I mjafton një letër dhe një laps për të krijuar portrete të mrekullueshme. Por, jo vetëm kaq. Ai arrin që edhe në telefon të vizatojë çka do që i del para duke krijuar skica shumë të bukura që kanë tërhequr vëmendje në rrjetet sociale.
Eron Kerqeli është vetëm 20 vjeç, por ka një talent të madh për artin.
Dëshirën për vizatime dhe ilustrime digjitale, e ka përvetësuar tash e disa vjet.
Është studiues i modës dhe kjo i ka ndihmuar Eronit që të ndërlidhë profesionin e tij të ardhshëm, dizajnin, bashkë me hobin e tij, artin.
Gjithë këtë procedurë ai e tregon sot për Express.
Përveç punimeve gjatë studimeve, ai vëmendje në rrjete sociale ka marrë me ilustrimet digjitale të këngëtarëve që i realizon me shumë përkushtim.
E veçanta e këtyre ilustrimeve është që pothuajse gjithë punën e realizon përmes telefonit të tij, një procedurë kjo që na shpjegon Eroni hap pas hapi.
Shumë prej këtyre ilustrimeve që Eroni ka realizuar, kanë hasur edhe në syrin e vetë artistëve që ai ka vizatuar, që nga këngëtarët vendorë e deri tek emrat ndërkombëtar.
Por, jo gjithçka përfundon tek ilustrimet dixhitale. Talentin e tij ai e shpreh edhe në mënyrën tradicionale. Me laps e me ngjyra në kohë të lirë ai realizon edhe portrete të ndryshme.
Ky talent në vizatim i ka ndihmuar Eronit shumë edhe me studime, i cili ka sjellë edhe koleksionin e tij të punuar me skica deri në detaje. Koleksion të cilin shpreson shumë shpejt ta realizojë edhe fizikisht.
Me një synim që përveç si dizajner i modës të fillojë me koleksionet e tij, për Eronin e rëndësishme mbetet edhe puna dhe ilustrimi i artistëve, punë kjo që po e veçon atë deri sot.