EXPRESS

Kori zhvendoset me atraksion akustik në “Autostrada Hangar”

Me formacionet që e ndërtojnë, Filharmonia e shtrin artin edhe përtej kryeqendrës së vendit. Me Korin e ka nisur programin e saj të vazhdueshëm “Filharmonia në lëvizje” tek është ndalur në “Autostrada Hangar” në Prizren, e cila jo vetëm për publikun por edhe për formacionin ka sjellë një përvojë ndryshe prej atyre të deritanishme, në një sallë me tjetër akustikë

Me vepra atraktive vokalo-instrumentale që shpërfaqin artin muzikor nëpërmjet fuqisë së zërave, Kori i Filharmonisë së Kosovës e ka nisur vitin duke performuar jashtë kryeqytetit. Për një orë është zhvendosur në Prizren, në “Autostrada Hangar”, ku tradita botërore muzikore është gërshetuar me atë vendore. Koncerti është drejtuar nga Hajrullah Syla. Ka qenë edhe vepra e tij – “Like the touch of the rain” – që ka jehuar në këtë koncert.

Me formacionet që e ndërtojnë, Filharmonia e shtrin artin edhe përtej kryeqendrës së vendit. Me Korin e ka nisur programin e saj të vazhdueshëm “Filharmonia në lëvizje”. 

Koncerti ka nisur me veprën “Salve regina” të Kushtrim Gashit. Si pjesë liturgjike, ajo fillon me gjysmën e anëtarëve të Korit e gjysma tjetër bashkohet derisa zhvillohet vepra. Shoqërohet me tinguj melankolikë të pianos në të cilën si solist ka luajtur pianisti Andi Duraku. Pas një kumbimi dramatik, veprës i bie pulsi dhe shkon duke u shuar.

Publiku duke qenë shumë pranë formacionit mund të dëgjojë qartë çdo zhvillim. Madje edhe të dallojë me raste zërat e pjesëtarëve të Korit edhe kur ansambli interpreton njëkohësisht. 

“Ç’u mbush mali” e kompozitorit shqiptar Vasil S. Tole me solist pianistin Lekë Salihu është dëshmuar si vepër unike me elemente tradicionale ku një pjesë e Korit mban ison gjatë interpretimit duke e mbajtur atë të pashkëputur. 

Më pas është luajtur vepra “Like the touch of the rain” e Hajrullah Sylës me Andi Durakun në piano ndërsa në skenë është bashkuar Ansambli Harkor i Filharmonisë së Kosovës. 

Koncerti ka qenë krejtësisht me vepra bashkëkohore përfshirë edhe ato të repertorit botëror, si ato të kompozitorëve amerikanë Eric Whitacre e Jake Runestad. 

Kori bashkë me sopranot Shkurte Hykaj dhe Kaltrina Miftari, perkusionistët Patris Beriha e Meriton Zajmi si dhe lojën në piano të Lekë Salihut e Andi Durakut, koncertin e ka përmbyllur me veprën “In A” të kompozitorit Rafet Rudi. 

Si unike e atraktive është dëshmuar kjo vepër e cila shpesh përfshihet në repertorët me të cilët Kori mban koncerte. Edhe veç për nga formacioni dëshmohet si atraktive. Aty dëshmohet mjeshtëria e akademikut Rudi, në çdo notë të instrumenteve të vokalit të Korit e të solistëve. 

Perkusionisti Patris Berisha ka thënë se instrumentet me goditje i bëjnë këto vepra më atraktive.

“Zakonisht inkuadrohemi edhe ne si perkusionistë sepse perkusionet apo instrumentet me të goditur njihen si shumë atraktive dhe kur kompozitorët si tanët ashtu edhe të huaj, kur duan të kenë vepra më atraktive për Korin, po inkuadrojnë edhe perkusionet. Kështu ishte sonte në tri veprat e fundit, ku njëra prej këtyre ishte ‘In A’ e profesorit Rafet. Sonte ishte përvojë interesante sidomos me publikun në Prizren. Përndryshe këto vepra i kemi luajtur edhe disa herë”, thekson Berisha.

Kori, pos qyteteve të vendit, do të ketë prezantime edhe në rajon. Kështu ka bërë të ditur zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.

“Aktivitetin për vitin 2025 Kori e ka nisur në Prizren dhe tash do të fillojmë të bëhemi gati për koncertin e Pavarësisë që do të mbahet në Prishtinë dhe pas asaj Kori do të lëvizë në Sofje dhe në Shkup. Në qytetet e tjera të Kosovës do të rikthemi më vonë, nga muaji prill dhe maj ndërsa orkestra do ta vazhdojë lëvizjen e ansambleve ose njësive të Filharmonisë në qendrat e tjera të Kosovës”, deklaron Selimaj.

Ai ka paralajmëruar se në koncertin e radhës si solist vjen flautisti i shquar Andrea Griminelli, i cili ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Luciano Pavarotti, Andrea Bocelli dhe jo vetëm. 

“Filharmonia do të vijë me koncertin në Prishtinë i cili do të sjellë një prej emrave më të mëdhenj të muzikës klasike Andrea Griminelli që është një flautist me famë botërore. Në koncert do të paraqitet si solist por edhe si bashkinterpretues me Venera Mehmetagaj-Kajtazin e cila në kuadër të këtij koncerti shënon edhe 50-vjetorin e karrierës së saj”, thotë Selimaj.

“Autostrada Hangar” ka qenë nikoqire e Filharmonisë së Kosovës edhe e një koncerti të mëparshëm të institucionit, në maj të 2023-tës.

Vatra Abrashi, njëra prej themelueseve të “Autostrada...”, është shprehur se është përherë kënaqësi të mirëpresin koncerte të tilla. 

“Jemi shumë të lumtur që në shtator e kemi hapur edhe hapësirën e re dhe jemi zgjeruar. Kjo na krijon mundësi që edhe më tutje të bashkëpunojmë, qoftë me Filharmoninë, qoftë me partnerë të tjerë me të cilët jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe të hapur të bashkëpunojmë. Sot ka qenë një mbrëmje shumë e veçantë, jashtëzakonisht e bukur dhe ka pasur interesim të madh për ta ndjekur këtë ngjarje. Për ne ka qenë nder dhe shpresojmë se do të kemi edhe bashkëpunime të tjera përgjatë vitit”, deklaron Abrashi.

Koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës mbahet më 31 janar, në adresën e përhershme –  Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.