Në format koncertal, “Flauti magjik” nuk ka synuar të zëvendësojë një produksion të plotë operistik, por të krijojë një hapësirë ku muzika e Mozartit shërben si terren mësimi, prove dhe përvoje skenike. Përmes këtij formati koncertal, opera është shfaqur si proces i hapur, ku zërat e rinj kanë pasur mundësinë ta provojnë veten përpara publikut. Nën drejtimin e dirigjentit dhe pianistit Peter Valentoviq është shënuar edhe ngjarja përmbyllëse e aktiviteteve të Operës së Kosovës për këtë vit kalendarik
Fryma e “Flautit magjik”, njëra nga veprat më të njohura dhe më të shumëkuptimshme të Wolfgang Amadeus Mozartit, ka ardhur në Prishtinë jo si një rrëfim i plotë skenik, por si një mozaik fragmentesh që ruajnë thelbin dramatik dhe muzikor të operës. Në format koncertal, pa dialogët e folur, por me ariet dhe ansamblet më përfaqësuese, vepra është sjellë si përvojë e përqendruar muzikore, ku vëmendja është zhvendosur te zëri, frazimi dhe energjia e interpretimit. Vetëm nën tingujt e një pianoje janë interpretuar të gjitha fragmentet.
Formati koncertal me fragmente nga “Die Zauberflöte (Flauti magjik)”, i mbajtur të martën mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ka shënuar edhe ngjarjen përmbyllëse të aktiviteteve të Operës së Kosovës për këtë vit kalendarik. Nën drejtimin e dirigjentit dhe pianistit Peter Valentoviq, zërat e rinj të Operës së Kosovës, së bashku me studentët e Klasës së Muzikës Kamerale të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, kanë ndërtuar një mbrëmje ku përvoja skenike dhe procesi pedagogjik janë ndërthurur në një tërësi të vetme.
E ndërtuar si një alegori e udhëtimit drejt dritës, “Flauti magjik” mbetet një nga operat ku bashkëjetojnë lehtësia dhe serioziteti, komikja dhe sublimja, loja dhe sprova. Tamino idealist, Papageno tokësor, Pamina e ndjeshme dhe Mbretëresha e Natës me dramatikën e saj ekstreme, krijojnë një univers ku muzika e Mozartit lëviz lirshëm mes emocioneve të kundërta. Pikërisht kjo strukturë e hapur e veprës e bën atë të funksionojë edhe në fragmente, duke e ruajtur qartësinë e mesazhit dhe fuqinë e arieve si forma të pavarura shprehjeje.
Valentoviq ka shpjeguar se përzgjedhja e fragmenteve ka ardhur si rezultat i një procesi praktik dhe bashkëpunues, duke u nisur nga pjesët që ishin tashmë të përgatitura dhe nga diskutimet me profesoreshën Besa Llugiqi për strukturën e programit. Pa dialogë dhe me disa arie të interpretuara nga më shumë se një këngëtar, koncerti ka krijuar hapësirë që secili interpretues të ketë përvojën e skenës.

“Kemi dashur t’i japim shansin secilit, andaj të gjithë 25 këngëtarët patën mundësinë të këndojnë, edhe nëse nuk kanë qenë akoma shumë të përgatitur. Është shumë e rëndësishme për ta që ta përjetojnë këtë eksperiencë”, ka thënë ai.
Procesi i punës ka qenë i përqendruar dhe intensiv. Me vetëm katër ditë prova, përfshirë edhe fundjavën, dirigjenti ka vlerësuar entuziazmin dhe përkushtimin e studentëve dhe solistëve të rinj.
“Kemi pasur katër ditë kohë për t’u përgatitur dhe ishte e mrekullueshme puna me studentët, sepse janë shumë entuziastë. Ishte punë intensive sepse kemi ushtruar edhe në fundjavë. Kanë studiuar çdo ditë dhe janë përmirësuar vazhdimisht. Mendoj se rezultati është shumë i mirë dhe se të gjithë janë të lumtur”, ka shtuar dirigjenti Valentoviq.
Në këtë bashkëpunim mes Operës së Kosovës dhe Fakultetit të Arteve, një rol të veçantë ka pasur edhe profesoresha e muzikës dhe sopranoja Besa Llugiqi, e cila ka theksuar se puna me studentët ka nisur më herët, përpara ardhjes së dirigjentit. Ajo e ka parë këtë projekt si një shembull të forcimit të lidhjeve institucionale dhe të ndërtimit gradual të një baze të qëndrueshme për zhvillimin e operës në Kosovë.
“Jam shumë e lumtur që të gjithë studentët dhe këngëtarët e operës janë bërë bashkë dhe i kanë lidhur forcat për ta mbështetur njëri-tjetrin, për ta krijuar këtë eksperiencë të mirë që besoj është një hap drejt ngritjes së një institucioni, një shtyllë e fortë për këtë institucion, me gjithë këto talente, me gjithë këtë përkushtim dhe dedikim që këta studentë kanë treguar sot. Jam shumë krenare me ta, shpresoj që kjo rrugë nuk do të ndalet dhe që këta gjithmonë ta kenë një mbështetje nga ana institucionale”, ka thënë Llugiqi për KOHËN.
Sipas saj, bashkimi i studentëve dhe këngëtarëve profesionistë në një skenë të përbashkët krijon jo vetëm përvojë artistike, por edhe ndjenjë mbështetjeje dhe vazhdimësie.
Dy aktet e operës kanë sjellë fragmente të ndjeshme. Prej aktit të parë është interpretuar hyrja operistike “Zu Hilfe! Zu Hilfe! Sonst bin ich verloren” nga Etrit Nura në rolin e Taminos, Rinea Vitija, Blenda Kelmendi dhe Adea Vllasaliu në rolet e tri zonjave. Ka pasuar kënga “Der Vogelfanger bin ich ja”, me interpretim të Elti Sadës në rol të Papagenos, duke sjellë pas saj edhe arien “Dies Bildnis ist bezaubernd schon” në zërin e Rizah Jahajt, duke luajtur rolin e Taminos. Recitativ dhe arie është sjellë nga Aurela Murtezaj, duke interpretuar “O zittre nicht, mein lieber Sohn” në rol të Mbretëreshës së Natës.

Kuinteti “Hm! Hm! Hm! Hm!” ka rikthyer në skenë Papagenon dhe Taminon, duke kënduar bashkë me tri zonjat që ishin në fillim të fragmenteve. Treshja Lorik Krasniqi, Shpëtim Mehmeti dhe Martina Lekaj ka sjellë interpretimin e pjesës “Du feines taubchen, nur herein!” në rolet e Monostatosit, Papagenos dhe Paminas respektivisht. Duet i ndjeshëm ka pasuar për interpretim të këngës “Bei mannern, welche liebe fuhlen” me Paminan dhe Papagenon, tani me interpretim të Elona Sadikut dhe Harris Bajraktarit, duke e mbyllur aktin e parë Rizah Jahaj në rol të Taminos.
Dimensioni skenik i mbrëmjes është reflektuar edhe në përjetimin e vetë interpretuesve, të cilët e kanë parë këtë format si një mundësi për t’u afruar me veprën e Mozartit pa barrën e një produksioni të plotë operistik.
Baritoni Harris Bajraktari ka thënë se interpretimi i Papagenos, edhe në formë fragmentesh, mbetet një përvojë e veçantë, duke e cilësuar këtë rol si një nga më të preferuarit e tij. Sipas tij, ndonëse formati koncertal nuk e përfshin veprën në tërësinë e saj dramatike, muzika dhe karakteri i personazhit ruajnë energjinë dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me publikun.
Ka veçuar gjithashtu bashkëpunimin me dirigjentin Peter Valentoviq, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që punojnë bashkë.
“Një ndjenjë jashtëzakonisht shumë e mirë, sidomos me Peter Valentoviqin që është njëri prej ndihmësve që na ka ndihmuar jo vetëm në këtë produksion të ‘Flautit magjik’, por ishte edhe në ‘Carmen’, ku kam kënduar edhe unë. Me pjesën tjetër të kastës po kalojmë shumë mirë dhe kalojmë gjithmonë mirë, sepse këta janë studentë shumica, me të cilët unë kam ndenjur dhe kemi kënduar bashkë edhe gjatë kohës kur unë isha në studime, kështu që është gjithmonë ndjenjë shumë e mirë”, ka thënë Bajraktari, i cili vazhdimësinë e këtyre projekteve e ka parë si një faktor që e lehtëson procesin artistik.
Akti i dytë ka nisur me kuintet. “Wie? Wie? Wie?” me Taminon, Papagenon dhe tri zonjat. Jahaj ka risjellë rolin e tij, mirëpo Papagenon tani e luan Shpëtim Mehmeti dhe përveç Adea Vllasaliut, rolet e dy zonjave të tjera vijnë nga Anjeza Begu dhe Altina Selmanaj. Arien “Alles fuhlt der liebe Freuden” e ka sjellë në rolin e Monostatosit, Lorik Krasniqi.
Aria më e famshme e kësaj opere, “Der holle Rache kocht in meinem Herzen” ka ardhur dy herë në rol të Mbretëreshës së Natës, me interpretime nga Egzona Hoxha dhe Bademe Krasniqi. Treshen e fëmijëve e kanë sjellë Teuta Morina, Dea Musliu dhe Syarta Mehmeti në interpretim të pjesës “Bald prangt, den Morgen zu verkunden” dhe pas saj, aria “Ach, ich fuhl’s, es ist verschwunden” është kënduar dy herë, nga Elona Alshiqi dhe Martina Lekaj. Arien në vazhdim, “Ein Madchen oder Weibchen” e ka sjellë Harris Bajraktari dhe pas interpretimit të dytë të tre fëmijëve me pjesën “Halt ein! O Papageno”, Bajraktari është rikthyer për interpretimin e fundit të operës, duetin e ndjeshëm “Papageno dhe Papagena” bashkë me Urta Hazirajn.
Sopranoja Haziraj ka folur për veçantinë e përfshirjes në këtë projekt, duke rikujtuar se “Flauti magjik” është një nga operat më të luajtura në repertorin botëror. Ajo ka theksuar se roli i Papagenas, të cilin e ka interpretuar në këtë format koncertal, mbetet një nga më të këndshmit.
“’Die Zauberflote’ është njëra nga operat më të luajtura në çdo teatër operistik. Këtë herë e kam luajtur rolin e Papagenas, që në njëfarë forme është zog dhe e shpreh dashurinë me Papagenon në pjesën e fundit të aktit të fundit. Me të vërtetë ka qenë dhe vazhdon të jetë njëri prej roleve më të lezetshme por njëkohësisht edhe shumë sfiduese”, ka thënë ajo.
Theksin e ka vënë edhe te rëndësia e bashkëpunimit me dirigjentë që punojnë drejtpërdrejt me artistët e rinj.
“Mendoj shumë që kemi nevojë për dirigjentë si Peter, të vijë në Kosovë dhe të punojë me secilin nga artistët e rinj dhe jo vetëm. Kemi punuar edhe në operën ‘Carmen’, e cila është luajtur po këtë vit, bashkëpunime të dyja të mrekullueshme dhe po shpresoj shumë që do të vijë prapë për të bashkëpunuar me secilin nga ne”, ka thënë Haziraj.
Koncerti nuk ka synuar të zëvendësojë një produksion të plotë operistik, por të krijojë një hapësirë ku muzika e Mozartit shërben si terren mësimi, prove dhe përvoje skenike. Përmes këtij formati koncertal, opera është shfaqur si proces i hapur, ku zërat e rinj kanë pasur mundësinë ta provojnë veten përpara publikut, ndërsa institucioni ka ndërtuar një moment bashkimi mes edukimit dhe praktikës profesionale.