EXPRESS

Të mërkurën lansohet projekti i CDF-së për “zhvillimin gjithëpërfshirës ekonomik të Kosovës”

Të mërkurën do të lansohet projekti i Fondit për Zhvillimin Komunitar (CDF) “zhvillimi gjithëpërfshirës ekonomik i Kosovës”, me të cilin synohet fuqizimi dhe ringjallja e bizneseve në pronësi të grave dhe pakicave të goditura nga pandemia COVID-19.

Nermin Mahmut, drejtoresha e CDF-së, ka thënë se kanë identifikuar që bizneset në pronësi të grave dhe ato të komuniteteve pakicë kanë qenë më të goditura nga COVID-19 dhe sfidat e tjera. Përveç grantdhënies, ajo ka bërë të ditura se bizneset do të mund të përfitojnë një pako me shërbime të tjera.

“Këto lloj projekte kanë filluar prej vitit 2011. Në vitin 2014, kemi vazhduar me përkrahjen e USAID-it. Dhe tani prapë jemi kthyer në këtë fushë, përkrah fushave të tjera në të cilat jemi aktiv. Për ne është kënaqësi. Ajo çka është me të vërtetë e nevojshme të thuhet është sepse kemi identifikuar se bizneset të udhëhequra nga gratë dhe nga komuniteti pakicë, kanë qenë më të goditura nga COVID-19 dhe sfidat e tjera. Është një projekt i gjerë. Përveç grantdhënies, ka edhe asistencë teknike”, ka thënë ajo në “Express” të KTV-së.

Drejtuesi i këtij projekti, Artan Avdiu, ka theksuar se nga ky projekt pritet të përfitojnë 250 biznese.

“Do dizajnojmë projektet për këtë tragetgrup. Këto grupe në komunitete të biznesit janë më të ndikuara nga mospërkrahja e mjaftueshme e sistemit bankar dhe instrumenteve të tjera financave. Lansimi zyrtar pritet të bëhet nesër n ora 10:00. Do ta bëjmë lansimin në shtatë komuna të Kosovës. Do mundohemi t’i dalim ballë të gjitha kërkesave të bizneseve që aplikojnë”, shtoi Avdiu.

Projekti që mbështetet nga USAID-i pritet të kushtojë 5.7 milionë euro dhe do të zgjasë pesë vjet.