Renea Begolli, Shkamb Jaka dhe Arbesa Musa janë tre finalistët e çmimit tradicional “Artistët e së nesërmes” për sivjet, ka njoftuar të martën nëpërmjet një komunikate për media qendra për art bashkëkohor “Stacion”. Në njoftim është cituar deklarata e anëtarëve të jurisë, e cila ka shqyrtuar “11 aplikimet nga artistët që aplikuan në thirrjen e hapur të këtij viti dhe plotësuan kriteret e çmimit”.
“Vepra e Renea Begollit e shtyn pikturën përtej komoditetit të pëlhurës dhe e përdor atë për të hetuar tensionet midis botës njerëzore dhe asaj më shumë se njerëzore, që duket se janë qendrore në praktikën e saj. Shtresimi në veprën e saj duket se pyet se si mund të përkthehet qielli i së ardhmes në të tashmen? Cilat janë shtresat që eksplorimi tekniko-shkencor njerëzor përpiqet t'ia shtojë botës natyrore? A janë e ardhmja dhe territoret qiellore që mund të kontrollohen dhe përcaktohen nga njerëzit?”, shkruhet në përshkrimin që juria ia ka bërë veprës së Begollit.
Finalistin tjetër, Shkamb Jaka, juria e ka cilësuar “si artist që tregon një gjuhë piktoreske të pjekur dhe të zhvilluar, që është qartësisht e tija dhe që lundron i qetë mes disiplinave të ndryshme artistike”. “Ai ka një botë referimi shumë interesante, të ankoruar në fizikën kuantike, astrofizikën dhe metafizikën, dhe përpiqet të sigurojë përfaqësime të qëndrueshme për fenomenet që përshkruhen në to, duke ngritur pyetjen se çfarë është e përfaqësueshme dhe si”, shkruhet në arsyetim.
E Arbesa Musa, sipas jurisë, është një artiste multidisiplinare e diasporës kosovare, e cila e përdor kujtesën e përvojës së saj në Kosovë si burim kryesor për punën e saj. “Ajo përdor materialet e përditshme në mënyra delikate që lejojnë potencialin e tyre evokues dhe emocional të dalë përpara dhe të marrë përsipër”, ka shkruar juria në përbërje të Julieta Aranda, artiste, bashkëthemeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin,
Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë e Veriut, Agrina Vllasaliu, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes 2022”, me angazhim në Berlin dhe Prishtinë, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar me angazhim në New York e Stamboll dhe Driton Selmani, artist, Prishtinë. Treshja e finalistëve do të takohet me ekspozitën në nëntor përderisa fituesi shpallet në dhjetor. Fituesi do të shpërblehet me një program dymujor të qëndrimit artistik në New York, SHBA, në Residency Unlimited, në periudhën qershor/korrik 2024 dhe një ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2025.