Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Leximi i sërishëm i urave

Rruga e pazakonshme e Pont d’Austerlitz në Mitrovicë: një urë që, pasi iu përcaktua fati i një kufiri, më në fund u pranua të ishte ajo që është — urë

1.

Polici i UNMIK-ut është oficer egjiptian. Policët e tjerë të UNMIK-ut e quajnë komandant dhe komandanti më shpjegon se nuk është i mundur kalimi nga pjesa jugore e Mitrovicës në pjesën veriore të qytetit nëpër urën kryesore.

Ura kryesore e ka emrin “Austerlitz”; kështu quhet në dokumentet e sigurisë së UNMIK-ut dhe në komunikimin gojor të policëve të UNMIK-ut, shtatë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Austerlitz është vendi në Çeki ku Napoleoni mundi forcat e bashkuara austriake dhe ruse. Në Paris, një stacion hekurudhor mban këtë emër: Gare d’Austerlitz. Në Kosovë, ushtarët francezë të KFOR-it e quajnë Pont d’Austerlitz.

Oficeri egjiptian ka problem me shqiptimin e këtij emri. Për të është thjesht ura nëpër të cilën nuk mund të kalojmë ne. E pyes nëse ura është e ndaluar për shqiptarët. Kjo pjesë e bisedës i del edhe më e ndërlikuar se emri napoleonik i urës. Më thotë se ka urdhër të mos lejojë qarkullimin e grupeve dhe të mallrave; jemi njëzet e ca veta që, në atë vit 2006, përpiqemi ta kuptojmë natyrën e urës.
Ura ka një cilësi të veçantë: shërben për të mos kaluar. Dhe, pikërisht duke penguar kalimin, shërben për rrëfim.

2.

Edhe Vuçiq: Do t’i shkruaj Ruttes për urën e Ibrit Arbëri Vuçiq: Do t’i shkruaj Ruttes për urën e Ibrit

Fundi i Perandorisë Otomane do të vërehej më së miri në urën metalike të Stambollit - ura vetë do të vdiste më 16 maj 1992 - e cila kishte shënuar fillimin e kohëve moderne. Ishte ndërtuar me precizion gjerman nga Vereinigte Maschinenfabrik Augsburg-Nürnberg. Kur zëvendësoi urat e drurit dhe lidhi pjesën aziatike të Stambollit me pjesën evropiane, paralajmëroi njëkohësisht kohën kur meshkujt turq do të ecnin pa turbanë, ndërsa femrat do të dilnin pa mbulesën e çarçafit.

Mbi atë urë, ditën kur u shkarkua nga froni, sulltani i fundit otoman u ndal nga një polic britanik dhe u dënua për shkelje trafiku, sepse kishte tejkaluar një veturë nga ana e gabuar. 

Pothuajse njëqind vjet më vonë, historiani holandez Geert Mak, në librin “Ura” (Harvill Secker, Londër, 2008), shënoi këtë dhe shumë anekdota të tjera. I mblodhi duke qëndruar në një urë tjetër të Stambollit, atë të betonit, për të regjistruar nëpërmjet saj shpirtin e një vendi dhe të kohëve. 

Librin fillova ta lexoja nën një urë tjetër, më 2008. Ura ishte në Frankfurt an der Oder dhe bashkonte dy pjesë që dikur kishin qenë një qytet. Kur ngjitesh shkallëve, kalon pranë postbllokut të vjetër kufitar, vazhdon drejt bregut tjetër të lumit dhe lexon shenjat e kohëve.

Postblloku kufitar i boshatisur nuk është i lashtë; i përket gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Një ditë, në fund të Luftës së Dytë Botërore, forcat sovjetike vendosën që ura që lidhte dy pjesët e qytetit të bëhej ura që do të lidhte dy shtete. Në anën tjetër të Frankfurt an der Oder do të lindte Słubice, qytet polak.

Kjo nuk shihet menjëherë në ndërtesat e vjetra që kanë mbijetuar. Ato janë ende pjesë e një qyteti që ka mbetur në histori. Ngjitur me to, mu në fund të urës, në anën tjetër shihen shenjat e fillimit të këtij shekulli: një ushqimore për gjermanët që përtojnë të hyjnë më thellë në tregun e Słubices për të blerë kërpudha mali dyfish më lirë se në anën gjermane; kioska alumini e xhami që shesin cigare, po ashtu dyfish më lirë; shpallja e madhe e floktarit që grave ua pret flokët për katër euro dhe ua ngjyros për shtatëmbëdhjetë; dy fast-food-e që kanë zëvendësuar dy ish-pastiçeri socialiste; një veturë me targa gjermane që, të dielën në mëngjes, bën xhiro nëpër pjesën polake duke shpallur me zë të lartë afinitetin e pronarit për tallavanë shqiptare të klasit të fundit.

“Në urë nuk krijon miqësi. Në urë do të vrojtosh dhe shohësh”, citon autori holandez një poezi të Sait Faikut.

Ajo që mund të shohësh në Słubice është se ura i ka shërbyer kohës. Kur duhej, kishte lidhur nevojën gjeografike të një qyteti të ndarë nga lumi. Kur duhej, kishte lidhur ndarjen e re politike mes Republikës Demokratike Gjermane dhe Polonisë Socialiste, e pastaj mes Gjermanisë së bashkuar dhe Polonisë demokratike. Kur duhej, kishte lidhur Perëndimin me Lindjen, Bashkimin Evropian me pjesën në lindje të tij.

Tash, kur Lindja është zhvendosur shumë më larg, ura lidh nevojën e qytetarit për të blerë kërpudha më lirë. Historia e madhe është tërhequr; ka mbetur përdorimi.

3.

Më 2015, prijësit e Kosovës dhe të Serbisë negociuan për urën Austerlitz sikur ajo të ndante Gjermaninë nga Polonia. Oficeri egjiptian dhe ushtarët francezë, UNMIK-u dhe KFOR-i, e kishin ruajtur natyrën e veçantë, pothuajse mistike, të urës. Duke mos shërbyer për kalim, ajo shërbeu si rrëfim i një ndarjeje të padakorduar.

Edhe Vuçiq thotë se ndërhyri që të mos lejohet hapja e Urës së Ibrit LAJMET E MBRËMJES Vuçiq thotë se ndërhyri që të mos lejohet hapja e Urës së Ibrit

Më 2015, prijësit e Kosovës dhe të Serbisë biseduan se si të mundësohej që disi dhe dikush të qarkullonte nëpër urë. Ajo, duke mos qenë urë, një ditë ishte gdhirë e mbuluar me beton e kamionë dheu, të sjellë për ta shndërruar në “Park të paqes”: hapësirë që do ta ndante bregun jugor, shqiptar, nga bregu verior, serb.

Bashkimi Evropian i lehtësoi bisedimet. Në to u legjitimua parimi se për bregun verior do të bisedonte Serbia, kurse për bregun jugor Kosova. Bashkimi Evropian u kujdes që të mos i shpëtonte asnjë hollësi e bisedimeve historike për urën që nuk ishte urë. Në dokumente shtesë përcaktoi pajtimin e kryeministrit të Kosovës dhe të presidentit të Serbisë se kur e si mund të vendoseshin rrethojat prej llamarine për fillimin e punimeve dhe çfarë lartësie - 60 centimetra, jo 80 apo më shumë - mund të ishte muri i rrethrrotullimit.

Ura që nuk ishte urë u bë temë negociatash ndërkombëtare. Bashkimi Evropian u mor me marrëveshjen bërthamore me Iranin, me ruajtjen e armëpushimit në Ukrainë e më pas me luftën pushtuese ruse, me sfidat në marrëdhëniet transatlantike, Lindjen e Mesme, garën teknologjike dhe - natyrisht - me urën që nuk ishte urë.

4.

Ura që nuk ishte urë duhej të bëhej kufi.

Presidenti i Serbisë zhvilloi negociata me homologun e Kosovës, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, vendosi të mos merrej më me rrethrrotullimin e urës që nuk ishte urë. Po të pyeteshin ajo dhe dy presidentët negociatorë, pika e kontrollit e UNMIK-ut mbi urën Austerlitz do të bëhej kabina e parë ndërkufitare. Ndërhyrjet, në radhë të parë gjermane dhe britanike, e ndërprenë aventurën e shndërrimit të urës në kufi.

Më 2023, grupi paraushtarak i prirë nga Milan Radoiçiqi u përpoq të krijonte me zjarr një realitet të ri. Njëri prej vizatuesve të kufirit ishte granatahedhësi automatik M93. Me një armë të tillë, në përdorim të forcave të armatosura serbe, grupi paraushtarak mund të prodhonte zjarr të dendur. Zjarri i përqendruar drejt jugut do të duhej të shërbente si argument për krijimin e një zone tampon ushtarake, për “ndarjen e palëve ndërluftuese” dhe, më vonë, për ndarje territoriale e politike.

Ura nuk u bë kufi, sepse në Kosovë më nuk kishte kush ta pranonte kufirin si premisë. Në bregun verior filluan të funksiononin të njëjtat institucione si në atë jugor. Për të kaluar në bregun verior u ndërtuan edhe ura të tjera. Krahas urave që janë ura, një urë që nuk është urë duket si anomali.
Bashkimi Evropian, përkundër kapacitetit të dëshmuar për shpikje diplomatike, e kishte të vështirë të gjejë një shpjegim bindës pse një urë duhet të vazhdojë të mos jetë urë.

5.

Në urat që janë ura, shpirtrat zbulues si Geert Mak shënojnë rrëfimet e njerëzve që kalojnë nga njëri breg në tjetrin dhe shndërrohen në histori.

Mak do të rrinte me një shitës ombrellash që donte ta padiste shtetin britanik, sepse nuk e kishte lejuar të hynte në Heathrow pa vizë britanike, ndonëse ai kishte marrë para borxh për të paguar biletën e avionit; me një rojtar të nevojtores së femrave - i pafat, sepse në atë të meshkujve bakshishi ishte më i mirë; me një shitës librash që në shtëpi ruante poezi të Majakovskit dhe romane të Hamsunit, bashkë me njëzet mijë rripa plastikë pantallonash me vizatimin e një qeni, të blerë lirë dhe që priste t’i shiste një ditë të bukur; me një çift që ishte dashuruar në Spanjë dhe dilte për të peshkuar; si dhe me njerëz të tjerë që, nga vitet tetëdhjetë dhe fillimi i krizës ekonomike në Turqi, ishin tërhequr prej fshatit drejt metropolit. 

Edhe Vuçiq: Ndërhymë që të mos lejohet hapja e urës mbi Ibër Arbëri Vuçiq: Ndërhymë që të mos lejohet hapja e urës mbi Ibër

Të gjithë ishin bashkëbisedues që kishin kaluar nga njëra pjesë e jetës në tjetrën - pjesë të ndërlidhura vetëm nga kjo urë. 

Dhe ky është leximi i sërishëm i urës së Mitrovicës: jo më si vijë që ndan dy brigje, por si vend ku njerëzit mund të kalojnë nga njëra pjesë e jetës në tjetrën. Kur ura pushon së barturi peshën e kufirit, mund të fillojë më në fund të bartë njerëz.