EXPRESS

“Buka dhe turpi” me kujtimet e paragjykimet ndaj viktimave

Kur darka në një familje shtrohet nisin të shpalosen edhe historitë e pazakonta të së kaluarës. Aty hapet plaga dhe për një moment shpërthen trauma e shumë vjetëve pas luftës. Nisin të marrin formë imazhet e filmit “Buka dhe turpi”, emër ende i diskutueshëm, por që e emërton projektin kinematografik. Është një sekuencë jete e viktimave të luftës.

Personazhet janë pa emra. Jo rastësisht. Është simbolikë e mosidentifikimit si rrjedhojë e turpit e paragjykimeve në shoqëri. Në fakt filmi shpalos se po këto janë hiç më larg se brenda familjes. Burri, gruaja, nëna dhe motra mblidhen rreth tavolinës duke sjellë mozaikun e rrëfimeve të trishta. Ata tregojnë pa fjalë dhe vuajnë pa qarë.

Bashkëbiseda e tyre sillet rreth mistereve të së kaluarës. Astrit Kabashi në rolin kryesor portretizon burrin krenar që turpërohet nga gruaja e tij e dhunuar. Rasti, të cilit i jep shpirt aktorja Aurita Agushi, sjell dhimbjen e përjetimeve, mbi të gjitha mospërkrahjen e shoqërisë, akuzat për imoralitet.

Për aktoren Agushi nuk është e lehtë të vishet me përjetimet e viktimave. Ka luajtur edhe më parë të tilla role të cilat, sipas saj, i kanë lënë dhimbje pas.

Derisa drama në familje zhvillohet, aktorja Kumrije Hoxha nis të shpërfaqë karakterin e shtyllës së shtëpisë – nënës - asaj që mundohet me çdo kusht ta ruajë dhe ta mbajë bashkë familjen.

“Është përgjegjësi e madhe, sepse është një nënë që mundohet ta mbajë familjen në grusht, të dominojë. Është një nënë që ata duhet ta dëgjojnë dhe natyrisht se është e vështirë, por ia arrin qëllimit që ata të jenë të gjithë bashkë, prej atyre peripecive t’i bëjë bashkë dhe ajo e arrin atë”.

Një skenë krejt e thjeshtë me zhvillime tejet dramatike, ku secili zbulon sekretin e mbajtur për vite të tëra. Edhe ajo, e edhe ai janë viktima të dhunës seksuale.

Motra e personazhit kryesor del në mbrojtje të asaj që e kishte treguar me kohë krimin që ishte kryer ndaj saj. Rolin e luan aktorja Fatlume Bunjaku.

“Është temë shumë e ndjeshme, jashtëzakonisht e ndjeshme. Kur e kam marrë tekstin, e kam analizuar, veç kur e kujton është shumë e vështirë e lëre më personat që e kanë përjetuar”.

Projekti kinematografik me titull pune “Buka dhe turpi”, nën regji të Ben Apollonit dhe skenar të Ag Apollonit, vjen si dedikim për reflektim të shoqërisë për ta këndellur atë dhe për të distancuar rolet e viktimave nga ato të kriminelëve.

Filmi i metrazhit të shkurtër pritet të zgjasë ndërmjet tetë dhe dhjetë minutave. Regjisori Ben Apolloni me këtë film rikthehet në këtë temë pas shumë vjetësh.

“Në këtë rast shkon pak më tej, sepse trajton edhe burrat. Mendoj se ne duhet ta trajtojmë këtë temë dhe të tregojmë, sepse në Kosovë ajo çfarë ka ndodhur në vitet ‘98-‘99 më shumë ne kemi qenë viktimë dhe më pak duhet të flasim për heroizmin. Ne kemi qenë në njëlloj lufte ku kemi fituar rastësisht me ndihmën e miqve, por kemi shumë plagë të cilat duhet t’i prekim dhe t’i shërojmë. Pa i prekur nuk do të shërohen kurrë”.

Filmi është i bazuar në një kapitull të romanit “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” të shkrimtarit Ag Apolloni. I njëjti autor e ka punuar skenarin e filmit. Sipas tij, filmi është më shumë një reflektim filozofik e human mbi tematikën e trajtuar.

“Unë nuk jam marrë me pjesën heroike, mendoj se mjaft janë marrë me atë pjesë, jam marrë me pjesën tragjike, lirike, atë që ndihet më shumë. Kjo mendoj se e ka bërë pak më ndryshe edhe letërsinë time dhe filmi do të përjetohet gjithashtu më ndryshme prej publikut”.

Producentja Adelina Halitjaha është shprehur e kënaqur me krejt punën e deritanishme dhe synojnë që rrëfimi në film të depërtojë përtej vendit.

“Ne jemi duke punuar qe një vit për këtë projekt, tash jemi veçse në pjesën e fundit të punës. Xhirimet sot përfundojnë. Mandej po besoj se komplet finalizimi do të zgjasë dhe tre muaj të tjerë”.

Projekti kinematografik vjen si kundërpërgjigje e frazës popullore “Turpi nuk hahet me bukë”. Ajo që theksohet edhe në filmin që zhvilloi xhirimet të shtunën. Por që vjen si kundërpërgjigje dhe që godet paragjykimet dhe distancon viktimën nga kryerësit e krimit.