Preciziteti me të cilin ka punuar Bekim Lumi i bëjnë shfaqjet e tij jo vetëm testament shkolle teatrore, por edhe koordinata për rikthimin e shfaqjeve në skenë. Kësisoj ndodh edhe me “John Cage’s Hamlet”, e cila rivjen gjashtë vjet pas premierës e tri vjet pas vdekjes së Lumit. Edhe tash e arrin atë që synonte: të provokojë në radhë të parë veten, por edhe aktorët e muzikantët që t’ia sjellin publikut një Shakespeare e Hamlet tjetër
Bekim Lumi i ka pasur nervat e botës kur i ka hyrë një pune. Ka qenë në gjendje të merret gjatë me një detaj në mënyrë që të realizohet ashtu siç e kishte në kokë. Aktorët në shfaqjet e tij nuk e kanë përvetësuar vetëm rolin. Por është dashur ta jetojnë atë në skenë. Pos faktit se ia ka dalë t’i çojë deri në fund konceptet për shfaqjet e tij, provat e gjata që mbante kanë rezultuar edhe me një tjetër efekt: shfaqjet mund të kthehen në skenë vetëm nga aktorët ashtu siç janë luajtur në premiera.
E tillë është kthyer pas gjashtë vjetësh “John Cage’s Hamlet”. Të mërkurën mbrëma, publiku që ka mbushur Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë, ka parë shfaqjen që Lumi e kishte nxjerrë në skenë në nëntor të vitit 2015, pas një viti prova. Tre vjet pas vdekjes së regjisorit ai ka komunikuar me publikun nëpërmjet shfaqjes.
“Kjo shfaqje i dëmton seriozisht klishetë”, ishte mbishkrimi në posterin e shfaqjes më 2015 ku paralajmëroheshin të pranishmit se ajo çka do të shohin është goxha larg me atë që njihet si “Hamleti” tradicional. Pasi aktorët pozicionohen nëpër ato që duken sikurse kabina telefonike, violonçelisti Adorel Haxhija zë vendin e tij përballë atyre të cilët luajnë midis publikut që i rrethon nga të tria anët. E tragjedia e Williaam Shakespeareit frymon ndryshe menjëherë pasi nis performanca vizuale.
Bujar Ahmeti, Labinot Raci dhe Luan Durmishi pozicionohen para mikrofonave për të nisur aventurën skenike. Hamleti i Lumit është bashkëkohor. Këndon e vallëzon. Elementet shakesperiane bashkë me ato moderne e bëjnë atë që të jetë tejet i gjallë. Nëpërmjet zërit të tenorit Luan Durmishi e vizionit të kompozitorit avantgardist John Cage (1912-1992) Princi i Danimarkës (Bujar Ahmeti) ka arritur që pos gjendjes emocionale, të shpërfaqë edhe ushtimën që bart në kokë kur merr vesh për hilet e axhës së tij. Në një ambient jo fort të gjerë, monologët e Hamletit thuhen krejt para publikut dhe mërzia e tij manifestohet edhe me këngë. Lëvizjet e gjuha e trupit e zbërthejnë edhe më gjendjen shpirtërore të Hamletit. Krejt kjo i kishte marrë shumë kohë Lumit për shfaqjen që është kthyer në kuadër të edicionit të sivjetmë të “Kosovo Theatre Showcase”, si homazh për regjisorin.
“Ka ecur me hapat e breshkës si shfaqjet e mia eksperimentale që kërkojnë shumë kohë”, do të thoshte Lumi në nëntor të vitit 2015, në një intervistë për KTV-në. Sqaronte se esenca e asaj që bëhet në teatër është që Shakespeare dhe autorët e tjerë të transkriptohen në një tjetër mënyrë.

“Kjo ka qenë sfida ime më e madhe: të provokoj në radhë të parë veten, por edhe aktorët e muzikantët që t’ia sjellim publikut një Shakespeare e Hamlet tjetër. Të përpiqesh ta dekodosh Hamletin e Shakespeares është mane e madhe”, kishte thënë regjisori, i cili vdiq në korrikun e vitit 2018 në moshën 52-vjeçare. U vlerësua për reformimin e estetikës teatrore në Kosovë.
E fragment i rëndësishëm i estetikës së tij është edhe “John Cage’s Hamlet”. Gjatë karrierës, bashkëpunëtore e kishte edhe regjisoren e aktoren Meli Qena.
“Arti i teatrit është pak fatkeq pasi mund të shohim shfaqjen vetëm derisa ndodh. Por fati që këta djem janë të përpiktë dhe të përkushtuar në punën e tyre dhe e kanë kthyer shfaqjen e Bekimit, mu ashtu siç e ka bërë Bekimi me të gjitha detajet dhe finesat, i përgëzoj”, ka thënë ajo pas shfaqjes. Sipas saj, për shfaqjen duhet falënderuar edhe Bekim Lumi, i cili me punën e tij e ka lehtësuar kthimin e këtij projekti teatror.
Aktori Bujar Ahmeti ka thënë se Lumi e ka kryer punën e tij. Ka rrëfyer se ai u kishte thënë se pas premierës shfaqja është e aktorëve.
“Ndjesia ishte e jashtëzakonshme. Mu duk sikur e kemi luajtur për herë të fundit para një jave. Puna ka qenë e madhe. Besoj që e kemi bërë Bekën të ndihet krenar. E rëndësishme është që u kthye shfaqja, u kthye një pjesë e rëndësishme e Bekim Lumit”, ka thënë ai.
Tenori Luan Durmishi ka thënë se për të është tejet e vështirë të përshkruhet ndjesia e dhënies së shfaqjes pa praninë e Lumit.
“Ka qenë sfidë e madhe, sidomos për mua që Bekën e kam pasur mik të ngushtë për shumë vjet. Vonë e kam pranuar vdekjen e tij. Nuk e kemi pasur të lehtë asnjëri pasi e dimë se në çfarë procesi kemi kaluar, tepër të bukur e të gjatë”, ka thënë ai. Ka thënë se Lumi është një regjisor që Kosova nuk do ta ketë më. “Ndoshta dikur, pas disa shekujsh. Uroj që të paktën shfaqjet e tij të mos mbesin në arkivat e një ekrani, por të jepen prapë edhe jashtë Kosovës”, ka thënë ai. Lumi përgjatë karrierës si regjisor i pavarur kishte punuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në teatrin “Dodona”, si dhe kishte realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”. “Mësimi”, “Galani”, “Arushani dhe fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dilerat”, “Nana dhe fëmija” janë prej shfaqjeve të tij. E fundit të cilën e nxori në skenë pak ditë para vdekjes ishte “Arturo Ui”.
Midis teatrit konvencional dhe atij bashkëkohor, regjisori si gjithmonë kishte zgjedhur të dytin, gjë që ka bërë që edhe Hamleti të ndryshojë në përcjelljen e emocionit, edhe pse rrëfimi është i njëjtë.