Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Disa OJQ kërkojnë që Buxheti 2026 t’i adresojë pengesat për punësimin e grave në Kosovë

Qeveria

Një koalicion i organizatave të shoqërisë civile i ka dërguar sot Qeverisë së Kosovës një deklaratë të përbashkët publike, duke kërkuar që Buxhetit i vitit 2026 dhe korniza e ardhshme afatmesme e shpenzimeve të adresojnë në mënyrë aktive nevojat e qytetarëve dhe pengesat që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.

Në deklaratë thuhet se buxheti i Kosovës duhet t’u dalë ndesh nevojave të ndryshme të grave dhe burrave. Koalicioni i organizatave joqeveritare u bën thirrje qeverisë qendrore dhe udhëheqjes komunale që të sigurojnë se çdo rishikim  i buxhetit për vitin 2026 dhe korniza afatmesme e shpenzimeve i përmbushin nevojat e ndryshme të të gjithë qytetarëve të Koosvës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas deklaratës, hulumtimet e fundit nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Caritasi Zviceran në Kosovë konfirmojnë se barrierat strukturore aktualisht i lënë 74% të grave jashtë tregut të punës. Ndërkohë që pjesëmarrja e burrave në fuqinë punëtore është rreth 60%, pjesëmarrja e grave qëndron vetëm në 26%, duke krijuar një mungesë të vetë-imponuar të fuqisë punëtore që pengon prosperitetin ekonomik të vendit.

Koalicioni u bën thirrje institucioneve që të kalojnë nga “zotimet në letër” në veprime konkrete, duke kërkuar investime në gjashtë fusha kryesore.

Në deklaratë kërkohet miratimi i një ligji të ri për punën, i cili do të përafrohej me Direktivën e BE-së për balancën punë-jetë dhe do të siguronte që shteti të mbulojë pagesën e pushimit të lehonisë, atësisë dhe lejes prindërore, si dhe të ofrojë më shumë të drejta për burrat në këtë drejtim.

Po ashtu, theksohet nevoja për investime në shërbimet e kujdesit për fëmijët, duke vlerësuar se mungesa e këtyre shërbimeve është një nga barrierat kryesore për punësimin e grave. Sipas deklaratës, investimi në një rrjet kombëtar të kujdesit dhe lehtësimi i pagesave të kopshteve mund të krijojë deri në 10.000 vende formale pune.

Në fokus vihet edhe sigurimi i transportit të qasshëm në zonat rurale, ku transporti publik jo i  besueshëm izolon gratë dhe kufizon qasjen e tyre në tregun e punës. Koalicioni kërkon nga komunat rishikimin e transportit publik dhe ofrimin e subvencioneve për linjat e transportit për punëtorët.  

Deklarata kërkon gjithashtu institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, duke theksuar se zbatimi i tij ka qenë i vonuar dhe se fondet aktuale për fuqizimin ekonomik të grave janë shumë të ulëta. Kërkohet ndryshimi i ligjeve përkatëse dhe forcimi i rolit të Zyrtarëve për Barazi Gjinore.

Po ashtu, kërkohet sigurimi i llogaridhënies në agjendën e reformave, duke theksuar se buxheti kombëtar prej 4 miliardë eurosh dhe Plani i Rritjes i BE-së prej 880 milionë eurosh duhet të përdoren për të nxitur barazinë gjinore, përmes treguesve të qartë dhe konsultimeve transparente me organizatat për të drejtat e grave.

Në fund, koalicioni shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet qendrore dhe komunale për përmirësimin e ligjeve dhe politikave relevante, si dhe për forcimin e kapaciteteve për buxhetim të përgjegjshëm gjinor, duke bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet politikëbërësve dhe shoqërisë civile për të sjellë zgjidhje dhe mundësi zhvillimi ekonomik për gratë dhe burrat në Kosovë.