Në premierën e dytë të shfaqjes operistike, Opera e Kosovës ka sjellë “Fyellin magjik” të Mozartit, një përrallë që gjen triumfin e dashurisë. Në bashkëpunim me interpretues nga Shqipëria, kjo shfaqje ia ka dëshmuar institucionit të ri operistik se publikun e ka gjetur tashmë
Përralla plot emocion e Paminës dhe Taminos e zhvendos publikun në një ambient magjik. Është ajo histori që për kurorë mban një emër të fuqishëm të muzikës klasike, siç është “Flauti magjik” nga Mozarti. Ajo nis e bëhet më e fuqishme kur historia e dy të rinjve gërshetohet me një pamje të pyllit dhe të mbretërisë. E arrin kulmin kur solistët e thyejnë interpretimin me dialogë. Flasin, aktrojnë, e nëpërmjet komunikimit mes vete komunikojnë me publikun.
Përmbledhja e gjithë kësaj përralle është realitet i realizuar nga studentët nga Shqipëria, për të cilët Opera e Kosovës u bë nikoqire mbrëmjen e së enjtes. Paraqitja e dytë me operë e institucionit të themeluar në verën e vitit 2021 solli me mjeshtëri dy aktet e operës së njohur në bashkëpunim me produksionin artistik “Dragoi Blu” të Tiranës, me pjesëmarrjen e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e të Ansamblit Popullor, si dhe solistëve të rinj, studentë në Universitetin e Arteve të Tiranës.
“Fyelli...” nis e vazhdon me një mister. E vetmja rrugë për ta zgjedhur atë është dashuria, e cila është aq e fuqishme në këtë vepër, aq sa lind në shikimin virtual përmes mediumit të vjetër të fotografisë në letër. Një dramë të tillë që kryefjalë ka dashurinë e për bazë nuk ka një rrugë të lehtë të bashkimit, zbutet kur mjeshtërisht nga solistet inkuadrohet toni komik, mbështjellë me personazhe të pyllit dhe mbretërisë. Janë këto dy skenat në të cilat zhvillohet ngjarja e të cilat shkrihen në njëra-tjetrën nga personazhet që enden sa në njërin, herë në tjetrin vend.
Pamina luajtur nga Kejsi Haxhija dhe Tamino, interpretuar prej Matias Xhelilit, ndonëse janë personazhet kryesore, nuk janë të vetmit që dallohen në këtë shfaqje. Është një personazh tjetër i saj që zë vendin e vet: Erion Sheri në rolin e Papagenos, ai që i jep frymë triumfit të dashurisë, teksa Taminos i qëndroi në krah për të shpëtuar Paminon. Vendosja e tij në një pozitë të tillë mund të ketë qenë një tjetër shtysë për t’u pëlqyer.
Opera e mbështjellë me tis përrallor është ajo që solistët i sjell në dimensione të ndryshme. Kapërcimet vokale janë të natyrshme edhe kur atyre u shtohen interpretimet teatrore. Është shfaqja që solistët i sfidon në shumë sfera dhe aspekte, pos me muzikë edhe me forma teatrale si dialogët të realizuar në gjuhë shqipe, sfida këto të kaluara tashmë nga studentët që qenë solistë të mbrëmjes. Inkuadrimi i gati 30 instrumentistëve ka pasur harmoninë si shenjë dalluese, nën dirigjimin e Dritan Lumshit.
“Fyelli magjik” ka ardhur si premierë e dytë e Operës së Kosovës, tre muaj pas “La Traviatas” madhështore të Verdit, në sallën “1 Tetori”, nën regji të bullgarit Ognian Draganoff.
Publiku edhe “Flautit...” ia dha madhështinë me duartrokitje.
“Edhe Opera e ka fituar menjëherë publikun. Ky është aktiviteti i dytë si inskenim i një shfaqjeje operistike dhe ishte shumë mirë. Nuk dyshoj që të tjerat do të jenë shumë më të mira. Punojmë për atë objektin që ky publik do ta përjetojë një shfaqje operistike ashtu siç e përjetojnë kolegët e tyre në të gjithë botën”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të Operës, Meriton Ferizi.
Mungesa e një hapësire adekuate për të mbajtur shfaqjet Opera e Kosovës bredh në objekte të ndryshme që nuk janë të dedikuara për shfaqje operistike. Kësaj radhe në “Klan Arena”.
“E provuam pas palestrës së sporteve. Për fat po ndërtohen edhe objektet që mund t’i shfrytëzojmë dhe adaptojmë. Jemi pajtuar tashmë që ka filluar procesi për ndërtim edhe nga trualli që është ndarë për ndërtesën e operës dhe baletit. Derisa të kryhet ajo ne jemi të obliguar dhe të detyruar që kudo që të gjejmë vende të mira, qoftë edhe të trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm në kryeqytet por edhe në vende të tjera, të hulumtojmë dhe të mbajmë aktivitete edhe verës në ambiente të hapura”, ka thënë Ferizi.
Për këtë vit premton edhe dy organizime të tjera, që më shumë sesa dy herët e para do të jetë prodhim vendor.
“Hapin e radhës me dy projektet që i kemi do të tentojmë t’i bëjmë me prodhimin tonë komplet. Pasi e patëm ‘La traviatan’ me Bullgarinë dhe, ‘Flautin magjik’ me Shqipërinë, në muajin korrik dhe nëntor do të kemi komplet ose shumicën me prodhim vendor ku aty do të fillojë edhe institucioni t’i marrë këmbët dhe të jetë më i përgatitur për aktivitetet e radhës”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit. Ka shtuar se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit me Shqipërinë, dhe artistët do të jenë shpesh të kombinuar për të arritur në një përsosje të asaj që quhet shfaqje operistike.

“Me Shqipërinë do t’i kemi gjithmonë, sepse i shfrytëzojmë për traditë, për kuadro. Edhe ne do të shkojmë atje të performojmë, sepse e kanë infrastrukturën. Kështu që gjithmonë do të kemi bashkëpunime qoftë me stafin teknik, artistik, regjisorët, dirigjentët, solistët”, ka thënë Ferizi.
Këtë bashkëpunim dhe shumë të tjerë që priten të bëhen i ka vlerësuar lart edhe dirigjenti i mbrëmjes, Dritan Lumshi.
“Ne e kemi nisur bashkëpunimin me Filharmoninë e Kosovës. Që në muajin tetor e realizuam ‘Requiemin’ e Verdit. Tani shumë shpejt ato do të vijnë në Tiranë. Do të realizojmë ‘Quattro pezzi sacri’ të Verdit. Unë drejtoj Korin e Teatrit të Operës së Tiranës. Bashkëpunimi me Korin e Filharmonisë ka filluar të bëhet akoma më i madh. Së shpejti ato do të jenë në Tiranë dhe për shumë aktivitete të tjera. Dhe të mos harrojmë se do të bëjmë edhe ‘Aidën’ bashkë, një produksion madhështor”, ka thënë Lumshi.
Për të “Flaut magjik” është më i veçantë kësaj radhe, ani pse jo pak herë ka dirigjuar këtë vepër.
“Në Kosovë kam qenë edhe herë të tjera, por si profesionist është hera e parë. Ka një të veçantë kjo performancë, sepse është një operë në radhë të parë. Paradite kemi bërë një shfaqje për shkollat që ne jemi në kuadër të edukimit të fëmijëve me artin e operës, si t’i tërheqim drejt operës. Pasdite bëmë një shfaqje edhe për publikun dhe të gjithë solistët janë studentë. Kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, sepse opera është zhanri më i vështirë operistik. Është si një teatër, por i muzikuar”, ka thënë ai.
Sipas tij “Flauti magjik” nga vetë fabula që ndjek opera gjëllin drejt virtyteve më të mira që duhet t’i ketë njeriu e parësori është dashuria.
“Ne mbi çdo gjë do të japim kulmimin tonë dhe performancën më sublime. Publiku i Kosovës mendoj që na e dha këtë dashuri, që besoj që e meritonin këta solistë që sapo performuan”, ka thënë ai.

Kjo paraqitje qe një mundësi edhe për solistët që synojnë karrierë në botën e operës.
“Ishte një mundësi shumë e mirë që na u dha, sepse jo gjithkujt mund t’i vijë kjo mundësi. ‘Flautin magjik’ e duam shumë si vepër. E shijojmë kur e interpretojmë së bashku në skenë”, ka thënë Kejsi Haxhija, që pati rolin kryesor në shfaqje, atë të princeshës Paminë. “Ne që jemi studentë akoma, që tani diplomojmë në vitin e dytë master, është një eksperiencë shumë e mirë që na kanë përzgjedhur disa nga studentet e Akademisë së Arteve dhe disa nga Opera dhe Baleti. Është eksperiencë shumë e bukur për ne si fillim që jemi në hapat e parë”, ka thënë Erion Sheri, Papageno në mbrëmje, njëkohësisht personazhi që u duartrokit gjatë nga publiku.
Në përgjithësi “Flauti magjik” kulmoi me duartrokitjet e publikut dhe ky ka qenë konfirmimi që kanë marrë artistët për nivelin e interpretimit.
“Sigurisht për çdo vepër që vihet në skenë e ka atë angazhimin e saj dhe duhet vërtet shumë impenjim, por që me rezultate dhe duartrokitjet e publikut kjo është kënaqësia që ne marrim”, ka thënë Viola Bakiasi, që ishte soliste në mbrëmje, Papagena në rol.
Pos premierës, në kuadër të programit “EDU Opera” u promovua edhe libri i ilustruar me titull “Tingulli magjik’ nga autorja Abigejla Voshtina, në mënyrë që me të t’u ofrojnë fëmijëve informacione më të shumta për operën.