Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Artistët e së nesërmes” në triptik për teknologjinë dhe identitetin

Derisa Shkamb Jaka dhe Renea Begolli me art ndajnë mendjet për teknologjinë, identiteti kombëtar është tjetër çështje që trajtohet nga artistja Arbesa Musa. Veprat e treshes finaliste për çmimin “Artistët e së nesërmes” janë bashkuar në ish-objektin e klubit të boksit “Prishtina” dhe nëpërmjet veprave të tyre hapen temat e urgjencave për çështje mjedisore, përderisa njëra i rreket venitjes së identitetit te gjenerata e re

Veprat që përfshijnë peizazhe e ngrenë urgjenca për natyrën janë produktet e finalistëve të garës “Artistët e së nesërmes” për edicionin e sivjetmë. Koncepti i teknologjisë projektohet në vepra arti. Janë dy anët e saj: mundësitë për të vizituar atë që po zhduket dhe ndikimi negativ në artificialitetin e dukurive natyrore. Pikërisht si fenomeni “cloud seeding” (mbjellja e reve). Derisa Shkamb Jaka dhe Renea Begolli me art ndajnë mendjet për teknologjinë, identiteti kombëtar është tjetër çështje që trajtohet nga artistja Arbesa Musa.

Të premten mbrëma janë prezantuar veprat e të tre finalistëve të garës në qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në ish-objektin e klubit të boksit “Prishtina”. Imazhi për fituesin tashmë ndahet midis tre artistëve me vepra që shtrihen midis realitetit dhe imagjinatës. Ngjarja i ndihmon ata të shpalosin veprat e tyre në shumë dimensione.

Artistja Renea Begolli nëpërmjet artit të saj të bazuar në një teknologji që po zhvillohet së fundmi ka shpërfaqur ndotjen kimike. Nëpërmjet veprës ajo edhe ngre pyetje për imazhin e peizazhit në të ardhmen. Artin e përdor për të shprehur shqetësimet që e preokupojnë.

Image
Artisti Shkamb Jaka shkon përtej reales. Publikun e zhvendos në ishull digjital

“Këto ngjarje janë shumë të rëndësishme, sepse nuk ka shumë mundësi të tilla, dhe vetëm procesi që kalon si artiste e re, nga aplikimi, përzgjedhja dhe i gjithë ndërtimi i ekspozitës, vetëm se të ndihmon më shumë, e të bën të krijosh pyetje për punën tënde në përgjithësi, e po ashtu edhe krijimit që bën, kështu që është goxha me rëndësi”, ka thënë artistja e re derisa ka theksuar edhe rëndësinë e ngjarjes për formimin e tyre artistik.

“Për mua ka qenë shumë interesante të kalosh në këtë proces, sepse e sheh veten duke u zhvilluar, e sheh se ku qëndron. Pra, në përgjithësi mendoj se ky proces është shumë i rëndësishëm për artistët e rinj që vetëm se e kanë fatin të jenë pjesë e tij”, është shprehur Begolli.

Edhe “Artistët e së nesërmes” shpërblen peizazhin e së ardhmes EXPRESS “Artistët e së nesërmes” shpërblen peizazhin e së ardhmes

Përderisa Renea Begolli shpërfaq realitetin që ndodh me formimin e reve në mënyrë artificiale nëpërmjet kimikateve për të shkaktuar reshje shiu a bore, artisti Shkamb Jaka shkon përtej reales. Ndonëse nuk është e tillë, mundohet ta manipulojë atë.

Jaka ka treguar se inspirimin për veprën e ka bazuar në një shembull për një ishull që po shkonte drejt zhdukjes dhe që propozimet ishin që po ai territor të bëhej një ishull digjital.

“Çfarëdo që e karakterizon atë ishull sa i përket historisë së tij, me e fut diku ku mund të shihet kudo, e gjeneratat e reja me pas mundësinë me hy ‘online’ me shëtit nëpër ishull, dhe me e pa ishullin se si ka qenë e me e ditë gjithë historinë e tij, që në një formë mos të humbet kultura. E kjo ka qenë edhe tema që e kam paraqitur në vepër, pra botën digjitale që në një anë është ‘fake’, por kur ti ia jep ndjenjat i bën me u duk reale, e unë i kam paraqitur si të tilla”, ka thënë artisti Shkamb Jaka, i cili edhe në vitin 2020 ishte finalist për “Artistët e së nesërmes”.

Finalistja tjetër e garës, Arbesa Musa, e cila vepron midis Zvicrës dhe Kosovës, artin e saj e ka bazuar në çështjet e identitetit.

Image
Finalistja tjetër e garës, Arbesa Musa, e cila vepron midis Zvicrës dhe Kosovës, artin e saj e ka bazuar në çështjet e identitetit

“Tema që e kam përzgjedhur lidhet me rininë, ata po e harrojnë se nga e kanë prejardhjen dhe çfarë kanë bërë të tjerët para nesh. E arti në Kosovë e ka pak a shumë të njëjtën rëndësi, që të vazhdojmë ne të rinjtë të vijmë në Kosovë. Këtë temë e kam kthyer në këtë kontekst”, ka thënë ajo.

Koordinatorja e projektit, artistja Laureta Hajrullahu, e cila në vitin 2020 edhe vetë ishte finaliste e “Artistët e së nesërmes”, ka thënë se nëpërmjet ngjarjes vërehet se po zgjerohet skena artistike në vend.

“Është interesante kur e sheh se secilën herë që aplikohet, zakonisht më përpara kemi parë që janë përsëritur disa artistë, por viteve të fundit ka gjithmonë artistë të rinj dhe po e shohim që edhe skena është duke u rritur. Po e shohim që është shumë interesante të njohësh emra të rinj, të shohësh fytyra të reja. Mendoj që është zgjeruar pak më shumë sesa më përpara, e është diçka shumë e mirë”, ka thënë Hajrullahu.

Edhe “Artistët...” shpërblen peizazhin e së ardhmes Kulturë “Artistët...” shpërblen peizazhin e së ardhmes

Fituesi, që shpallet më 2 dhjetor, do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qëllim që të përjetojë dinamikën e skenës artistike atje. Për dy muaj bëhet pjesë e rezidencës.

Hajrullahu ka thënë se ky fakt bëhet edhe faktor për tërheqjen e vëmendjes dhe interesimit për ngjarjen.

“Çmimi ‘Artistët e së nesërmes’ është çmimi kryesor që ndahet për artistët e rinj, e për këtë arsye edhe është çmim shumë i rëndësishëm, edhe prej se bëhet thirrja për të hapur konkursin, të gjithë flasin për këtë gjë dhe mendoj se është tejet i rëndësishëm. Përveçse fituesi shkon me një rezidencë që është dymujore, është edhe ekspozita personale në programin e ardhshëm, kështu që pak a shumë veç se ia fillon karrierës tënde si artist me çmime”, ka thënë artistja Laureta Hajrullahu.

Finalistët janë përzgjedhur nga juria profesionale ndërkombëtare e përbërë nga artistja gjermane Julieta Aranda, artistja serbe Miljana Dungjerin, artistja Agrina Vllasaliu, që është edhe fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes 2022”, kuratori dhe shkrimtari turk Alper Turan, si dhe artisti Driton Selmani.

Juria kishte shqyrtuar gjithsej 11 aplikacione të artistëve, prej të cilëve vetëm tre janë kualifikuar tutje. Në arsyetimin e tyre për përzgjedhjen, veprën e Begollit e vlerësojnë se “e shtyn pikturën përtej komoditetit të pëlhurës dhe e përdor atë për të hetuar tensionet midis botës njerëzore dhe asaj më shumë se njerëzore, që duket se janë qendrore në praktikën e saj”.

Veprat e Shkamb Jakës, sipas jurisë, shpërfaqin gjuhë të zhvilluar piktoreske. “Ai ka një botë referimi shumë interesante, të ankoruar në fizikën kuantike, astrofizikën dhe metafizikën dhe përpiqet të sigurojë përfaqësime të qëndrueshme për fenomenet që përshkruhen në to, duke ngritur pyetjen se çfarë është e përfaqësueshme dhe si”, shkruhet në vlerësimin për Jakën.

Edhe Renea Begolli merr çmimin “Artistët e së nesërmes” Kulturë Renea Begolli merr çmimin “Artistët e së nesërmes”

Arbesa Musa vlerësohet si artiste multidisiplinare “e cila përdor kujtesën e përvojës së saj në Kosovë si burim kryesor për punën e saj”. “Ajo përdor materialet e përditshme në mënyra delikate që lejojnë potencialin e tyre evokues dhe emocional të dalë përpara dhe të marrë përsipër”, ka shkruar juria për artisten Musa.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamorë – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe ajo Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe të shoqërisë civile. Deri në vitin 2014, “Artistët e së nesërmes” organizohej nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Atë vit u mor vendimi që të organizohej çdo dy vjet. Por prej vitit 2016 çmimi kaloi në kompetencë të qendrës për art bashkëkohor “Stacion” dhe mbeti ngjarje e përvitshme.