914 raste të reja të infektimit me koronavirus janë regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë, derisa janë raportuar 10 raste të vdekjes.
Numri total i rasteve aktive ka shkuar në 13 mijë e 726.
Prishtina prin me numrin më të lartë të të infektuarve, ku është raportuar për 302 persona të prekur brenda 24 orëve.
Sonte rreth orës 20:00 në Kosovë pritet të mbërrijë kontingjenti i parë prej 24 mijë dozash të vaksinës anti-COVID të Astra Zeneca-s.
Kosova është vendi i vetëm në rajon dhe Evropë që për më shumë se një vit prej kur është shfaqur koronavirusi e deri më sot nuk kishte pranuar asnjë dozë të vaksinave.
Ndonëse pranimi i këtyre vaksinave do të bëhet nga kryeministri, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ish-ministri Armend Zemaj ka thënë se për sjelljen e tyre në Kosovë është përpjekur me muaj.
“Që nga muaji korrik 2020, si ministër i Shëndetësisë dhe Qeveri e Kosovës, bashkë edhe me Komisionin negociues të Kosovës për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19 dhe Grupin punues për definimin e nevojave për vaksinën kundër Covid-19, kemi filluar aktivitetet për të siguruar vaksinën sa më shpejte në disa drejtime, duke përfshirë aplikimin përmes mekanizimit global COVAX në njërin drejtim dhe kontaktimin me shtete partnere e drejtpërdrejtë me kompani prodhuese të vaksinave kundër Covid-19”, ka thënë ish-ministri Zemaj.
Megjithatë, sjelljen e vaksinave në Kosovë, Zemaj dhe ish-kryeministri Hoti e kishin premtuar për në shkurt.
Për shkak të mungesës dhe vonesës së tyre, mjekët kosovarë janë detyruar që të shkojnë në Shqipëri për t’u vaksinuar.
Sigurimi i vaksinave të Astra Zeneca-s për Kosovën është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.
24 mijë doza të kësaj vaksine të dielën kanë arritur edhe në Mal të Zi.