Me dinamikën e interpretimit, Filharmonia e Kosovës ka qenë në Gjakovë, ku është pritur nga një publik i madh në numër. Lëvizja e institucionit më të lartë të muzikës klasike në vend edhe në një tjetër qytet të Kosovës e dëshmoi potencialin e artistëve krahas interesimit të publikut.
Koncerti nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit, solli veprat e romantizmit të përkthyera mjeshtërisht nga secili instrumentist, e të përsosura deri në detaje.
Ky koncert u bë vetëm njëri që qe pjesë e platformës “Skena Iuvenis” nëpërmjet së cilës Filharmonia e Kosovës mbështet muzikantët e gjeneratës së re në zhvillimin e tyre profesional. Me talente të dëshmuara tashmë dhe me potencialin e lartë që treguan edhe në një tjetër paraqitje, Lirjona Sylejmani si dirigjente e Ardit Ibrahimi si solist, mbajtën nivelin e koncertit me program sfidues.
“Kur ka qenë e planifikuar për Gjakovë kam qenë shumë e lumtur. Kjo sepse me Gjakovën jam e lidhur shumë me shoqëri, madje edhe me shoqëri të familjes. Kështu që ka qenë shumë e mirëpritur nga ana ime me u mbajt në Gjakovë. Ka qenë shumë sfiduese për mu, për shkak që programi ishte i gjatë. Jam një dirigjente e re me shumë më pak përvojë për shkak të moshës. E kam pasur me shumë frikë nëse do të mund të qëndroj deri në fund, por si duket shkoi mirë”.
Të suksesshëm e ka përshkruar koncertin edhe klarinetisti Ardit Ibrahimi, i cili pati edhe përgjegjësinë e solistit.
“Aq sa ka qenë emocionuese ka qenë edhe sfiduese. Ka qenë një vepër shumë e vështirë. Por ja munduar që ta bëjë sa më mirë, ta jap maksimumin”.
“Normal ka qenë një ndjenjë krejt ndryshe. Në koncerte unë jam i angazhuar në Orkestrën Frymore. Por sot kam qenë si solist në Orkestrën Simfonike. Ka qenë një ndjenjë krejt tjetër, një ambient tjetër, njerëz tjerë dhe emocione tjera”.
Potencialet e artistëve të gjeneratave të reja tashmë po dëshmohen me koncertet që Filharmonia po organizon.
“Ajo që ishte më e rëndësishmja, solisti ynë, student shumë i talentuar, klarinetisti Ardit Ibrahimi, korri sukses. Ndër më të rëndësishmet për mbrëmjen e sotme ishte edhe dirigjentja jonë e re, e cila me këtë koncert i përfundoi studimet master. Ishte një program i vështirë. Aspak nuk është lehtë, mirëpo ajo u mbajt aq mirë, saqë po më bën të ndihem mirë që tashmë e kemi një dirigjente femër kaq të suksesshme”, deklaroi Venera Mehmetagaj-Kajtazi.
Me programin “Filharmonia në lëvizje” stacionet e radhës do të jenë Peja e Prizreni.