde. Bash ashtu siç është. Dhe një shfaqje e tillë krejt afër një ure që është simbol i madh ndarjeje, ka peshë tjetër. Atë të thirrjes së dyfishtë për qytetari e jo për beteja absurde, pasi absurditeti duhet të lihet në kohën e vet, më 1999.