Kulturë

“Parcela” e çliron tokën nga kaosi

Ekspozita "Parcela"

Gjuha vizuale e artistit në vepra është e përmbajtur, por e fortë në mesazhe. Një lloj spektakli i lehtë, por i thellë, duke ngritur pyetje te publiku që e sheh secilën vepër si lutje për ruajtje të tokës

Parcela e artistit Alban Meka është ende e lirë, e paprekur. Ekspozita me këtë titull është metaforë e përkatësisë me hapësirën që njeriu zë si individ e si shoqëri. Tematika është e njëjta, kontrastet janë në ngjyrat e dallueshme midis veprave, por edhe tranzicioni në vijat e vetë veprës. Ato janë si një lloj harte emocionale që kthen në kohën jo të largët kur hapësirat ishin fushë loje a feste fëmijërie. Hapësirë që sot shihet si territor personal, ku vetë emërtimi flet shumë për qëllimet e mënyrës së shfrytëzimit

“Parcela” e Alban Mekës me vepra përtej një sipërfaqeje fizike vjen edhe si hapësirë e ndërtuar mbi fragmente kujtese dhe reflektimi. Artisti e trajton veprën si një copë toke simbolike. E çliron nga mbingarkesa dhe e zhbllokon nga kaosi përherë në ngritje. Brenda hapësirës së Galerisë së Fakultetit të Arteve e jashtë saj, arti i tij vjen si marrëdhënie e njeriut me parcelën. Ekspozita është hap i parë për sivjet i Galerisë që premton të sjellë vepra kualitative përgjatë vitit.

Ekspozita personale e artistit është metaforë e përkatësisë me hapësirën që njeriu zë, si individ e si shoqëri. Tematika është e njëjta, kontrastet janë në ngjyrat e dallueshme midis veprave, por edhe tranzicioni në vijat e vetë veprës. Ato janë si një lloj harte emocionale që kthen në kohën jo të largët kur hapësirat ishin fushë loje a feste fëmijërie. Hapësirë që sot shihet si territor personal, ku vetë emërtimi flet shumë për qëllimet e mënyrës së shfrytëzimit. 

Parcela e artistit Meka është ende e lirë, e paprekur. Plot ngjyra, thjesht ndarje gjeografike. Kryesisht gjelbërim me qiellin e pastër e të pafundmë a të zjarrtë nga perëndimi i diellit që reflekton edhe te parcela e tij. 

Jashtë qëndron ekskavatori i cili pret të ndërhyjë dhe të drejtojë fatin e copëzave të tokës së tij në piktura shumëngjyrëshe. 

Artisti Alban Meka ka thënë se parcela si term tek ai korrespondon me perspektivën e tokës te të tjerët si hapësirë ndërtimi. 

“Janë kryesisht të periudhës së fundit, 2024 dhe 2025. Janë edhe dy të mëhershme që kanë qenë si pikënisje, pastaj është zhvilluar ky cikël. Janë kryesisht teknika vaj në pëlhurë. Ka edhe të tjera, por për shkak të hapësirës është dashur të reduktohen. Parcela është fenomen që periudhën e fundit vazhdimisht është përmendur, ndërtimet”, ka thënë Meka. 

Vepra e tij është dokumentim i parcelës së pandërhyrë në të. Të paktën tash për tash. 

“Janë mbindërtimet, degradimi i tokës... kjo është e gjitha që mua si artist më ka prekur dhe e ka etabluar temperamentin tamam në art”, ka thënë ai më tej. Në qendër të hapësirës do të vendosej një ekskavator i përmasave më të vogla, por kjo nuk mundi të ndodhë për shkak të vendit. Qëndroi si portë për të pranishmit. 

“Është i uritur për tokë. Është numri një që e dëmton tokën. Është pikënisje... për instalacionin”, ka thënë artisti Meka në fund. 

Jashtë qëndron ekskavatori i cili pret të ndërhyjë dhe të drejtojë fatin e copëzave të tokës së tij në piktura shumëngjyrëshe. Makineria është një lloj kuratori 
 

Në shkrimin kuratorial me titull “Fragmentet e një tërësie të humbur” të Visar Haxhibeqirit shkruhet se ai përfaqëson mjetin me të cilin ndërhyjmë mbi tokë dhe mbi vetveten. Se “makineria merr rolin e kuratorit...”.

“E gjitha prezantohet si fragmentarizim i tablove të ndryshme, të cilat në esencë e kanë ngjyrën e përbashkët. Pra, brenda ciklit prej dyzet tablove i kemi disa të cilat mishërohen apo identifikohen me ngjyrën e kaltër, me të kuqen dhe sidomos me ngjyrat bazë. Alban Meka si artist bashkëkohor po se po, por si artist ekspresionist, ka zgjedhur të shprehet përmes telajove edhe të mëdha, edhe të vogla, por shprehja më e madhe e tij, tempi i shpejtë i hedhjes së ngjyrës”, ka thënë Haxhibeqiri. 

Ekspozita qe hapur në dhjetor në shtëpinë e kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë. Në foajeun e saj, ndryshe nga ekspozita në Prishtinë, kishte zënë vend edhe ekskavatori i rrethuar nga pikturat e tij. Sikur parcela që presin ndërhyrje në çdo moment. 

“Është ekspozitë shëtitëse e cila produktin e vet synon ta sjellë pranë njerëzve të cilët gjithmonë kanë prirje për artin në përgjithësi. Nëse ndalemi te koncepti kuratorial, vetë artisti e emëron këtë cikël pikturash me emrin ‘Parcela’, duke tentuar të na sjellë edhe një herë në kuadër të artit figurativ jo vetëm një ide, por edhe disa prej diskutimeve që njerëzit i bëjnë nëpër tavolinat tona. Pra është kjo mania e parcelave”, ka thënë kuruesi i ekspozitës Visar Haxhibeqiri, duke bërë të ditur se synimi është që ekspozita të lëvizë edhe nëpër qendra të tjera të vendit.

Ka thënë se në veprat e artistit Alban Meka janë gjurmët e edukimit të tij nga artisti i shquar Tahir Emra. 

“Alban Meka i takon gjeneratës së parë të artistëve të pasluftës. Është student i profesorit të ndjerë, figurës së ndritur Tahir Emra dhe në rrugëtimin e tij artistik vërehen edhe prekjet dhe shtysat e vetë profesorit”, ka thënë arkitekti Haxhibeqiri. 

Gjuha vizuale e artistit në vepra është e përmbajtur, por e fortë në mesazhe. Një lloj spektakli i lehtë, por i thellë duke ngritur pyetje te publiku që e sheh secilën vepër si lutje për ruajtje të tokës. 

Galeria e Fakultetit të Arteve në Prishtinë u bë një lloj parcele e përkohshme për veprat e artistit Meka.

Profesori i artit, Xhevdet Pantina, i cili menaxhon me galerinë, ka thënë se kjo ekspozitë është hapi i parë për këtë vit. 

“E kemi përgatitur programin njëvjeçar, por kësaj radhe kemi dalë jashtë kornizave të fakultetit me iniciativën e bordit. Alban Meka është përzgjedhur si artisti i parë për sivjet. Janë diku 16 ekspozita që do të realizohen gjatë këtij viti. Do të ketë artistë me renome botërore që do të marrin pjesë, kemi nga Shqipëria, Maqedonia, Polonia, Austria, Egjipti dhe nga Amerika. Të gjithë i janë nënshtruar një konkursi goxha rigoroz në kuadër të Fakultetit të Arteve”, ka thënë ai. 

Ekspozita “Parcela” është si pasqyrë e realitetit bashkëkohor, ku ndarja fizike është çdoherë e më e dukshme.