Opera e Kosovës ka mbajtur gala-koncertin për festat e fundvitit. Arie operistike të kryeveprave botërore janë interpretuar nga solistë vendorë e të huaj. Koncerti ka ardhur si një lloj zëvendësimi i programit kur ishte paraparë “Goca e Kaçanikut”. E paraparë ta kishte premierën muajin e kaluar, u shty për në shkurt për shkak të rinovimeve në sallën e sporteve “1 Tetori”. Pos që u vu në skenën e një salle private, programi qe kontrasti i operës “La Traviata”, me të cilën institucioni debutoi. Ariet operistike nga kryeveprat e kompozitorëve Bizet, Puccini, Verdi, Mozzart e Bellini dhe jo vetëm, kanë qenë interpretime magjike e dëshmi se solistët kanë kapacitet. Por mungojnë kushtet. Madje edhe ato për prova
Koncerti i Operës së Kosovës ka qenë pasqyra e formimit të institucionit pa shtëpi. Pos që u vu në skenën e një salle private, programi qe kontrasti i operës “La Traviata”, me të cilën institucioni debutoi. Arie operistike nga kryeveprat botërore të kompozitorëve Bizet, Puccini, Verdi, Mozzart, Bellini dhe jo vetëm, kanë qenë interpretime magjike e dëshmi se solistët kanë kapacitet. Por mungojnë kushtet. Madje edhe ato për prova.
Edhe salla që konsiderohet me kushte më të përshtatshme se ato të zakonshme në periferi të kryeqytetit ka dëshmuar se një teatër opere është nevojë urgjente për institucionin. Opera “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit e paraparë të kishte premierën muajin e kaluar u shty për në shkurt, për shkak të rinovimeve në sallën e sporteve “1 Tetori”. Institucionet e tjera me formacione me të vogla se opera kanë të njëjtat telashe.
Tribuna e publikut ka qenë plot. Janë bërë përgatitje që publiku ta shijojë e ta përcjellë lojën e secilit në skenë.
Zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se do të vazhdojnë me aktivitete të tilla derisa të bëhet një zgjidhje me hapësirën për interpretim.
“’Goca e Kaçanikut’ është shtyrë për në muajin shkurt, që do të jetë aktivitet qendror i Pavarësisë së Kosovës. Salla nuk kemi ende dhe për një kohë të gjatë ndoshta nuk do të kemi derisa të fillojnë dhe kryhen edhe procedurat. Ne do të vazhdojmë kështu me salla kudo që ka në qytete të ndryshme. Nuk do të ngelemi as ne artistët, as publiku pa aktivitete”, ka thënë Ferizi.
Koncerti me program e interpretues të njëjtë është mbajtur edhe në Gjakovë, në shtëpinë e kulturës “Asim Vokshi”. Dy gala koncertet ishin debutim për instrumentistët, koristët dhe disa prej solistëve që ishin zgjedhur përkohshëm për operën “Goca e Kaçanikut”.
Ferizi ka thënë se me këto dy koncerte janë munduar të mbajnë në kontakt publikun me Operën.
“Në vend të ‘Gocës...’ që e kishim plan për muajin nëntor, vendosëm t’i mbajmë këto dy gala koncerte që të mos e lëmë thatë dhe pa angazhim të artistëve që i zgjodhëm edhe me audicion, koristët dhe instrumentistët. Kështu që Goca e Kaçanikut është shtyrë për në muajin shkurt, që do të jetë aktivitet qendror i Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi.
Ndonëse formacioni i përkohshëm i institucionit shtetëror të Operës u zgjerua përkohshëm, programi u bë përsëritje e saj që ngjante para funksionalizimit. Megjithatë, interpretimi i solistëve, Orkestrës dhe Korit të në sallën “AMC” në periferi të Prishtinës ka qenë madhështor në çdo pjesë.
Me t’u ngjitur në skenë dirigjenti Edon Ramadani ka dhënë shenjë që mbrëmja të filloj me tingujt e uverturës së famshme nga opera “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet. Pjesës që ka nisur si intro e koncertit i ka pasuar aria “O mio babbino caro” nga opera “Gianni Schicci” e italianit Giacomo Puccini që e ka interpretuar sopranoja Dioklea Hoxha. Ka qenë pjesë emocionuese, si hapje e lehtë në kontrast me instrumentalin paraprak.
Duet i lezetshëm, kryesisht harmonik dhe si rrëfim dashurie që sjell një copëz të produksionit të operës “Don Giovanni” ka qenë pjesa “La ci darem la mano”, e interpretuar nga sopranoja Lorika Ismajli dhe baritoni ukrainas Vitaliy Bilyy. Baritoni ukrainas ka interpretuar edhe arien “Votre toast...” nga opera “Carmen” të francezit Bizet.
Gesu Zefi ka interpretuar arien “Quando me n’vo” nga opera “La Boheme” të Puccinit. Delikat është dukur interpretimi i saj në pjesën për të cilën ka thënë se kërkon edhe paraqitje artistike. Vokali ka qenë me dridhje të theksuara dhe përcjellje të lehtë me muzikë.
“Unë them se programi ka qenë zgjedhje me katër duar, pasi ka qenë propozim imi dhe kërkim nga organizatorët që të ndërtojnë një program të posaçëm për ngjarjen e sontme. Unë jam soprano dramatike, aria që e kam interpretuar është lozonjare, por deri diku edhe e trishtë mund të them. Një arie që flet për dashuri dhe kërkon edhe pjesëmarrje fizike në skenë deri diku sepse është një formë feste në historinë e operës”, ka thënë sopranoja Zefi nga Shkodra.
Sopranoja polake, Marcelina Roman, me arien e famshme “Sempre Libera” nga “La Traviata” të Verdit është paraqitur për herë të parë me Operën e Kosovës. Derisa ajo interpretonte pjesën, një zë tenori vinte nga prapaskena. E dëgjonte me ëndje derisa pjesa e saj me vokal ka qenë kundërpërgjigjja.

Zërat e Operës së Kosovës janë bërë krejt bashkë në fund për ta përmbyllur magjishëm koncertin me arien “Libiamo ne’lieti calici” nga “La Traviata” e Puccinit (Foto: MKRS/Mrinë Godanca)
Polakja Roman është shprehur e nderuar dhe ka vlerësuar edhe programin.
“Është proces për të organizuar dhe bërë bashkë të gjitha pjesët. Kemi qenë ekip i madh për çfarë është dashur të ketë konsideratë për të gjitha opsionet. Për të gjithë ne ka qenë tejet emocionuese dhe mendoj se programi ka qenë i zgjedhur mirë dhe shumë interesant për publikun”, ka thënë ajo.
Mexosopranoja e njohur kosovare, Flaka Goranci, ka interpretuar arien “Mon coeur s’ouvre a ta voix” nga opera “Samson et Dalila” të francezit Camille Saint-Saes. Pjesa ka qenë kryesisht konstante dhe më emocionale.
Interpretim i fuqishëm ka qenë ai i tenorit Josif Gjipali në “Recondita armonia” nga opera “Tosca” dhe pjesën “Nessun dorma” nga opera “Turadot” të Giacomo Puccinit.
Kori i Operës është shfaqur në skenë për ta interpretuar “Coro degli zingari” nga opera “Il Trovatore” të Verdit. Ka qenë pjesë tejet harmonike ku ndërveprimi i Korit dhe Orkestrës tingëllon magjik.
Tingujt e flauteve dhe ata të pandërprerë e të lehtë të harkorëve i kanë paraprirë këndimit të mexosopranos Flaka Goranci në interpretimin e aries “Entr’Acte et Barcarolle” nga opera “Les contes d’Hoffmann”, që më pas shoqërohet vetëm nga ata të harpës. Në duet bashkohet sopranoja Gesu Zefi me zë mesatar. Është pjesë më e lehtë ku zërat bëhen një, por shpesh shkëputen. Zëri i sopranos e dominon atë ndërsa mexosopranoja mban ritmin.
Sopranoja Ardita Meni ka interpretuar pjesën “Ah! Non giunge” nga opera “La Sonnambula” e italianit Vincenzo Bellini. Intonacioni shkon duke u rritur derisa shpërthen me përfshirjen e Korit. Zëri i saj herë pas here është i dallueshëm, e prapë kthehet fuqishëm në rolin e solistes.
Lorika Ismajli është rikthyer e vetme në skenë me pjesën “Heia heia in den Bergen ist mein Heimatland” nga opera “Die Csardasfurstin”. Ka qenë tejet atraktive ku publiku është bashkuar në ritëm me duartrokitje. E solistja e ka shfrytëzuar krejt skenën me vallëzimin e saj.
Zërat e Operës së Kosovës janë bërë krejt bashkë në fund për ta përmbyllur magjishëm koncertin me arien “Libiamo ne’lieti calici” nga “La Traviata” e Puccinit. Disa prej tyre jetojnë e veprojnë jashtë vendit. Zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se disa prej tyre mund të ftohen për produksione të Operës.
“E kishim plan vjetor t’i ftojmë artistët tanë të Kosovës që jetojnë dhe veprojnë jashtë shtetit dhe disa artistë ndërkombëtarë të cilët erdhëm i mbajtën këto dy koncerte. Besoj se ndonjërin prej tyre do t’i ftojmë prapë me rolet e ardhshme që do t’i kemi për produksionet e ardhshme operistike”, ka thënë ai.
Sivjet Opera e Kosovës ka nisur programin me “Flautin Magjik” që ishte bashkëpunim me produksionin artistik “Dragoi Blu” të Tiranës, me pjesëmarrjen e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e të Ansamblit Popullor, si dhe solistëve të rinj që janë studentë në Universitetin e Arteve të Tiranës. Në mars të këtij viti ajo u dha premierë në një sallë private. Në korrik u inskenua opera “Lo Speziale” e Joseph Haydn në teatrin “Oda”.
Mungesa e një hapësire adekuate për të mbajtur shfaqjet e tyre ka bërë që Opera e Kosovës të bredhë në objekte të ndryshme që nuk janë të dedikuara për të. Megjithëkëtë, Ministria e Kulturës njofton se “programi i vitit 2024 premton të jetë ende më dinamik”.