EXPRESS

Zërat harmonizohen me thirrjet për gruan

Në harmoni të kuruar mes muzikës dhe avokimit, Kori i Femrave i Filharmonisë së Kosovës, nën udhëheqjen e dirigjentit Hajrullah Syla, i ka sjellë audiencës artdashëse një koncert me plot mesazhe, si pjesë e fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve kumboi edhe një herë këtë fundvit, por kësaj radhe me repertorin e zgjedhur me finesë nga dirigjenti, ku mes tingujsh, u përçuan dhe vuajtje, histori të trishta, e mesazhe që përshkojnë fatin e gruas.

Para fillimit të koncertit, salla është mbërthyer nga emocionet e pritjes për një ngjarje të veçantë. Krahas programit të koncertit, për të pranishmit u dhuruan edhe pamflete që përkojnë me shkakun e ngjarjes të premten mbrëma.

Hajrullah Syla, dirigjent i Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se repertori i këtij koncerti është përzgjedhur me kujdes të madh, duke marrë parasysh natyrën e mbrëmjes teksa ka ndarë mesazhin e tij rreth për këtë kauzë.

“Ne si muzicientë mesazhin më të mirë e japim me performancat që bëjmë, andaj është e rrugës që thjesht ta respektojmë gjininë femërore dhe të kemi kujdes ndaj tyre”, ka thënë Syla.

“Shkoj e vij’ flutrim si zogu”, e përpunuar nga Fahri Beqiri, ka qenë e para këngë që shërbeu si hapje. Është kënga popullore si përkushtim për atributet e një gruaje dhe dhimbjes së madhe që shkakton mungesa e saj.

Duke e intensifikuar ndjeshmërinë e veprave të performuara, “She Weeps Over Rahoon” e Eric Whitacre me vargje drithëruese nga poetika brilante e James Joyceit rrëqeth që në notat e para. Të përcjella nga Andi Duraku në piano dhe Shkumbin Bajraktari në klarinetë kanë shënjuar këtë performancë me një efekt të magjishëm koral.

Kënga “Ain’t No Grave Can Hold My Body Down” theu natyrën e ndjeshme nga pjesët paraprake të luajtura duke sjellë një frymë “gospel” afro-amerikane. Teksti i saj paraqet bindjen se as vdekja nuk ka fuqi për ta mundur shpirtin njerëzor. Refreni i përsëritur, “Ain't no grave can hold my body down”, bëhet një brohoritje triumfuese e fitores mbi vdekjen krahas rrahjes së shuplakave si një intermezzo e shkurtër pas çdo refreni.

Ndërthurja e elementeve të muzikës gospel, bluesit dhe folkut, me një ritëm të vazhdueshëm dhe shumë aktiv, këngë shtoi energjinë në sallë.

Prurje unike në këtë repertor të veçantë ka qenë edhe kënga popullore bullgare e quajtur “Ergen Deda”, e cila solli me vete plot emocion nga zërat e Korit të Femrave të Filharmonisë së Kosovës dhe Patris Berishës në perkusione.

Fill pas atyre, programi vazhdoi tutje me “America” të Leonard Bernstein, e cila veçohet nga tempi më e gjallëruar, e cila përtej performancës vokale ofroi për të pranishmit një skenë mjuziklli, në të cilën ka edhe elemente teatrale.

Me performancë të arrirë të sopranos Fjolla Gashi dhe mexosopranos Dea Xhemaili ky akt u përmbyll me përfshirje të të gjitha vajzave të Korit.

Zgjedhja e dirigjentit për ta përmbyllur koncertin me një vepër grandioze i shërbeu mirë kauzës për të cilën ishin mbledhur duke kurorëzuar mbrëmjen me këngën “Song of the Universal” të kompozitorit norvegjez, Ola Gjeilo. Qysh në notat e para, audienca u ftua të përqafonte harmonitë e pasura të luajtura mjeshtërisht nga Kuarteti i Harqeve të Filharmonisë së Kosovës me katër instrumentistet Mërgime Sadiku në violinë të parë, Erlinda Gashi në violinë të dytë, Vesa Doli në violë dhe Fjolla Asllanaj në violonçel. E zërat e Korit kanë përqafuar butësisht vargjet e poezisë së Walt Whitman duke ofruar një përshtypje se përmes ndërthurjes së sopranove, mexosopranove e altove po krijohet një peizazh tingullor.

Sopranoja e Filharmonisë së Kosovës, Selvije Marteti, e emocionuar pas performancës u shpreh e përmbushur nga ky koncert.

“Ishte mrekullia vetë. Ishim të gjitha gra, nëna, motra. Shpresoj që edhe publiku të jetë i kënaqur nga performanca jonë”.

Krahas performancës kishte dhe një mesazh në kuadër të “16 ditëve të aktivizmit”.

Gjersa akordet e fundit po zhbëheshin në ajër, u rikujtua edhe një herë se ato shërbyen si një sfond i ndjeshëm për kauzën e rëndësishme të nderuar për këtë mbrëmje.