Atelieja e piktorit prizrenas, Arbnor Morina, i ngjan rrëmujës. Por kjo parregullsi, sipas tij, zakonisht e lehtëson procesin krijues. Madje i frymëzon edhe miqtë e tij, që merren edhe me lloje të tjera të artit. Dhe pikërisht për ta prezantuar këtë frymë në tërësinë e saj, kjo studio është bartur në hapësirat e Qendrës për Kulturë dhe Art në Prizren për të qenë në kontakt me publikun, në mënyrë që ai të njihet për së afërmi me kreativitetin krijues të Morinës.
Kësisoj është konceptuar ekspozita e titulluar “Hallakamë, pa rregullua...”, ku krahas veprave të përfunduara të artistit, janë shpalosur edhe punimet ende të papërfunduara. Aty ka edhe mjete të punës, libra e gjëra të tjera, që shoqërojnë artistin në punën e tij të përditshme.
Kuratori i ekspozitës, Valon Bllaca, ka vlerësuar se rrëmuja e ateliesë së Arbnor Morinës megjithatë ofron një ambient frymëzues dhe se ideja e ekspozitës është që publiku të bashkudhëtojë me artistin për ta parë dhe ndier procesin e tij krijues.
“Kur erdhi ideja për këtë ekspozitë, natyrshëm erdhi edhe koncepti për t’i ftuar njerëzit me e pa se si është një atelie e një artisti, në këtë rast e Arbnor Morinës, me e pa, me e ndje edhe përmes kësaj ekspozite me bashkudhëtu me artistin, me e pa edhe rrugën e tij, me bashkëndje edhe masa, edhe publiku se jo gjithkush ka mundësi me qenë prezent, me e vizitu një atelie të një artisti".
Piktori Arbnor Morina ka thënë se kuratori Bllaca është vizitor i shpeshtë i ateliesë së tij, bashkë me miq të tjerë madje edhe muzikantë, ku dikush pikturon, skicon, dikush bën muzikë e dikush lexon dhe se e tëra kjo studion e bën “hallakamë”.
“Realisht tash jo gjithkush ka mundësi me ardhë ose me shku me vizitu një artist në studio, është e pamundur edhe vet artisti ose artistja me i prit të gjithë dashamirët e artit e rrethin, mirëpo ndoshta unë pres njerëzit me pa kompleksitetin e krijimit të një pikture, d.m.th nuk është një artist që shkon e bën një pikturë për gjysmë ore, një orë edhe e publikon. Procesi i krijimit të pikturës është që shkon me javë, me emocione, me vizatime, me skica, nuk të pëlqen e mbulon dhe krejt ky proces që mund të shihet këtu në këtë hallakamë koncept kuratorial të Valon Bllacës po besoj që njerëzit kanë me kuptua më mirë se sa e ndërlikuar është me krijua piktura”.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 22 mars 2023.