EXPRESS

“Miqtë për Diellzën” – për kurajë e vetëdijesim

Një pjesë e armatës së muzikës klasike në vend, shkathtësitë e përvojën i kanë transformuar në thirrje për ndërgjegjësim. Arti me vokal e me tingull ka qenë me të cilën miqtë e altos Diellza Sylejmani-Veseli i japin motiv drejt betejës së saj.

Mesazhet kanë qenë brenda repertorit me vepra emocionale. Sopranoja Besa Llugiqi u ka dhënë zë arieve operistike me interpretim delikat. Bashkë me Misbah Kaçamakun në piano e kanë thurur rrëfimin me mozaikun e operave botërore.

Poezia ka qenë medium tjetër në koncert. Aktorja Safete Rogova e ka sfiduar gjendjen emocionale me vargje. Me tinguj pianoje e ka ngjyrosur pikën e saj Andi Duraku.

I ndjeshëm ka qenë edhe interpretimi i Korit të Grave të Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. “E bukura more”, “Qenke veshur me të bardha” dhe “Trëndelinë” kanë ardhur në version më ndryshe se zakonisht. I janë përshtatur formatit të koncertit në gërshetim edhe me pikat e repertorit botëror.

Në interpretim të këngës “She weeps over rahoon” të amerikanit Eric Whitacre, në skenë është bashkuar edhe klarinetisti Shkumbin Bajraktari.

Në një pjesë të këngës “The Rose” të norvegjezit Ola Gjeilo, zëri i altos Diellza Sylejmani-Veseli është rikthyer në skenë. Së fundmi herë kur interpretoi përkrah Korit, qe koncerti përmbyllës i sezonit të Filharmonisë në qershor, kur u interpretua vepra “Messa da Requiem” e Verdit.

Ajo ka thënë se është ndier e nderuar me aktivitetin e organizuar për të. Për publikun, mesazhi i saj ka qenë i qartë.

“Mesazhi kryesor është t’i bëjmë kontrollat herët dhe me rregull, gjithashtu të jenë të forta sepse nuk mund të përballohet ndryshe kjo sëmundje. Duhet qenë pozitiv, të fortë dhe për të pasur kurajë”.

Altoja Elikona Hysaj, që ka interpretuar në kor, ka thënë se paraqitja në skenë ka qenë tejet emocionuese për ta.

“Ne të gjitha koleget jemi bërë bashkë për një mision, një mesazh më të fortë për Diellzën dhe shumë të tjerëve. Për ne me të vërtetë ka qenë pak e vështirë ta mbajmë vetëm gjatë interpretimit, por që kur e dimë për çfarë jemi mbledhur, ka qenë një forcë e brendshme që na mbajti në skenë. Gjithë ai emocion i brendshëm reflekton në zë dhe zëri është gjithmonë treguesi më i mirë për gjendjen emocionale”.

Këngëtarja Adelina Thaqi ka thënë se koncerti ka qenë dëshmi e përkrahjes nga artistët dhe publiku.

“Sot u pa një përkrahje e jashtëzakonshme prej miqve të saj, qofshin ata artistë apo edhe jashtë sferës së muzikës. Faleminderit kolegwve të mi, koncerti ka qenë i jashtëzakonshëm. Natyrisht programi pati përmbajtje të ndjeshme, me një mesazh, që tregon se sa ka mbështetje Diellza dhe jo vetëm për të, por ne duhet ta përkrahim sa më shumë njëri-tjetrin dhe t’u gjendemi kur ata kanë nevojë më së shumti. Unë besoj shumë në Diellzën sepse e njoh mirë, është karakter shumë i fortë”.

Ish-gazetarja e “Rilindjes”, Nezaqete Rugovci, e cila e ka fituar betejën me sëmundjen, ka vënë theksin në fuqinë e artit për të përcjellë mesazhe. Ka treguar edhe përjetimet e saj në kohën kur trajtohej dhe punonte njëkohësisht.

“Unë jam e mrekulluar me komunitetin e artit për solidarizimin dhe mbështetje që po i japin koleges së tyre. Mesazhin që përçon arti është mesazhi më i mirë të cilin mund ta prek një njeri i prekur nga kanceri. Edhe unë kam pasur përkrahjen e kolegëve të mi dhe me përkrahjen e tyre e kam përballuar shumë lehtë këtë sfidë. Kam punuar çdo ditë, edhe kur e kam marrë terapinë. Para dreke kam marrë terapinë, pas dreke kam qenë në punë”.

Kurajë për të vazhduar tutje dhe thirrjet për diagnostikim të hershëm kanë qenë kryefjalë e koncertit. “Miqtë për Diellzën” ka dëshmuar fuqinë e artit muzikor për të përcjellë mesazhe ndërgjegjësuese.