Ballkani njeh pushtete që i kanë analizuar edhe ëndrrat. Kanë shkuar edhe deri në nivelin sa i kanë dënuar njerëzit që kanë parë ëndrra në të cilat pushteti është lëkundur. Konspiracionet në pjesë të Evropës gjejnë vend prej gjërave më të thjeshta e deri tek ato madhore. Edhe sot shumë pushtete po rrëshqasin drejt autokracisë. Madje edhe në vende evropiane me demokraci të konsoliduar kaherë. Jeton Neziraj në tekstet e tij, sidomos kohëve të fundit, bën një teatër pamflet. Dihet caku. Por ka edhe prej atyre teksteve që merren me tema që i shtjellon në parim. Këtë e ka bërë me “Departamentin e ëndrrave”.
Në një ambient që do të ishte ideal për njerëz të çmendur – të tillë duken edhe ata që janë aty – funksionon një departament që ka për qëllim të analizojë ëndrrat. Jo mbi teoritë e austriakut Sigmund Freud, as për ndonjë efekt shkencor. Por si diçka që mund të ketë lidhje me pushtetin e eventualisht me lëkundjen e tij. “Departamenti i ëndrrave”, nën regji të Besim Ugzmajlit, që kishte premierën në teatrin “Dodona”, flet për pushtetet autoritare. Punonjësit e atyshëm që vijnë nëpërmjet aktorëve Afrim Muçaj, Ermal Sadiku, Kushtrim Qerimi dhe Molikë Maxhuni duket se janë të “tredhur” të një pushteti që i intereson gjithçka. Qoftë edhe ëndrrat e qytetarëve që i qeveris. Duket tragjike se sa thellë kanë hyrë ata. Janë të gatshëm edhe të hanë kokën e njëri-tjetrit. Por e kanë detyrë të analizojnë ëndrra, t’i interpretojnë ato e të mbajnë edhe të dhëna statistikore.
Premiera botërore e kësaj shfaqjeje qe dhënë në dhjetor të vitit 2019 në Los Angeles, në inskenimin që ia kishte bërë “City Garage Theatre”.
Poetja Naime Beqiraj ka thënë se shfaqja ka sjellë një lexim e përjetim ndryshe.
Ajo si aktor ka veçuar Afrim Muçajn. Atij i shkojnë këto role. Në repriza mund të jetë edhe më i mirë. E shikuesve u ngelet të hyjnë në botën e “Departamentit...”, në botën e pushteteve që kanë frikë edhe nga ëndrrat e veta.