Temat janë të shumta e të ndryshme. Sjellin në Prishtinë identitetet personale e të vendit. Aty janë kultura e historia, si një mozaik rrëfimesh që komunikon me veprat e artistëve lokalë. Universale duket gjuha artistike në edicionin e tetë të garës së artit global “Kosova Art”. Të premten, kur veprat janë prezantuar është shpallur edhe vepra fituese – “Being on your own and being for yourself” e artistes Majlinda Kelmendi.
Janë vepra moderne që përcjellin historitë e së kaluarës e të tashmen. Gërshetojnë edhe imagjinatën e realen. Prekin temat që e preokupojnë shoqërinë e sotme. E tillë është vepra fituese.
Vepra e Majlinda Kelmendit është me përmasat më të mëdha në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Gjashtëmbëdhjetë tablo janë bërë bashkë si copëza rrëfimesh. Siç ka treguar artistja, ka të bëjë me turbulencat e jetës.
“Është punuar në vitin 2023 dhe kam qenë shumë e ndjeshme mbi kohën dhe rrethanat në të cilat ne jemi duke jetuar, prandaj edhe titulli i saj dhe mënyra se si është trajtuar është “Qenia në vete dhe qenia për vete’. Kam dashur që nëpërmjet turbulencave, të paraqes humbjen e ekuilibrit shoqëror dhe familjar. Ne të gjithë po ballafaqohemi me këto dhe ka qenë një pjesë e mendimeve, ideve të mia dhe pastaj ka dalë në këtë punë”.
Vepra pa titull e Adem Rusinovcit ngjan në një lloj harmonie dhe kaos në të njëjtën kohë. Një lloj zone urbane të mbingarkuar me perspektivën që fokusohet në hapësirat e përbashkëta publike. Vepra ka fituar çmim special në “Kosova Art”. Njësoj edhe peizazhi unik i artistit Fehmi Hoxha.
“Landscape” si një vepër abstrakte në të njëjtën kohë krijon efektet e imazheve të bukurive të natyrës së paprekur. Artisti Hoxha ka thënë se ajo ka qenë vepra më e fundit që e ka punuar.
“Ka shumëçka më shumë në vepër. Kjo teknikë imja lejon që emocionet e mia të shprehen tamam në tablonë time, aty ku duhet. Është një peizazh abstrakt, por është tredimensional dhe këso peizazhe mund të gjinden ndoshta në kozmos, sepse këtu nuk ekzistojnë. Imagjinata ime është ajo që krijon peizazhe ndryshe në kuadër të artit pamor”.
Çmime speciale kanë marrë edhe “The Aliens” e Nehat Beqirit, e cila sjell objektin jashtëtokësor në hapësirën qiellore duke ateruar në një lloj vendbanimi malor. Njëjtë është vlerësuar edhe vepra e artistit turk, Orhan Cebrailoglu, pikturë abstrakte ku dominojnë ngjyrat e ftohta.
Juria vlerësuese ka qenë e përbërë nga artistët Safet Spahiu, Saimir Strati dhe Adriana Sedaj.
Spahiu ka thënë se veprat kanë ndërtuar një ekspozitë të nivelit të lartë.
“Është në nivel shumë të lartë, sa i përket shijes sime. Besoj se ka vepra shumë të mira, shumë fjalor figurativ, shumë ndërtime kompozicionale që më kanë lënë mbresa të mëdha. Në realitet ai që më shumë më lë përshtypje është identiteti i artistit i krijuar. Duke parë tablotë menjëherë identifikojmë artistët gjë që është gjë e kënaqshme për artin pamor”.
Në përgjithësi kanë qenë 40 artistë pjesëmarrës nga 15 shtete.
Organizatori e kuratori i ngjarjes Muhamet Ahmeti – Metis ka thënë se me këtë diversitet artistësh kanë parë avancim të vlerave artistike.
“Është kënaqësi e madhe të shohim artin e tyre dhe mendoj se ky manifestim kulturor ka bërë një jehonë mjaft të madhe duke avancuar çdoherë më shumë artin dhe duke arritur vlera më të mëdha”.
Naser Shatrolli, i cili e ka shkruar tekstin kuratorial, ka thënë se ekspozita është e para e këtij viti që e lidh Kosovën dhe e ndërkombëtarizon atë edhe në kuptimin e liberalizimit artistik.
“Sot krijuesit e Kosovës janë në majat e kësaj krijimtarie për faktin që Kosova ka pasur synim e vizion edhe në situata jashtëzakonisht të vështira, por e ka mbajtur synimin mbi supet e veta, kanë krijuar artistët edhe në rrethana të vështira edhe pak më të volitshme. Sot janë të barabartë me krijuesit e Kosovës. Kjo është diçka shumë e vlefshme, sidomos për brezat më të rinj që nuk kanë pasur mundësi të takohen me krijues të mëdhenj”.
Maide Demiri, nga zyra për media e “Kosova Art” ka vlerësuar cilësinë e veprave dhe artistët me karrierë të gjatë në skenë.
“Kjo është ekspozitë e vlerave më të mira që e përcjellin të gjithë artistët edhe pse pjesëmarrja e tyre është në numër të vogël, por për artistët tanë është numër i madh. Ka shumë shikueshmëri ekspozita, sepse veprat që janë të punuar prej artistëve më të mirë janë këtu”.
Gara “Kosova Art” kishte nisur në vitin 2011. Ishte zhvilluar nën temën “Anti-korrup...”. Fitues i atij edicioni ishte Naim Spahiu, ndërsa çmime speciale u ishin ndarë artistëve Gurela Bajrami-Breznica dhe Kujtim Aliu.