Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Kuvendi i Kosovës, “fabrikë” procedurash apo varr i vendimmarrjes?

Dilema që po më provokon tani, kur seancat e Kuvendi i Kosovës po mbahen pandalur por pa mundur të kenë një vendimmarrje adekuate e pa prezencën e opozitës, ka të bëjë me sintagmën që “meriton” t’i mvishet gjithë kësaj telenovele absurde! Ta identifikoj si “puç”, ashtu siç bëri lideri i PDK-së, z. Hamza, term ky për të cilin kam rezerva, apo si mungesë e “vullnetit” për kompromis, ashtu siç e quan Sir Bernard Crick*), që nënkupton një lloj deficiti të politikës si art i kompromisit?

Fjala “puç” nuk po më duket adekuate pér ta ilustruar mjerimin e Kuvendit, sepse në gjykimin tim sociologjik, përveç që nuk është e mjaftueshme për ta përmbledhur gjithë këtë smirë të akumuluar, gjithë këtë xhelozi frustruese e gjithë këtë “shizofreni” (po, po!?) të aktorëve tanë aktualë politikë, nuk është as etike e as morale! Po më duket që këtu kemi të bëjmë me një ritual e improvizim tejet djallëzor të mosveprimit të qëllimshëm, ku përmes një koreografie procedurash që po ripërsëriten po shpresohet me e “socializua”, me e adaptua po edhe me e bind qytetarinë kosovare, se gjendja bllokuese është një gjendje normaliteti!? Mirëpo, ky ritual i akomodimit e adaptimi me atmosferën bllokuese, po harrojmë që është kah na “delegon” pandalur edhe kah njé theqafje apo gremine me pasoja të një paralize që u prodhua artificialisht brenda vetë rregullave kushtetuese!

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dhe gjithë kjo lojë hipokrite, sadomazohiste e, do të shtoja, edhe perverse e partive politike, po na sinjalizon poashtu edhe një mesazh tjetër shtesë që është; se Kosova urgjentisht ka nevojë ta rishqyrtojë gjithë arkitekturën e Kushtetutës “ahtisariane”. E ajo çfarë po “nuhas” unë, VV-ja e ka përgaditur përgjigjen dhe besoj edhe projektin e shkërmoqjes së kësaj Kushtetute. E ajo përgjigje, e projekt, është ideja e “Republikës së tretë”, për të cilën kam paralajmëruar publikisht me një seri shkrimesh, por që “baballarët” e saj (Albin Kurti) ende nuk e kanë bërë publike. Ajo çka më çudit është se opozita nuk ka “prodhuar” ende alternativën e kësaj ngrehine që po mundohet të instalohet agresivisht përmes formave dhe metodave demokratike nga VV-ja. Në këte kontekst edhe riciklimin e seancave jam duke e parë nga kjo “dioptri” ngase në pamje të parë po shohim që institucionet tjera po funksionojnë në aspektin formal përmes mbledhjeve qeveritare, debateve në Kuvend, procedurave e vendimmarrjeve për borde, AGP-ja etj., por, në anën tjetër po tentohet me çdo kusht të kontestohen të njejtat!?

Pra, aktorët politikë nuk janë pasivë; përkundrazi, janë maksimalisht aktivë në mbrojtjen e pozicioneve të tyre, por po e refuzojnë kompromisin! Qëndrime e barrikadime këto diametralisht të kundërta, që sociologu anglez Bernard Crick i identifikon si mungesë të politikës si art i kompromisit, ku kompromisi shihet si humbje, jo si mjet i domosdoshëm për funksionimin demokratik.

Ky autor, me përvojën dhe teorinë e tij, dëshmon, midis tjerash, se politika si art nuk është as moralizim abstrakt dhe as luftë për dominim total, por, de facto dhe de jure, është aftësi dhe proces i ndërmjetësimit të interesave të ndryshme që ka një shoqëri plurale. Moment ky që, kur krahasohet me situatën aktuale në Kosovë, na del se dramatizimi i improvizuar nga subjektet aktuale politike themelet i ka jo aq te mungesa e interesave të ndryshme, sa te refuzimi sistematik për t’i negociuar ato.

Kosova, si një shoqëri tranzitive post-konfliktuale që “shoqërohet” normalisht me pluralizëm të brendshëm politik (të pranuar pa hamendje) dhe, paradoksalisht, një pluralizëm (të imponuar!) etnik, do të duhej të ishte ambienti ideal për zhvillimin e një kulture kompromisi. Por, në praktikë, politika ka rrëshqitur drejt një logjike zero-sum që nënkupton se çdo lëshim pe ndaj rivalit politik interpretohet ekskluzivisht si humbje dhe çdo kompromis si tradhti! Logjika e tillë “bardhë e zi”, që sipas Crick-ut, aty ku nuk ka kompromis, nuk ka as politikë, por vetëm përplasje të kamufluar si politikë, bie ndesh me sistemin dhe normat vlerore të politikës si art i së mundshmes dhe si “bankomat politik”.

Një nga përvojat interesante që mund të nxirret nga mendimi i këtij autori është se legjitimiteti i fituar politik në zgjedhje buron ekskluzivisht nga kapaciteti për të përfaqësuar dhe balancuar interesat e elektoratit, e jo nga pretendimi për të vë monopol moral mbi ta. Në Kosovë kemi ende subjekte politike, por edhe liderë politikë, që e ndërtojnë diskursin mbi superioritetin moral, duke e delegjitimuar kundërshtarin si të papranueshëm për kompromis! Dhe çfarë është më interesante, kjo “narrativë” e stigmatizimit dhe paragjykimit të rivalit politik nga subjekti që ka monopol të dëshmuar zgjedhor prodhon paradoksin tjetër, ku subjekti që pretendon për më shumë “pastërti” politike, aq më pak bëhet i aftë për të ushtruar politikë realiste e pragmatike.

Kriza e zgjedhjes së presidentit, ngërçet parlamentare dhe polarizimi ekstrem janë simptoma të kësaj patologjie politike që është instaluar qëllimshëm në diskursin tonë publik. Ku arena publike e Kuvendit, në vend që të funksionojë si aulë e negocimit, debateve dhe kompromiseve politike, është shndërruar në teatër bllokade. Kjo përputhet me një tjetër ide të Crick-ut, ku thotë: “…kur politika fillon të zëvendësohet me refuzim të kompromisit, sistemi rrëshqet drejt anti-politikës”. Dhe anti-politika, në gjykimin tim sociologjik, është shumë më e rrezikshme sesa vetë konflikti politik, sepse ajo e gërryen besimin e qytetarëve për demokraci dhe e rrit mosbesimin përmes polarizimit të skajshëm, ashtu siç po ndodh aktualisht prej gati dy vitesh në Kosovë.

Në këtë kontekst, rritja e diskursit anti-politik në Kosovë (“të gjithë janë njësoj”) nuk është thjesht “produkt” i ndonjë reagimi spontan qytetar, por është pasojë direkte e dështimit të elitave për të prodhuar kompromise funksionale.

Një dimension tjetër kritik në analizën e Crick-ut është kufizimi i pushtetit. Politika, sipas tij, ekziston vetëm aty ku asnjë aktor nuk ka fuqi absolute dhe ku të gjithë janë të detyruar të negociojnë me njëri-tjetrin. Në Kosovë, megjithëse ekzistojnë mekanizma formalë të balancës institucionale që i ka paraparë edhe Kushtetuta “ahtisariane”, praktika politike që synon dominim total qoftë përmes shumicave të brishta, qoftë përmes bllokadave strategjike, po e “pensionon” edhe këtë normë vlerore.

Ani pse përvoja jonë demokratike është e shkurtër, shihet sheshazi që Kosova nuk po vuan aq shumë nga mungesa e politikëbërjes, sa nga keqkuptimi i saj. Themi kështu sepse nocioni i politikës, pa asnjë dyshim, është reduktuar ekskluzivisht në luftë për legjitimitet moral dhe kontroll institucional, duke harruar dimensionin e saj thelbësor: negocimin racional ndërmjet interesave të ndryshme dhe menaxhimin e dallimeve klanore, grupore e ideologjike. Ndërkaq, Kuvendi në vend që të ishte një “fabrikë” procedurash, është shndërruar në varr vendimarrjesh…


*  Sir Bernard Crick (1929–2008) ishte një teoricien britanik i politikës, shkrimtar dhe intelektual publik, i njohur për mbrojtjen e politikës si një aktivitet thelbësor demokratik. Ai, me veprat e tij, ndikoi fuqishëm në studimet moderne politike dhe në mësimdhënien e qytetarisë në Mbretërinë e Bashkuar. Libri i tij më i rëndësishëm, The American Science of Politics (1959), u bë një udhëzues kryesor që kritikoi ashpër përpjekjet e liderëve karizmatikë për ta shndërruar politikën në një disiplinë thjesht shkencore. Fokusi i analizës së tij, që mund të ndërlidhet edhe me situatën e ngërçit në Kosovë, ka të bëjë me dukurinë e aktivizmit publik—normë dhe vlerë kjo që është kura më adekuate për të “shëruar” si ambiciet, ashtu edhe synimet arbitrare e autoritare të pretenduesve për të sunduar në mënyrë absolute në kushtet e një vendi demokratik. Sipas tij, instalimi i mekanizmit të debatit politik dhe i kompromisit mbetet themeli, alternativa dhe kulmimi i “zërit” dhe frymës së lirisë së shprehjes dhe mendimit politik.