Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama kritikon Qeverinë për rastin në autostradë, Kërçeli: Fokusohu në problemet e Prishtinës

rama kerceli

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pas aksidentit tragjik në autostradë dhe vendimit për ndarjen e 4.67 milionë eurove për largimin e dheut nga një segment i saj.

Përmes një reagimi publik, Rama tha se qytetarët po paguajnë çmimin “me jetë dhe me taksa”, duke akuzuar pushtetin qendror për neglizhencë dhe reagim të vonuar ndaj problemit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Për vite me radhë nuk u largua dheu nga autostrada, por sot gjenden miliona euro për kontrata. Plot 4.67 milionë euro për heqjen e dheut, pasi problemi është zvarritur pafund”, ka deklaruar Rama.

Ai ka kritikuar gjithashtu kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se Qeveria aktuale merret më shumë me propagandë sesa me zgjidhjen e problemeve konkrete të qytetarëve.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, i cili i ka bërë thirrje Ramës që të fokusohet në problemet e kryeqytetit.

“Para se të flasësh për makropolitika, pastroje Kryeqytetin nga mbeturinat. Para se të flasësh për makropolitika, sill autobusët e rinj që i ke premtuar për transportin urban”, ka shkruar Kërqeli.

Ai ka përmendur edhe çështjen e komunikacionit në Prishtinë, projektin e Rrugës A dhe investime të tjera komunale, duke vlerësuar se kryeqyteti po përballet me më shumë probleme dhe më pak rezultate konkrete.

Basha i reagon Ramës: Ministria nënshkroi kontrata për sanimin e plotë të skarpateve e jo “heqje dheu”

1 o. më parë / 15 qer 2026 18:28
basha

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se Ministria ka ndarë 4.67 milionë euro për heqjen e dheut në autostradë. 

Basha në një postim në Facebook ka thënë se Ministria sot ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpateve në autostradën “Ibrahim Rugova”. Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për heqje dheu, por për projekte për sanimin e plotë të skarpateve në tri segmente të autostradës.  

“Ministria sot ka njoftuar se ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në autostradën “Ibrahim Rugova”. Pra nuk bëhet fjalë për “heqje dheu”, siç po manipulon Kryetari Rama dhe siç është raportuar në disa portale, por për projekte të sanimit të plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës. Një ligësi tjetër është manipulimi me aksidentin që ndodhi gjatë vikendit. Siç është e njohur për publikun, autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Ne po presim raportin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore. Familjes të së ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Na vjen keq që, përveç dhimbjes që ka shkaktuar ky aksident, Kryetari Rama dhe disa të tjerë po përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga kjo tragjedi. Por nga mashtruesit dhe manipuluesit nuk pritet më shumë. Qytetarët i njohin mirë dhe këtë po e dëshmojnë me votë në çdo palë zgjedhje”, ka shkruar Basha. 

Ministria po të hënën ka njoftuar se pas përfundimit të procedurave dhe shqyrtimit të ankesave nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, të premten janë nënshkruar kontratat për realizimin e punimeve për sanimin e skarpateve në autostradën “Ibrahim Rugova. 

“Projekti përfshin ndërhyrje në tri lokacione të ndryshme përgjatë autoudhës: Loti 1 – Sanimi i rrëshqitjes në km 72.4, me vlerë 2,087,952.94 €; Loti 2 – Sanimi i rrëshqitjeve në km 69.1 dhe 63.4, me vlerë 1,187,080.09 €; Loti 3 – Sanimi i rrëshqitjes në km 44.0, me vlerë 1,398,964.85 €. Vlera totale e projektit arrin në 4,673,997.88 euro. Ky projekt adreson segmente që kanë kërkuar ndërhyrje të specializuara me qëllim të rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik dhe mbrojtjes së infrastrukturës rrugore. Sipas planifikimeve, mobilizimi i operatorëve 

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë, funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e rrjetit rrugor të Republikës së Kosovës, duke garantuar ndërhyrje të nevojshme në akset me rëndësi strategjike për vendin.