Me projektin e fundit “Ali Pasha i Janinës”, “Jericho” ka kompletuar repertorin, duke shtuar një këngë në dialektin toskë krahas atij gegë e standard. Por Çarkaxhiu ka njoftuar se kjo është veç nisje e serisë së këngëve të këtij lloj në krijimtarinë e grupit.
Së paku për dy dekadat e fundit, bendi unik ka shpalosur tematikat e shoqërisë. Lideri e vokalisti i bendit, Petrit Çarkaxhiu, edhe në solo-projekte shpesh e ka përdorur muzikën njashtu edhe vargun si mjet proteste. Kur sjellin këngë, e bëjnë fuqishëm e me stil.
Në këtë fije është lidhur edhe kënga e re “Ali Pasha i Janinës” që tanimë zë vendin e parë në listën për t’i prirë krejt krijimtarisë së tyre.
Për dallim prej këngëve origjinale “Koka në Stamboll, trupi në Janinë” dhe “Janinës ç’i panë sytë”, “Jericho” i sjell më fuqishëm si për nga ana muzikore e tekstuale.
Rëndësi i është dhënë edhe anës vizuale. Me kapelë të çamëve, fustanellë dhe brezin e kuq të veshjeve tradicionale çame shihet tek interpreton Çarkaxhiu.
Në videoklip paraqitet bashkë me Besnik Grajçevcin, valltarin e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, që vjen në rolin e ushtarit çam. Mjeshtëror në rolin e tyre janë Leonard Canhasi në kitarë, Edmond Gjinolli në bass-kitarë e Visar Rexha në bateri.
Arsyet e aranzhimeve të këtyre këngëve sipas tij, kanë qenë historia që përcjellin si dhe qëllimi që t’i ofrohen brezit më të ri.
Tanimë kënga “Ali Pasha i Janinës” është një më shumë në repertorin e tyre domethënës dhe në koncertet që do t’i zhvillojnë.
Kënga është interpretuar për të parën herë live të dielën mbrëma në kuadër të aktivitetit “Festat e Korrikut”. Edicioni i dytë i asaj që sivjet përkon me Ditën e Kushtetutës dhe me përvjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka festuar në natën e dytë me bendin “Jericho”.
Skenën e kanë elektrizuar me repertorin që përfshin mbi dy dekada krijimtari. “Në garë për qeveri”, “Kanga jonë”, “Kanga e Ashikëve”, “Kur do t’pushojë kjo kangë”, “Zgjohu” e “Tomlin e nonës” janë prej atyre që ngërthejnë rrëfime të veçanta dhe publikut i janë sjellë në koncertin e mbajtur në kryeqytet.
Organizatori i “Festave të Korrikut”, Pëllumb Bajqinovci, ka thënë se ngjarja e ruan kujtesën për ngjarje të rëndësishme, veçanërisht tek gjeneratat e reja.
Në kuadër të ngjarjes “Festat e korrikut”, do të interpretojë edhe bendi “Offchestra”, ndërsa do të përmbyllet me “La Fazanin”. Vitin e kaluar ishte shënuar në veç një mbrëmje, më 2 korrik, me grupin “2 korriku”, në rrugën “2 korriku” në kryeqytet.