Është ekspozitë për kujtesën kolektive. Por imazhet e kapura nga fotografi Afrim Hajrullahu shpalosin edhe forcën, dinjitetin e historinë e grave të Kosovës. Në luftë e në paqe, ripërtëritja e tyre është e zëshme. Fotografitë kësaj here nuk vijnë në korniza të varura në mur. Shikuesit i shfaqen në ekran, shoqëruar me narracion, si film me fotografi statike. Në ekranin në kinemanë “Armata”, dedikimi i projektit është bërë me dije se ka qenë për Emine Hajrullahun, nëna e fotografit, e cila vdiq më 2016 me një dëshirë të flaktë që rrethanat ia kishin pamundësuar
Ishin vitet ’90. Kulmi i dhunës e barbarisë dhe dekada historike e rezistencës. Në zymtësinë e përditshme, gruaja ishte përherë në luftë, si në betejë ashtu edhe jashtë saj. Nga dhënia e jetës së një qenie njerëzore, te sakrifica për familjen e deri tek aktivizmi në ballë të veprimtarisë kombëtare, pozita e gruas në shoqëri dhe rëndësia e saj vijnë në ekspozitën “Kosovarja” të Afrim Hajrullahut. Si dritare mbi realitetin e kësaj kohe jo të largët, për gruan e ndriçimin e saj në kohë të errëta.
Është ekspozitë për kujtesën kolektive. Por imazhet e kapura nga fotografi Hajrullahu shpalosin edhe forcën, dinjitetin e historinë e grave të Kosovës. Në luftë e në paqe, ripërtëritja e tyre është e zëshme.
Fotografitë kësaj here nuk vijnë në korniza të varura në mur. Shikuesit i shfaqen në ekran, shoqëruar me narracion, si film me fotografi statike. Në ekranin në kinemanë “Armata”, dedikimi i projektit është bërë me dije se ka qenë për Emine Hajrullahun, nëna e fotografit, e cila vdiq më 2016 me një dëshirë të flaktë që rrethanat ia kishin pamundësuar. Si shumë gra të asaj kohe, shkollimin e kishte ndjekur deri në klasën e katërt si rrjedhojë e frymës patriarkale që e ngufaste shoqërinë.
“Kosovarja” është homazh për jetën e saj dhe të tjera gra që në heshtje ndërtuan themelet e qëndresës së vendit, siç thotë autori në projektin e tij.

Fotografi amerikan Ron Haviv, i cili ka mbuluar më shumë se 25 luftëra e konflikte në mbi 100 vende, ka thënë se në këtë projekt u bëhet me dije gjeneratave të pasluftës se pse sot Kosova është, siç ka thënë, kaq e suksesshme.
“Është një prej rrëfimeve që fliten më së paku në botë, për botën e grave, se sa të rëndësishme janë dhe për sukseset e tyre në shoqëri. Ajo çfarë ka bërë fotografi është punë shumë e mençur, e realizuar mirë vizualisht dhe shumë e rëndësishme, sidomos për gjeneratën e pasluftës. Ata duhet të dinë se pse Kosova është kaq e suksesshme sot. Kjo mund të shihet në këtë film”, është shprehur ai.
Fotografia e një punonjëseje në maternitet tek mban një fëmijë të porsalindur e ilustron rrëfimin e tij për madhështinë e gruas. E peshën e përgjegjësisë, kujdesit dhe sakrificës nuk e matin bidonët e mëdhenj me ujë që gratë shihet të bartin nga një fshat në tjetrin, për të siguruar jetesën e familjes. Ato janë edhe në fushë duke siguruar ushqimin e familjes. Një pjesë e tyre janë gjithashtu duke thurur rroba jo veç për të veshur familjarët, por edhe për të mbajtur gjallë kulturën e trashëgiminë kombëtare.
Gratë e Rrafshit të Dukagjinit i prezanton si punëtore të veshjeve kombëtare dhe rrëfen se “punëdoret nuk ishin vetëm zanat, por edhe krenari”. Gratë janë edhe në fushë, edhe në tregje, edhe duke bërë punë burrash. Janë edhe në jetën e artit në vitet ’90.
Në kafene e në skena të improvizuara ato mundoheshin të krijonin lirinë e shprehjes, me gjithë kufizimet e kohës. Këngëtarja e ndjerë, Violeta Rexhepagiqi, është njëri prej zërave të kësaj epoke.
Pajtimi i gjaqeve është një rrëfim më vete kur bie fjala te pozita e gruas. Veprimtari Anton Çetta, jo sa për sy e faqe, i ftonte gratë e vajzat në odë burrash, aty ku merreshin vendime. Dhe përherë, në ngjarje të tilla, me të do të ishte një vajzë.

Këto imazhe, sipas fotografit Burim Myftiu, janë punë e mrekullueshme dhe unike e Afrim Hajrullahut.
“Përmbledhje e punës shumëvjeçare të Afrim Hajrullahut si krijues shumë serioz dhe krijues e fotograf, autor unik, i cili është i vetmi që ka fotografuar deportimin e popullatës nga shtëpitë në Prishtinë. Treni i tij i famshëm me njerëz të deportuar është publikuar nëpër të gjithë botën. Është një dëshmi e kohës dhe fotografia e tij pa dyshim që ka ndikuar të intervenojnë forcat aleate, duke parë një reprizë të Holokaustit të çifutëve në Berlin”, është shprehur fotografi Myftiu.
Rrëfimi i Hajrullahut bën me dije se në njërën prej fotografive ku shihen disa vajza shumë të reja para një objekti krejtësisht të shkatërruar janë bijat e dëshmorit Tahir Meha nga Drenica, të rritura në kushte ekstreme të këqija. Si dëshmi se prapa pushkës e lavdisë janë plagët e luftës që mbesin barrë e atyre që mbijetuan.
Një prej imazheve të fuqishme është një fotografi që shfaq gratë duke parakaluar në demonstrata përpara policisë serbe tek i vështrojnë ato me përbuzje e paragjykim. Në kohë lufte ato ngrinin zë kundër shtypjes etnike, pas luftës ato u bënë zëra për barazi e drejtësi.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se ekspozita është dokumentim e falënderim për angazhimin e grave për vendin.
“Sonte jemi këtu për ‘Kosovaren’, për një, jo vetëm dokumentim, por edhe vlerësim e falënderim të Afrimit për gratë ndër dekada, për kontributin e angazhimin për shoqërinë dhe për vendin tonë. Afrimi si gjithmonë është vetë i madh, vetë i jashtëzakonshëm, por flet shumë pak. Puna dhe çmimet e tij të mëdha ndërkombëtare flasin shumë për të, por ai gjithmonë e bën atë që di të bëjë më së miri, të vlerësojë tjetrin, e në këtë rast vlerësimi është për gratë”, ka thënë ai në skenën e kinemasë “Armata” para shfaqjes së projektit.
Çeku ka thënë se në këto fotografi është historia e vendit e treguar përmes grave.
“Besoj se çdo fotografi, çdo pamje, është përtej një imazhi. Është një histori e këtij vendi e treguar përmes grave që kanë qenë gjithmonë shtylla qendrore, shtylla kurrizore e këtij vendi, në ditë të mira e më pak të mira, në luftë e në paqe”, është shprehur ai më tej.
Ekspozita “Kosovarja” është shfaqur në ekranin e “Armatës” të enjten dhe të premten.