“Kjo shfaqje i dëmton seriozisht klishetë”, ishte mbishkrimi në posterin e shfaqjes “John Cage’s Hamlet” nën regji të Bekim Lumit, që ishte dhënë premierë në nëntor të vitit 2015. Gjashtë vjet më vonë, e tre pas vdekjes së regjisorit, shfaqja është dhënë si homazh për Lumin.
Bujar Ahmeti, Labinot Raci dhe Luan Durmishi bashkë me violonçelistin Adorel Haxhija kanë risjellë në skenë të njëjtën shfaqje deri në detaje. Është dhënë në kuadër të edicionit të sivjetmë të “Kosovo Theatre Showcase”.
Me sallën plotë në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës ata kanë sjellë versionin e Hamletit të Bekim Lumit. Përtej klisheve e me dekodimin e Shakespeareit.
Në një ambient jo fort të gjerë monologët e Hamletit thuhen krejt para publikut dhe mërzia e tij manifestohet edhe me këngë.
Kasta e aktorëve që luajnë në shfaqje kanë kujtuar kohën e provave e detajet për të cilat ishte kujdesur një prej regjisorëve më të njohur shqiptarë.
Nëpërmjet zërit të tenorit Luan Durmishi e vizionit të kompozitorit avandagardist John Cage, princi i Danimarkës ka arritur që pos gjendjes emocionale, të shpërfaqë edhe ushtimën që bart në kokë kur merr vesh për hilet e axhës së tij. Shfaqja është e punuar deri në finesat më të imëta, ashtu siç bënteBekium Lumi.