Kulturë

“Buka dhe turpi” përballë kujtimeve e paragjykimeve ndaj viktimave

Ngjarja vendoset në një ambient të shtëpisë tradicionale. Me orendi klasike në prapaskenë, tavolina është pjesa kryesore e skenës. Ambient i ngrohtë ku rrëfimet e historitë rrëqethin dhe përjetimet bëhen trishtuese. Por pak vëmendje i është kushtuar pjesës skenike. Të shtunën mbrëma gjatë provave të xhirimeve, ekipi kujdesin më të madh e ka pasur në përjetimin e temës së ndjeshme – atë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Kur darka në një familje shtrohet nisin të shpalosen edhe historitë e pazakonta të së kaluarës. Aty hapet plaga dhe për një moment shpërthen trauma e shumë vjetëve pas luftës. Nisin të marrin formë imazhet e filmit “Buka dhe turpi”, emër ende i diskutueshëm, por që e emërton projektin kinematografik. Është një sekuencë jete e viktimave të luftës.

Ngjarja vendoset në një ambient të shtëpisë tradicionale. Me orendi klasike në prapaskenë, tavolina është pjesa kryesore e skenës. Ambient i ngrohtë ku rrëfimet e historitë rrëqethin dhe përjetimet bëhen trishtuese. Por pak vëmendje i është kushtuar pjesës skenike. Të shtunën mbrëma gjatë provave të xhirimeve, ekipi kujdesin më të madh e ka pasur në përjetimin e temës së ndjeshme – atë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Personazhet janë pa emra. Jo rastësisht. Është simbolikë e mosidentifikimit si rrjedhojë e turpit e paragjykimeve në shoqëri. Në fakt, filmi shpalos se po këto janë hiç më larg se brenda familjes. Burri, gruaja, nëna dhe motra mblidhen rreth tavolinës duke sjellë mozaikun e rrëfimeve të trishta. Ata tregojnë pa fjalë dhe vuajnë pa qarë.

Bashkëbiseda e tyre sillet rreth mistereve të së kaluarës. Astrit Kabashi në rolin kryesor portretizon burrin krenar që turpërohet nga gruaja e tij e dhunuar. Rasti, të cilit i jep shpirt aktorja Aurita Agushi, sjell dhimbjen e përjetimeve, mbi të gjitha mospërkrahjen e shoqërisë, akuzat për imoralitet.

Për aktoren Agushi nuk është e lehtë të vishet me përjetimet e viktimave. Ka luajtur edhe më parë të tilla role, të cilat, sipas saj, i kanë lënë dhimbje pas.

“Është shumë e vështirë të flasësh dhe të personifikosh ato ngjarje, fatin e tyre tragjik, sepse mundohesh të bashkëndiesh me to, të sillesh në mënyrë sa më korrekte. Dikush atje e ka përjetuar. Është shumë e zorshme dhe secilën herë që i luaj këto gra, ma lënë nga një dhimbje në zemër dhe mandej më duhet kohë ta marr veten, sepse nuk është krejt e thjeshtë, krejt e zakonshme. Është shumë e dhimbshme. Është dhimbja jonë”, ka thënë aktorja Aurita Agushi.

Ajo ngrihet nga tavolina, del nga skena, merr valixhen. Po ikte nga shtëpia, për t’iu ikur edhe përjetimeve të trishta e përballjes me akuzuesit e fatit të saj. Derisa ajo hedh hapat, nëna - rol që e luan aktorja Kumrije Hoxha - nis të shpërfaqë karakterin e shtyllës së shtëpisë, asaj që mundohet me çdo kusht ta ruajë dhe ta mbajë bashkë familjen.

“Është përgjegjësi e madhe, sepse është një nënë që mundohet ta mbajë familjen në grusht, të dominojë. Është një nënë që ata duhet ta dëgjojnë dhe natyrisht se është e vështirë, por ia arrin qëllimit që ata të jenë të gjithë bashkë, prej atyre peripecive t’i bëjë bashkë dhe ajo e arrin atë”, ka thënë aktorja Kumrije Hoxha derisa e ka vlerësuar rolin me peshë të madhe për të.

“Si e kam lexuar skenarin, më ka pëlqyer shumë roli. Shumë rrallë më vijnë këso role me peshë kaq të madhe, me ngarkesën që ka nëna edhe për fëmijët, por edhe barrën që e bart. Është e vështirë natyrisht, por besoj se me përvojën time do të dalë një rol i mirë dhe një film i mirë. Krejt rolet janë shumë të mira dhe aktorët jemi të përzgjedhur, shumë të mirë”, është shprehur aktorja Hoxha në pauzë provash.

Një skenë krejt e thjeshtë me zhvillime tejet dramatike, ku secili zbulon sekretin e mbajtur për vite të tëra. Edhe ajo, e edhe ai janë viktima të dhunës seksuale.

Motra e personazhit kryesor del në mbrojtje të asaj që e kishte treguar me kohë krimin që ishte kryer ndaj saj. Aktorja Fatlume Bunjaku, që e luan rolin, në njërën prej skenave thotë se mbase gabimi i saj i vetëm ishte se ishte e vetmja që kishte guxuar të fliste.

“Është temë shumë e ndjeshme, jashtëzakonisht e ndjeshme. Kur e kam marrë tekstin, e kam analizuar, veç kur e kujton është shumë e vështirë e lëre më personat që e kanë përjetuar”, ka thënë aktorja Bunjaku për KOHËN.

Derisa ka folur për tematikën e filmit, ka thënë se “sado që duket se gjithçka është tejkaluar, është një moment kur ata janë duke darkuar dhe prapë shpërthen trauma e tyre”.

Projekti kinematografik me titull pune “Buka dhe turpi”, nën regji të Ben Apollonit dhe skenar të Ag Apollonit, vjen si dedikim për reflektim të shoqërisë për ta këndellur atë dhe për të distancuar rolet e viktimave nga ato të kriminelëve. Për të thyer heshtjen e si një lloj përmbysje e folklorizmave ku heroizmi vihet në rend të parë ndërsa viktima margjinalizohet e paragjykohet.

Filmi i metrazhit të shkurtër pritet të zgjasë ndërmjet tetë dhe dhjetë minutave. Regjisori Ben Apolloni ka thënë se me këtë film rikthehet në këtë temë pas shumë vjetësh, pasi të tillë e kishte trajtuar edhe në filmin e diplomimit. Por për dallim prej tij, “Buka...” shkon përtej dhe zbulon se dhuna nuk ishte ushtruar veç ndaj grave.

“Në këtë rast shkon pak më tej, sepse trajton edhe burrat. Mendoj se ne duhet ta trajtojmë këtë temë dhe të tregojmë, sepse në Kosovë ajo çfarë ka ndodhur në vitet ‘98-‘99 më shumë ne kemi qenë viktimë dhe më pak duhet të flasim për heroizmin. Ne kemi qenë në njëlloj lufte ku kemi fituar rastësisht me ndihmën e miqve, por kemi shumë plagë të cilat duhet t’i prekim dhe t’i shërojmë. Pa i prekur nuk do të shërohen kurrë”, ka thënë regjisori i filmit, Ben Apolloni.

Filmi ka vetëm një skenë, e xhiruar pandërprerë.

“Është interesante, mua më pëlqen shumë kjo formë e të xhiruarit, por është edhe e vështirë. Besoj se është më e vështira, edhe për diopinë, për kameramanët, për aktorët dhe të gjithë”, ka thënë Apolloni.

Në sheshxhirim ajo ngjan në një skenë të përditshmërisë së familjeve të prekura nga krimet serbe gjatë luftës së fundit. Filmi është i bazuar në një kapitull të romanit “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” të shkrimtarit Ag Apolloni. I njëjti autor e ka punuar skenarin e filmit.

Ka thënë se edhe në roman e kishte shkruar në formë dramatike, prandaj nuk i kishte marrë shumë kohë ta sillte në formë të skenarit. Sipas tij, filmi është më shumë një reflektim filozofik e human mbi tematikën e trajtuar.

“Unë nuk jam marrë me pjesën heroike, mendoj se mjaft janë marrë me atë pjesë, jam marrë me pjesën tragjike, lirike, atë që ndihet më shumë. Kjo mendoj se e ka bërë pak më ndryshe edhe letërsinë time dhe filmi do të përjetohet gjithashtu më ndryshme prej publikut”, ka thënë shkrimtari Ag Apolloni. Ai ishte gjithashtu skenarist edhe në filmin “Ombrella” të vëllait të tij Ben Apollonit, që trajtonte temën e personave të zhdukur në kohën e pasluftës.

Filmi është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Producentja, Adelina Halitjaha, është shprehur e kënaqur me krejt punën e deritanishme dhe synojnë që rrëfimi në film të depërtojë përtej vendit.

“Ne jemi duke punuar qe një vit për këtë projekt, tash jemi veçse në pjesën e fundit të punës. Xhirimet sot përfundojnë. Mandej po besoj se komplet finalizimi do të zgjasë dhe tre muaj të tjerë”, ka thënë Halitjaha.

Projekti kinematografik vjen si kundërpërgjigje e frazës popullore “Turpi nuk hahet me bukë”. Ajo që theksohet edhe në filmin që zhvilloi xhirimet të shtunën. Por që vjen si kundërpërgjigje dhe që godet paragjykimet dhe distancon viktimën nga kryerësit e krimit.