“Evolucioni im artistik” ka qenë tema e edicionit të tetë të garës globale të artit, “Kosova Art”, e cila me veprat e 40 artistëve zbërthen tema ekzistencialiste, shëtit nëpër peizazhe, lidh të tashmen e të kaluarën. “Being on your own and being for yourself” e artistes Majlinda Kelmendi, është shpallur vepra fituese e cila shtrihet në rrafshin ekzistencialist
Temat janë të shumta e të ndryshme. Sjellin në Prishtinë identitetet personale e të vendit. Aty janë kultura e historia, si një mozaik rrëfimesh që komunikon me veprat e artistëve lokalë. Universale duket gjuha artistike në edicionin e tetë të garës së artit global “Kosova Art”. Të premten, kur veprat janë prezantuar është shpallur edhe vepra fituese – “Being on your own and being for yourself” e artistes Majlinda Kelmendi.
Në kontaktin e parë me krejt veprat, duket shpërthim ngjyrash. Nëpër tablotë në mur është bota shumëngjyrëshe e ajo e zymtë e artistëve. Ka edhe më në çdo përshkim të penelit me ngjyrë në pëlhurë. Janë vepra moderne që përcjellin historitë e së kaluarës e të tashmen. Gërshetojnë edhe imagjinatën e realen. Prekin temat që e preokupojnë shoqërinë e sotme. E tillë është vepra fituese.
Vepra e Majlinda Kelmendit është me përmasat më të mëdha në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Gjashtëmbëdhjetë tablo janë bërë bashkë si copëza rrëfimesh. Siç ka treguar artistja, ka të bëjë me turbulencat e jetës. E zeza është sfondi si një lloj normaliteti a zone rehatie e ndikuar nga ato që ngjajnë në stuhitë e jetës, rrethi shoqëror a vetvetja.

Vepra e punuar me teknikë të kombinuar me dimensione 340 me 240 centimetra është pjesë e një cikli veprash që artistja Majlinda Kelmendi kishte shfaqur vitin e kaluar.
“Është punuar në vitin 2023 dhe kam qenë shumë e ndjeshme mbi kohën dhe rrethanat në të cilat ne jemi duke jetuar, prandaj edhe titulli i saj dhe mënyra se si është trajtuar është “Qenia në vete dhe qenia për vete’. Kam dashur që nëpërmjet turbulencave, të paraqes humbjen e ekuilibrit shoqëror dhe familjar. Ne të gjithë po ballafaqohemi me këto dhe ka qenë një pjesë e mendimeve, ideve të mia dhe pastaj ka dalë në këtë punë”, ka thënë artistja Kelmendi. Ajo ka thënë se ngjyra e zezë është simbol i paqartësisë. Por në fakt titulli shëmbëllen me veprën e ekzistencialistit Jean Paul Sartre, “Qenia dhe hiçi” ku “qenia në vete” dhe “qenia për vete”, janë thelbi i koncepteve të tij.
“Gjërat janë të paqarta, në lëvizje të shpejtë që krijon turbulence. Diku kam bërë një simbol të vogël të së kuqes dhe të grisë, që kjo e fundit dihet se është simbol i oportunistes. Shumë njerëz po bëjnë oportunizëm edhe me veten, karakterin dhe veprimet, që t’i përngjajnë kohës. Këto kapërcime nuk janë të lehta, kështu që kjo ka qenë ajo që më ka preokupuar të shfaq këtë vepër timen”, ka thënë Kelmendi e cila është edhe ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Vepra pa titull e Adem Rusinovcit ngjan në një lloj harmonie dhe kaos në të njëjtën kohë. Një lloj zone urbane të mbingarkuar me perspektivën që fokusohet në hapësirat e përbashkëta publike. Vepra ka fituar çmim special në “Kosova Art”. Njësoj edhe peizazhi unik i artistit Fehmi Hoxha.
“Landscape” si një vepër abstrakte në të njëjtën kohë krijon efektet e imazheve të bukurive të natyrës së paprekur. Artisti Hoxha ka thënë se ajo ka qenë vepra më e fundit që e ka punuar.
“Teknika është e veçantë, të cilën e aplikoj qe 20 vjet. Është teknikë e kombinuar, kështu që kam arritur tash të vij në këtë pjesë këtu dhe po gëzohem shumë që jam këtu pas ekspozitës që e pata në Napoli të Italisë, në nëntor të vitit të kaluar, që është pritur shumë mirë. Më vjen mirë që edhe kjo vepër është vlerësuar me Çmim special në këtë ekspozitë”, ka thënë artisti derisa është shprehur se teknika e tij e veçantë i krijon mundësi të shprehë krejt emocionet.
“Ka shumëçka më shumë në vepër. Kjo teknikë imja lejon që emocionet e mia të shprehen tamam në tablonë time, aty ku duhet. Është një peizazh abstrakt, por është tredimensional dhe këso peizazhe mund të gjinden ndoshta në kozmos, sepse këtu nuk ekzistojnë. Imagjinata ime është ajo që krijon peizazhe ndryshe në kuadër të artit pamor”, ka thënë Hoxha më tej.

Çmime speciale kanë marrë edhe “The Aliens” e Nehat Beqirit, e cila sjell objektin jashtëtokësor në hapësirën qiellore duke ateruar në një lloj vendbanimi malor. Njëjtë është vlerësuar edhe vepra e artistit turk, Orhan Cebrailoglu, pikturë abstrakte ku dominojnë ngjyrat e ftohta.
Juria vlerësuese ka qenë e përbërë nga artistët Safet Spahiu, Saimir Strati dhe Adriana Sedaj.
Spahiu ka thënë se veprat kanë ndërtuar një ekspozitë të nivelit të lartë.
“Është në nivel shumë të lartë, sa i përket shijes sime. Besoj se ka vepra shumë të mira, shumë fjalor figurativ, shumë ndërtime kompozicionale që më kanë lënë mbresa të mëdha. Në realitet ajo që më shumë më lë përshtypje është identiteti i artistit i krijuar. Duke parë tablotë menjëherë identifikojmë artistët gjë që është gjë e kënaqshme për artin pamor”, ka thënë Spahiu që ka qenë kryetar i jurisë vlerësuese.
Një mori veprash e kanë ndërtuar ekspozitën e ndërtuar nën temën “Evolucioni im artistik”. Amarildo Ruçi nga Shqipëria me veprën “New Born” ka sjellë atë që ngjan në krijimin e një qenie të re, ndërsa artistja italiane Anita Monoscalco, me dritëhijet në tablonë e saj me titull “Wind” ka ndërtuar profilin e gruas si një lloj siluete. Arlinda Hajrullahu, Bardhyl Bejtullahu e Burhan Ahmeti në sfond abstrakt kanë hedhur efektet që formësojnë pajisje pune e botën e gjallë.
Edmond Dhrami me mjeshtërinë e ngjyrave ka krijuar atë që ngjan në hartën që tregon gjendjen klimatike teksa Elena Priestley identitetin kulturor të vendit të saj. Gra e burra shfaqen me veshje tradicionale.
Në “Kosova Art” kanë ekspozuar edhe francezja Emma Poppy, Faton Kryeziu, Faëaz Arnaout e Ghadeer Hafez nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Hajrush Fazliu, Helidon Haliti, ukrainaset Inaya Asya dhe Kateryna Rudakova, francezi Jeff Roland, polakja Jolanta Kitowska, Jona Dividi, çeku Kharevsky Roman, turku Levent Oyluçtarhan e britanikja Lina Sami Ogaily.
Gjithashtu, janë shfaqur edhe veprat e polakut Mariusz Kitowski, Marjana Goxhabelliu, Nora Halimit, Ormira Lulanit, Pranvera Sylejmanit, Refki Gallopenit, Saimir Ahmetit, Suad Ramës, Valbona Gashit, Verona Ahmetit, bjelloruses Oksana Evdokimenko, spanjollit Rashib Diab, zviceranes Romaine Kuonen dhe arabit Zaman Jassim.

Në përgjithësi kanë qenë 40 artistë pjesëmarrës nga 15 shtete.
Organizatori e kuratori i ngjarjes Muhamet Ahmeti – Metis ka thënë se me këtë diversitet artistësh kanë parë avancim të vlerave artistike.
“Është kënaqësi e madhe të shohim artin e tyre dhe mendoj se ky manifestim kulturor ka bërë një jehonë mjaft të madhe duke avancuar çdoherë më shumë artin dhe duke arritur vlera më të mëdha”, ka thënë Ahmeti.
Naser Shatrolli, i cili e ka shkruar tekstin kuratorial, ka thënë se ekspozita është e para e këtij viti që e lidh Kosovën dhe e ndërkombëtarizon atë edhe në kuptimin e liberalizimit artistik.
“Sot krijuesit e Kosovës janë në majat e kësaj krijimtarie për faktin që Kosova ka pasur synim e vizion edhe në situata jashtëzakonisht të vështira, por e ka mbajtur synimin mbi supet e veta, kanë krijuar artistët edhe në rrethana të vështira edhe pak më të volitshme. Sot janë të barabartë me krijuesit e Kosovës. Kjo është diçka shumë e vlefshme, sidomos për brezat më të rinj që nuk kanë pasur mundësi të takohen me krijues të mëdhenj”, ka thënë Shatrolli, edhe në emër të Ministrisë së Kulturës.
Maide Demiri, nga zyra për media e “Kosova Art” ka vlerësuar cilësinë e veprave dhe artistët me karrierë të gjatë në skenë.
“Kjo është ekspozitë e vlerave më të mira që e përcjellin të gjithë artistët edhe pse pjesëmarrja e tyre është në numër të vogël, por për artistët tanë është numër i madh. Ka shumë shikueshmëri ekspozita, sepse veprat që janë të punuar prej artistëve më të mirë janë këtu”, ka thënë ajo.
Gara “Kosova Art” kishte nisur në vitin 2011. Ishte zhvilluar nën temën “Anti-korrup...”. Fitues i atij edicioni ishte Naim Spahiu, ndërsa çmime speciale u ishin ndarë artistëve Gurela Bajrami-Breznica dhe Kujtim Aliu.