Shtojca për Kulturë

Çështjet ekzistenciale definojnë veprat e finalistëve të “Artistët e së nesërmes”

Artistet e se nesermes

Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri flasin me gjuhë artistike në qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në ekspozitë të përbashkët. Kapitull unik është secila vepër, ndërsa krejt tërësia, imazh për gjeneratën e re të artistëve

Qendra për art bashkëkohor “Stacion”, që funksionon në atë që dikur shërbente si hapësirë e klubit të boksit “Prishtina”, ka hapur horizontet artistike të tre emrave të rinj në skenën artistike. Rrugëtimi artistik i sivjetmë me “Artistët e së nesërmes” është veç një hap para finalizimit – shpalljen e fituesit. E vlerësimi për këtë të fundit veçse ka ardhur deri te tre veta. Kanë qenë gjithsej dhjetë artistë në garë

Prishtinë, 2 nëntor – Tre nga dhjetë artistët në garë për çmimin “Artistët e së nesërmes” janë fituesit potencialë të edicionit të sivjetmë. Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri flasin me gjuhë artistike në qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në ekspozitë të përbashkët. Kapitull unik është secila vepër, ndërsa krejt tërësia, imazh për gjeneratën e re të artistëve. 

“Stacion”, që funksionon në atë që dikur shërbente si hapësirë e klubit të boksit “Prishtina”, ka hapur horizontet artistike të tre emrave të rinj në skenën artistike. Rrugëtimi artistik i sivjetmë me “Artistët e së nesërmes” është veç një hap para finalizimit – shpalljen e fituesit. E vlerësimi për këtë të fundit veçse ka ardhur deri te tre veta. Kanë qenë gjithsej dhjetë artistë në garë. 

Sipas jurisë, të tretë me punën e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët. 

“How sad, how lovely” emërtohen veprat e artistes Mimoza Sahiti. Është një lloj ekspozite brenda ekspozitës me veprën pesëpjesëshe. 

Vepra eksploron identitetin e njeriut dhe është si një lloj paralele midis botës së jashtme dhe të brendshme. Trajton luftën e njeriut me vetveten dhe me atë çfarë e rrethon. Njëra pikturë me ngjyra vaji në pëlhurë paraqet imazhin e një njeriu që ngjan në kauboj. Piktura tjetër pranë saj e definon dhe e bën të qartë identitetin e tij, por aty koka është një kafkë duke mbajtur dy armë. Njëra është e drejtuar kah vetja, tjetra kah të tjerët. 

Tjetër sekuencë e veprës është dera e instaluar në të cilën është e varur xhaketa e qëndisur me penj të kuq me fjalët “How sad, how lovely” (Sa e pikëlluar, sa e bukur). Vepra vjen si përsëritje e asaj çfarë vesh protagonisti në dy piktura. 

Autorja e veprës, Mimoza Sahiti, ka thënë se inspirimi për veprën e saj ka qenë albumi i Connie Converse me të njëjtin titull si vepra e saj. 

“Krejt ka filluar me një album të Connie Converse të vitit 1950 e cila ka nisur të këndojë dhe të luajë kitarë para Bob Dylan. Albumi thirret ‘How sad, how lovely’ dhe me të është lidhur krejt ekspozita. Dy pikturat me kauboj janë bërë para një viti, pastaj këtë xhaketë e kam blerë para tre muaj në një ‘second hand’ dhe kur e kam parë pikturën me kauboj e kam parë xhaketën e ngjashme që e kam punuar. Krejt fryma e ‘How sad, how lovely’ dhe teksti që e ka në këngë më lidhet me idenë e jetës së jashtme me atë të brendshme”, ka thënë Sahiti. 

Vepra e saj ndalet me vizatimin ku personazhi drejton armën kah yjet, duke e bërë të pakuptimtë, në një formë, luftën e tij të brendshme dhe të jashtme. Ai shënjestron yjet, apo mbase ato burojnë nga arma e tij. 

Sahiti ka thënë se veprat reprezentojnë edhe plagët, vuajtjet në jetë e luftën për mbijetesë.  

“Ideja ka qenë të shfaqet rrugëtimi, mundimi për jetën, përshtatja në një rreth dhe tentativat për të kërkuar një vend ku përshtatesh. Piktura e dytë e ka një armë të drejtuar kah vetja dhe një tjetër të drejtuar kah bota e jashtme. Është lufta që ka njeriu krejt kohën me vetëm dhe me botën e jashtme se kush jam unë dhe çfarë jam duke dashur, lidhet me identitet dhe me jetën e njeriut. Lidhet me mbijetesën dhe sesi merremi me veten”, ka thënë autorja e veprës “How sad, how lovely”. 
Luiza Thaqi trajton ndikimin e shoqërisë në ekologjinë. Këtë e bën duke prekur koncepte si pronësia e tokës, mënyrën sesi ajo trajtohet. Me veprën e saj “Vend i drejtuar nga toka” ajo e prezanton trajtimin e një hapësire minimaliste në një formë trekëndëshi të rrethuar nga dy objekte si dhe ai që dikur shërbente si klub i boksit. Bashkë me veprën është ekspozuar edhe një video dokumentuese afro dhjetë minutëshe që e shpjegon gjithë procesin e punës përfshirë përpunimin e tokës e rezultate analizash. 

“Si proces ka filluar pas shpalljes së tre finalistëve ku njëra prej tyre kam qenë edhe unë. Me idenë që e kam propozuar ka qenë trajtimi i tokave dhe ideja e të pasurit në pronësi tokën. Në momentin që një tokë është në pronësi, si trajtohet ajo, a është vetëm aset apo përdorimi i saj po e shfaq një qëndrueshmëri sociale. Puna ime ka qasje ekologjike, kjo ka qenë ideja me të cilën kam aplikuar ndërsa duke biseduar me ekipin që e organizon këtë çmim kam arritur ta identifikoj këtë hapësirë”, ka thënë autorja e kësaj vepre, Luiza Thaqi. 

Ka thënë se hapësira ka qenë e kufizuar për shkak të ndërtimeve përreth saj, sikurse edhe qasja aty. Veprën e ka vlerësuar si metaforë për trajtimin e tokave. 

“Nuk kam dashur ta shfrytëzoj një tokë për të ndërtuar diçka, por ideja ka qenë të ndërtojë hapësirën dhe ta ripërtërij në bashkëpunim me tokën. Pastaj jam angazhuar ta bëj një hulumtim ku tregohen analizat e tokës dhe bimësisë dhe gjendjes paraprake sesi ka qenë. Duke u bazuar në informatat që i kam marrë gjatë procesit të hulumtimit e kam adaptuar intervenimin artistik që e kam bërë për këtë hapësirë. Gjatë procesit të punës kanë dalë edhe nivele të tjera që tregojnë gjendjen dhe praktikën e shoqërisë sesi e trajtojmë tokën dhe pronësinë, për ata edhe intervenimi është minimal”, ka thënë Thaqi. 

Juria për këtë vepër ka shkruar se aty “artistja nxjerr në pah çështje që lidhen me trajtimin e tokave, pronave, pronave publike, dhe shkëputjen e njerëzve nga natyre me pretendim pronësie”. 
Juria ka qenë në përbërje prej artistes gjermane, bashkëthemelueses e redaktores së “e-flux” Julieta Aranda, artistes e drejtoreshës së qendrës private kulturore “Akvarijus” në Mitrovicën e Veriut, Miljana Dungjerin, sociologia e profesoresha e asociuar në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, Vjollca Krasniqi, turku Alper Turan – kurator e shkrimtar si dhe artisti e kuratori Lulzim Zeqiri.

Tre prej tyre, Aranda, Dungjerin dhe Turan kanë qenë edhe në jurinë e edicionit të kaluar. 
Tjetër rrëfim i veçantë ka qenë vepra “Oh, mindgut” e Dion Zeqirit i cili sjell dy pjesë të saj. E para është skulptura prej gjipsi në formë truri, por me format rrethore më të theksuara të cilat lënë hapësirë për të perceptuar të tjera imazhe. Duket se ky tru del nga muri. 

“Skulptura shërben si një paraqitje simbolike e dy forcave themelore, por shpeshherë të kundërta në përvojën njerëzore: intelektit dhe intuitës, shkruhet në vlerësimin e jurisë për këtë vepër. Ajo përfshin edhe një tjetër pjesë, audio instilacionin prej mbi 24 minutash që ilustron një lloj përditshmërie urbane. Artisti Dion Zeqiri ka hezituar të flasë për veprën e tij. 

“Artistët e së nesërmes” si ngjarje është një lloj pasqyre e krijimtarisë së artistëve të rinj. Në esencë është edhe njohja me skenën ndërkombëtare. Ky edhe është shpërblimi për çmimin e parë - rezidenca artistike dymujore në New York. 

Albert Heta, udhëheqës i qendrës për art bashkëkohor “Stacion” që e organizon garën “Artistët e së nesërmes”, ka thënë se ky çmim e tregon rëndësinë e ekzistencës së tij dhe se çdoherë ofron hapësirë për eksperimentim dhe zhvillim të mëtutjeshëm. 

“Bashkëpunimi i artistëve të rinj me institucione që e kanë krijuar një përvojë, e kanë njëfarë kredibiliteti, çdoherë konsiderohet i domosdoshëm dhe i nevojshëm sepse në faza të hershme të zhvillimit, skenat që nuk kanë përkrahje, dinë edhe të devijojnë. Prej tendencave dominante konform pritjeve të të tjerëve, ti shpeshherë di ta shkurtosh mundësinë tënde të jesh më kritik për t’u përshtatur më tepër. Ne tërë kohën mundohemi të ofrojmë një hapësirë të lirë”, ka thënë ai. 

E ka konsideruar të jashtëzakonshme punën e artistëve derisa ka theksuar se artistët pjesëmarrës duhet që paraprakisht të kenë prapavijë në fushën e artit. 

“Çmimi nuk është i krijuar për artistë që sapo kanë filluar. Duhet pasur veprimtari tre vjetët e kaluar, tri vepra, ekspozita nëpër institucionet e tjera, në fund juria ka trajtuar në rrethin e ngushtë dhjetë aplikime, prej tyre disa kaluan në rrethin e fundit. Gjithsej pesë artistë janë trajtuar nga juria pak më gjatë, në fund këta finalistë kanë ardhur si konsensus i vendimit të jurisë”, ka thënë Heta. 

Ekspozita me veprat e tre artistëve do të qëndrojë e hapur për një muaj ndërsa fituesi i sivjetmë i “Artistët e së nesërmes” do të shpallet më 7 dhjetor.