EXPRESS

Opera sjell magjinë e "Flautit magjik"

Përrallë me plot emocione është rrëfimi i Paminës dhe Taminos. Është ajo histori që për kurorë mban një emër të fuqishëm të muzikës klasike siç është “Flauti Magjik” e Mozartit.

Përmbledhja e gjithë kësaj përralle është realitet i realizuar nga studentët nga Shqipëria, për të cilët Opera e Kosovës u bë nikoqire mbrëmjen e së enjtes së kaluar. Paraqitja e dytë e Operës së Kosovës si institucion i themeluar në verën e vitit 2021 solli me mjeshtëri “Flautin Magjik” të Mozartit në dy akte, në bashkëpunim me produksionin artistik “Dragoi Blu” të Tiranës, me pjesëmarrjen e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e të Ansamblit Popullor, si dhe solistëve të rinj që janë studentë në Universitetin e Arteve të Tiranës.

Ndonëse është vetëm paraqitja e dytë e Operës, ajo po pëlqehet dhe vlerësohet.

“Edhe opera e ka fituar menjëherë publikun. Ky është aktiviteti i dytë si inskenim i një shfaqje operistike dhe ishte shumë mirë. Nuk dyshoj që të tjerat do të jenë shumë më të mira. Punojmë për atë objektin që ky publik do ta përjetojë një shfaqje operistike, ashtu siç e përjetojnë kolegët e tyre në të gjithë botën”, deklaroi Meriton Ferizi.

Mungesa e një hapësire adekuate për të mbajtur shfaqjet e tyre po bën që Opera e Kosovës të bredhë në objekte të ndryshme që nuk janë të dedikuara për to. Përkundër kësaj ata po vazhdojnë të punojnë përderisa premiera e dytë është dhënë në “Klan Arena”.

“E provuam pas palestrës së sporteve. Për fat po ndërtohen edhe objektet që mund t’i shfrytëzojmë dhe adaptojmë. Jemi pajtuar tashmë ka filluar procesi për ndërtim edhe nga trualli që është ndarë për ndërtesën e operës dhe baletit. Derisa të kryhet ajo ne jemi të obliguar dhe detyruar që kudo që të gjejmë vende të mira, qoftë edhe të trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm në kryeqytet por edhe në vende të tjera, të hulumtojmë dhe të mbajmë aktivitete edhe verës në ambiente të hapura. Kështu që nuk do të ndalemi me aktivitete gjatë vitit, qoftë brenda, qoftë jashtë, do të gjejmë vende dhe hapësira që të ofrojmë aktivitete të mira për publikun tonë të mrekullueshëm”.

Të 30 instrumentistë e kanë gjetur harmoninë me veprën e njohur. E gjithë kjo nën dirigjimin e Dritan Lumshit, qe ajo që pasuroi Operën e Kosovës duke e shënuar këtë paraqitje të dytën pas “La Traviatas” madhore të Verdit në dhjetorin e vitit të kaluar, në sallën “1 Tetori” nën regji të bullgarit, Ognian Draganoff

“Unë në Kosovë kam qenë edhe herë të tjera, por si profesionist është hera e parë. Me profesionin është hera e parë. Ka një të veçantë kjo performancë sepse është një opera në radhë të parë. Paradite kemi bërë një shfaqje për shkollat që ne jemi në kuadër të edukimit të fëmijëve me artin e operës, si ti tërheqim drejt operës. Pasdite bëmë një shfaqje edhe për publikun dhe të gjithë solistët janë studentë. Kanë bërë një punë të jashtëzakonshme sepse opera dhe zhanri operistik është i vështirë. Është si një teatër, por i muzikuar”.

Kjo paraqitje qe një mundësi edhe për solistët që synojnë karrierë në botët e operës.

“Ishte një mundësi shumë e mirë që na u dha neve, sepse jo gjithkujt mund t’i vijë kjo mundësi. “Flautin Magjik” e duam shumë si vepër. E shijojmë kur e interpretojmë së bashku në skenë”, tha Kejsi Haxhija.

“Ne që jemi student akoma, që tani diplomojmë në vitin e dytë master, është një eksperiencë shumë e mirë që na kanë përzgjedhur disa nga studentet e Akademisë së Arteve dhe disa nga Opera dhe Baleti. Është eksperiencë shumë e bukur për ne si fillim që jemi në hapat e parë”, përfundoi Erion Sheri.

“Flauti magjik” kulmoi me duartrokitjet e publikut dhe ky ka qenë konfirmimi që kanë marrë muzikantët për nivelin e interpretimit.

Opera e Kosovës qe kryefjala e së enjtes së kaluar. Në kuadër të programit EDU Opera promovoi librin e ilustruar me titull "Tingulli Magjik" nga autorja Abigejla Voshtina, në mënyrë që me të t’u ofrojnë fëmijëve informacione më të shumta për operën.