Stabiliteti fizik, vetëbesimi, disiplina dhe largimi i stresit janë veç disa nga të mirat e këtij sporti. Tash e 1 vit, Endrit Kyqyku po i shijon anët pozitive të kick-boxit, teksa thotë se ka parë te vetja ndryshime për të mirë.
“Është shumë sport i mirë, duke e ditur që është me intensitet të lartë, kjo ndikon në sistemin nervor ku lëshohen hormone për shpërblimin e trupit të njeriut. Ne e kemi në gjenetikë të bëjmë ushtrime si kickboxi. Ndikon mirë për largimin e dhjamit dhe ujit në trup”, tregon Kyqyku.
“Më ka bërë më atletik, më të mirë. Në çdo sferë të jetës jam ndier më së miri. Pjesa që e dua më së shumti është pjesa e sparingut, është adrenalinë e madhe”, shton tutje Kyqyku.
Nga 3 herë në javë, me grupe të cilat bashkojnë grupmosha e kategori sportive të ndryshme, ai po ushtron në klubin e kickboxit “Jashari”.
Duke parë se ka shumë interesim të të rinjve, Jashar Jashari vendosi të hapte këtë klub. Gjinia mashkullore është ajo që e dominon këtë sport, mirëpo nuk mungojnë as vajzat e gratë.
“Gjatë ditës i kemi 10 grupe kryesisht bëjnë pjesë deri në 10 deri 12 individë për klasë. Fillestarët që s’kanë njohuri ne ia shpjegojmë hapat para, pas, mekanizmin e lëvizjeve, deri të arrin në një nivel e që pasi që ta mëson teknikën shtohet intensiteti, pastaj shtohet pesha e kështu me radhë”, thotë Jashari.
Kur tregon se çfarë ushtrojnë brenda një treningu, ai përmend “nxemje, zgjatjet, rritet intensiteti, thyhet limiti, rritet atraktiviteti dhe në fund bëhet një cashout dhe kondicion”.
Pasionin e tij për këtë sport po e zhvillon dhe kampioni i Kosovës në kick-box në kategorinë e 58 kilogramëve, Milot Pllana. 16 -vjeçari thotë se përkushtimi është çelësi për sukses.
“Me kickbox më ka shtyer të merrem dëshira për sporte luftarake. Të mirat që i marrë nga kickboxi janë disiplina, personaliteti fizik, karakteri personal edhe vetëbesimi”, thotë Pllana. .
Kickboxi, i cili gërsheton disa teknika gjatë aplikimit, besohet t’i ketë fillet që nga vitet e 60’ta në Japoni. Por, shumë shpejt u bë një ndër sportet për të cilin ka interesim të lartë sot.