“Ali Pasha i Janinës” është vetëm fillimi i një hulumtimi të ri prej “Jerichos” që ka prapa një kapitull të atij që e quajti “gheg rock”. “Tash po planifikojmë të realizojmë të tjerat me dialektin toskë. Veç tjerash, e para e punës është interesante për ne të punojmë në një projekt të tillë. Meloditë janë shumë të bukura. Ideja është që edhe këngët e vjetra që ndoshta më pak dëgjohen prej brezit të ri t’i sjellim në një formë të një populloreje moderne”, ka thënë frontmeni i grupit, Petrit Çarkaxhiu
Kënga popullore e iso-polifonike duken zhanre që e ka audiencën e veçantë dhe si stil më vete. Se me të nuk improvizohet. Por të kundërtën e ka bërë bendi “Jericho”, madje duke riaranzhuar kryeveprat “Koka në Stamboll, trupi në Janinë” dhe “Janinës ç’i panë sytë”.
Ndër vite, bendi me lider kantautorin Petrit Çarkaxhiu ka praktikuar një lloj “dykëngëshi” në projektet e grupit.
Me interpretimin në projektin e fundit “Ali Pasha i Janinës” ka kompletuar repertorin, duke shtuar një këngë në dialektin toskë krahas atij gegë e standard. Por Çarkaxhiu ka njoftuar se kjo është veç nisje e serisë së këngëve të këtij lloj në krijimtarinë e grupit.
Së paku për dy dekadat e fundit, bendi unik “Jericho” ka shpalosur tematikat e shoqërisë. Lideri e vokalisti i bendit Petrit Çarkaxhiu edhe në solo-projekte shpesh e ka përdorur muzikën njashtu edhe vargun si mjet proteste. Kur sjellin këngë, e bëjnë fuqishëm e me stil.
Në këtë fije është lidhur edhe kënga e re “Ali Pasha i Janinës” që tanimë zë vendin e parë në listën për t’i prirë krejt krijimtarisë së tyre.
Që prej themelimit e deri vonë, dialekti gegë ka qenë simbol i këngëve të “Jerichos”. Më tej ishin “Nëntor i ftohtë”, “Ëndërr e prerë” e “Garë për qeveri” ato ku gjuha standarde mori drejtimin në eksplorimin e temave të këngëve. Me këngën e re, të publikuar në platformën “YouTube” të enjten mbrëma, melosi i këngëve të “Jericho”, edhe sa i përket të folmes, kompletohet. Aranzhimi fantastik i dy këngëve në projektin e fundit sjell perlat e iso-polifonisë së jugut.
Vokalisti i bendit “Jericho”, Petrit Çarkaxhiu, ka thënë se interpretimi në standard ka bërë të mos jetë fort shokues kalimi në interpretimin në dialektin toskë. Riaranzhimin e këngëve e vlerëson të veçantë edhe për nga historitë që përcjellin. “Për shkak se të dy këngët e kanë për tematikë një gjeografi të vetme, Çamërinë, por më saktësisht hapësirën e Janinës. Edhe ‘Koka në Stamboll, trupi në Janinë’ edhe ‘Janinës ç’i panë sytë’ flet për disa personazhe që konsiderohen kombëtare, po sidomos për (Zenel) Çelon i cili ka jetuar në rajonin e Janinës dhe në atë gjeografi edhe ka rënë dëshmor. Pasi është tematika e gjeografia e njëjtë për të cilën flasim kemi vendosur t’i bashkojmë në një këngë të vetme”, ka vlerësuar Çarkaxhiu.
Tingujt e klarinetës marrin drejtimin e këngës “Ali Pasha i Janinës”. Vijnë si befasi, pasi instrumentalet e këngëve të “Jerichos” e të vetë Çarkaxhiut nuk kanë përfshirë qoftë tingull klarinete. Ka surle e tupanë te “Tomlin e nonës”.
Për dallim prej këngës origjinale, kënga “Koka në Stamboll, trupi në Janinë” vjen më fuqishëm si për nga ana muzikore e tekstuale. Rëndësi i është dhënë edhe anës vizuale. Me kapelë të çamëve, fustanellë dhe brezin e kuq të veshjeve tradicionale çame shihet tek interpreton Çarkaxhiu. Në videoklip paraqitet bashkë me Besnik Grajçevcin, valltarin e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, që vjen në rolin e ushtarit çam. Mjeshtëror në rolin e tyre janë Leonard Canhasi në kitarë, Edmond Gjinolli në bass-kitarë e Visar Rexha në bateri. Por katërshja nuk e “Jerichos” – i cili në majin e sivjetmë ka kaluar çerekshelullin e themelimit – nuk është e vetme.
Ndërprerja e shkurtër mes vokali jep përshtypjen e uljes së tonit të këngës mes partiturash, por në fakt nis një këngë krejt. I paraprin fraza e zgjatur karakteristikë e iso-polifonisë. Është kënga “Janinës ç’i panë sytë”. Kjo në fakt nuk i largohet fort origjinales. Derisa përcillet me bateri, vijon interpretimi me vokal i Çarkaxhiut bashkë me zërin e zgjatur në prapavijë që i bashkohet vijës muzikore në sfond.
Pas një uljeje doze të dinamizmit në interpretimin e këngës që e ndërton pjesën e dytë të këngës “Ali Pasha i Janinës” krijohet përshtypja se mes një kënge të vetme i jepet hapësirë aspektit muzikor. Por në fakt është krejt një tjetër këngë.
“Janinës ç’i panë sytë” nis pikërisht me vargjet e titullit. Ndërpritet në zanoren e fjalës së fundit duke e zgjatur dhe kësisoj mbahet e lidhur me vargun tjetër dhe vjen si njëfarë tingulli përcjellës vazhdimisht. Përderisa kënga paraprake i kushtohet Ali Pashë Tepelenës, kjo e fundit është për Zenel Çelon ushtarakun e prijësin popullor, i cili u vra trimërisht për mbrojtjen e Janinës në luftimet kundër shovinistëve grekë, të cilët synonin pushtimin e Shqipërisë së Jugut. Në përmbyllje, kënga vjen me energjinë dhe dinamikën kulmuese me muzikë.
Nëse krahasohen me këngët origjinale, elementet tradicionale janë më të theksuara si vibrimet e zërit, përsëritjet e tekstit, klarineta zë rolin kryesor, sidomos në sekuencat ku pushon vokali. Është loja e mjeshtrit të kabasë Talando Feto, anëtari i grupit iso-polifonik shqiptar “Saz’Iso”. Në rastin e këngëve të jugut, dialekti toskë më i theksuar në dallim prej këngës së “Jericho” që jep përshtypjen e të folurës standarde shqipe. Feto nuk do të jetë i vetmi nga ky ansambël që do të interpretojë me “Jerichon”.
“Në njërën prej këngëve do ta kemi edhe violinistin e ‘Saz’Isos’, Aurel Qirjo”, ka thënë Çarkaxhiu.
Arsyet e aranzhimeve të këtyre këngëve sipas tij, kanë qenë historia që përcjellin si dhe qëllimi që t’i ofrohen brezit më të ri. Çarkaxhiu ka paralajmëruar se do të sjellin edhe të tjera aranzhime të tilla në stilin rock. Një prej projekteve të radhës ka thënë se do të jetë kënga “Vallja e fundit”.
“Ka për inspirim vallen e njohur të Osman Takës, që vjen nga ana e Çamërisë. Pjesa e parë e këngës është me tekst dhe muzikë origjinale tonën, mirëpo e cila është e inspiruar prej muzikës së Osman Takës. Në mes të këngës integrohet edhe melodia origjinale për të përkujtuar publikun se prej nga vjen inspirimi”, ka treguar Çarkaxhiu derisa ka bërë të ditur se kënga pritet të publikohet brenda gjashtë-mujorit të ardhshëm.
“Ajo që e kemi titulluar ne si ‘ghegë-rock’, pak a shumë janë të përfunduara në njëzet vjetët e fundit rreth nëntë këngë . Tash po planifikojmë të realizojmë të tjerat me dialektin toskë. Veç tjerash e para e punës është interesante për ne të punojmë në një projekt të tillë. Meloditë janë shumë të bukura. Ideja është që edhe këngët e vjetra që ndoshta më pak dëgjohen prej brezit të ri t’i sjellim në një formë të një populloreje moderne”, ka thënë Çarkaxhiu derisa këngëve u është referuar si perla të folklorit shqiptar.
Iso-polifoninë e pjesës jugore të Shqipërisë e ka vlerësuar si aset e vlerë kombëtare, duke marrë parasysh edhe faktin se mbrohet edhe prej organizatës botërore UNESCO.
Projekti muzikor “Ali Pasha i Janinës” ka qenë prej atyre që u ka marrë më së shumti kohë në karrierë. Ka ndikuar përgjegjësia e ruajtjes së origjinalitetit kur përshtaten në zhanrin rock. Aranzhimi kishte filluar disa vjet më parë derisa angazhim intensive ishte dyzet ditët e fundit.
“Kemi qenë shumë të kujdesshëm në mënyrën se si i bëjmë aranzhmanet dhe se si e fusim në rock-muzikën e jugut të Shqipërisë. Unë besoj se maksimalisht jemi munduar t’i qëndrojmë besnikë artistit popullor. Duke u konsultuar edhe me miqtë tanë që janë muzikantë të muzikës popullore të Shqipërisë së jugut besoj se kemi arritur t’ia japim hakun dhe ta ruajmë origjinalitetin e këngës”, ka thënë më tej këngëtari e tekstshkruesi Petrit Çarkaxhiu.
Petrit Çarkaxhiu deri më tani u ka dhënë zë këngëve të grupit “Jericho” si “Kanga Jonë”, “Kanga e Ashikëve”, “Nëntor i ftohtë”, “Tomli i nanës”, “Albanian Rhapsody”. Në solo ka kënduar “Drenushë e trembur”, “Dul behari”, “Vajza e tokave të diellit” e “Natë e gatë”.
Para “Ali Pashës së Janinës” “Jericho” në majin e vitit të kaluar lansoi “Në garë për qeveri”.