Dikur fagotistët numëroheshin në gishta, tash bëhen tok në ansambël, por prapë ky instrument frymor nuk zë vendin që i takon. Për këtë Ansambli i fagotistëve, koncertet i ka shndërruar edhe në mision për promovim. Dhe këtë e bën duke dëshmuar potencialin e tij, krahas mjeshtërisë se interpretimit të gjashtëshes. Po ashtu, janë zbërthyer edhe vepra komplekse, e aso që janë shkruar enkas për fagot si “Rush Hour 3” nga Lum Halabaku
Fagoti, jo fort popullor në Kosovë, ka qenë kryepersonazhi i koncertit në Fakultetin e Muzikës. Në ansambël janë bashkuar fagotistët, për të zbërthyer veprat nëpërmjet këtij instrumenti frymor, por edhe për ta promovuar atë. Është instrumenti që e kanë studiuar apo i kanë hyrë rrugës për ta zotëruar atë.
Kjo nuk është hera e parë që Ansambli i fagotistëve, i themeluar një vit më parë ka mbajtur koncert, mirëpo duket se përkushtimi dhe emocioni ndaj tij nuk ishin vjetërsuar aspak.
Vetëm njëra nga gjashtëshja e ansamblit është studente aktuale e këtij instrumenti. Të tjerët e kanë përvetësuar atë, teksa ua mësojnë të tjerëve. Gjithsesi ky bashkim i fagotistëve është një përpjekje që studentët e fagotistët e Kosovës të shtohen.
Të veshur në të zeza, interpretuesit i dhanë ngjyra sallës së koncerteve, ndërsa publikut një mbrëmje të veçantë.
Për profesorin Meriton Ferizi, popullarizimi i këtij instrumenti ka shkuar mirë deri tash, krahasuar me vitet qëkur ai është pjesë e Universitetit të Prishtinës.
Edhe
Mozaiku i “Flautit magjik” si terren mësimi, prove dhe përvoje skenike
“Si instrument i ri që ka filluar para pesëmbëdhjetë vjetësh që është hapur më së pari si Degë në Prishtinë, ka arritur mjaftueshëm. Këto koncerte të cilat i mbajnë, janë edhe si një lloj promovimi apo afirmimi i instrumentit që sa më shumë të rinj ta marrin këtë instrument deficitar, por edhe oboan, por edhe instrumentet e tjera. Edhe për publikun është interesant, sepse rrallë e shohin fagotin, janë të mësuar me piano, violonçel, flaut, klarinetë të cilat janë më të popullarizuara. Tash fagoti e ka marrë hovin e vet. Në shumë vende është i kyçur në ansamble. Ne do të vazhdojmë si ansambël edhe sivjet nëpër shumë salla, dhe do të mundohemi që edhe jashtë Kosovës si në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe trevat ku ka shqiptarë që të shkojmë edhe atje për të performuar”, ka thënë Ferizi, njëherësh ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, i emëruar në shtatorin e vitit 2021, themeluar po atë vit.
Për themelimin e Ansamblit të fagotistëve dhe mbajtjen e koncerteve të tilla, ai ka thënë se është mundësi e mirë që instrumentin ta shtyjnë përpara, prandaj ata po angazhohen që të jenë më të pranishëm në skenë.
Këto aktivitete, Ansambli i ka nisur qysh prej themelimit. Caku i parë qenë nxënësit e shkollave të muzikës.
“Vitin e kaluar e kemi mbajtur në tërë Kosovën në shkolla fillore dhe të mesme të muzikës që ta promovojmë instrumentin tonë, sepse asnjë shkollë e muzikës nuk ka fagotë. Kanë qenë dy shkolla në Gjakovë dhe në Prishtinë, po fatkeqësisht janë mbyllur. Tash i kemi të diplomuar, ku e kanë vendin në shtatë shkolla të mesme të muzikës, ku mund të punojnë dhe krijojnë kuadro, për shkak se çdo qytet në të ardhmen duhet ta ketë orkestrën e vet, qoftë frymore ose simfonike ose ansamble të ndryshme, ku fagoti zë vend në secilin ansambël”, ka thënë themeluesi i ansamblit.
Repertori i koncertit ka qenë me vepra të huaja e vendore dhe kjo ka dëshmuar se ka kompozime e aranzhmane edhe për këtë instrument. Në piano, fagotistët janë shoqëruar prej Melos Buzës.
Veprat nga kompozitorët vendorë të cilat u interpretuan, ishin: “Temë me variacione” nga Isak Shehu, “Vajzë e vogël” nga Simon Gjoni dhe “Rush Hour 3” nga Lum Halabaku, e cila është vepër dedikuar Ansamblit të fagotistëve. Ferizi e ka veçuar atë si të qëlluar dhe ka thënë se do të vazhdojë të jetë pjesë e programit të tyre.
“Duke pasur gjithmonë kujdes që në programe të fusim dhe afirmojmë edhe kompozitorët tanë, siç ishte sonte edhe një trio shumë e qëlluar dhe mirë e krijuar ekstra për ansamblin tonë nga kompozitori Lum Halabaku, të cilën edhe publiku e priti shumë mirë. Do të vazhdojmë ta kemi në program dhe do ta luajmë se edhe atraktive edhe ia ka qëlluar si vepër. Por edhe të tjerëve u bëjmë thirrje gjithmonë që çkado që keni, të na shkruani, sepse ne jemi gjithmonë jemi të gatshëm”, ka thënë profesori i fagotit.
Edhe
Opera sjell magjinë e "Flautit magjik"
“Solo de Concert” nga Charles Rene, për të vazhduar me “Una furtuva largrima” kompozuar nga Gaetano Donizetti, “Sonata në f-mol” nga Georg Philipp Telemann, e kapërcimi te vepra e James Hook “Trio”, “It Ain’t Necessarily So” nga George Gershwin, dhe “Sonatë për tre fagota” nga Daniel Speer, kanë dëshmuar edhe mjeshtërinë e fagotistëve për edhe potencialin e instrumentit.
Se fagoti nuk është një instrument shumë i përhapur në Kosovë, e dëshmon fakti se aktualisht në klasën e fagotit është vetëm një studente. Belinda Mehana është fagotiste edhe në Operën e Kosovës.
“Jam shumë e lumtur, sepse qysh në vitin e parë në fakultet jam bërë pjesë e ansamblit. Ishte ndjenjë jashtëzakonisht e mirë, sepse mora pjesë në duo ku interpretova bashkë me profesorin tim, që është një ëndërr e realizuar”, ka thënë Mehana.
Për këtë instrument, ajo ka thënë se është vetë karakteri i saj, andaj ka thënë se interpretimi në koncerte të tilla është një ndjenjë e jashtëzakonshme dhe privilegj.
Pjesë e Ansamblit të fagotistëve, i cili u themelua para një viti, janë edhe fagotistët që studimet për këtë instrument i përfunduan tash e sa kohë. Ky rikthim në vendin ku ata studiuan është përshkruar si ndjesi e veçantë.
Synimi i tyre është që ta përhapin praktikimin në këtë instrument frymor.
Edhe
Filharmonia merr pesë instrumentistë, tentimi i radhës për violonçelist
“Kam qenë student më 2014, më 2018 i kam përfunduar studimet. Është emocion të kthehemi këtu. Nganjëherë ka qenë mirë, nganjëherë luhatshëm, duke qenë se si student i ke edhe pjesët e mira e edhe të vështira. Gjithsesi është mirë”, ka thënë Ilir Imeri.
Dega e Fagotit në Fakultetin e Muzikës në Universitetin e Prishtinës është themeluar para 15 vjetësh.