Niclas Fuellkrug ka shënuar gol në minutën e 92-të për të evituar humbjen e Gjermanisë nga Zvicra.
Zvicra e Gjermania barazuan 1:1 të dielën mbrëma në Frankfurt, në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit A të Euro 2024.
Zvicra ishte shumë afër fitores së parë ndaj Gjermanisë në ndeshjet garuese. Por Fuellkrug goditi bukur me kokë në minutat shtesë për të barazuar rezultatin në 1:1, me të cilin edhe përfundoi takimi interesant.
Dan Ndoye kaloi në epërsi Zvicrën në minutën e 28-të.
Fuellkrug u aktivizua në minutën e 76-të, por në minutën e 92-të u shkëput në zonë dhe goditi saktë me kokë.
Gjermania ka dominuar në fushë. Topin e kishte në 62 për qind të kohës, ndërsa i ka krijuar plot 18 raste. Helvetikët i kishin vetëm katër raste. Sa u takon goditjeve në portë, të dy përfaqësueset i kishin nga tri. Dhe në fund Zvicra e Gjermania morën nga një pikë.
Gjermania e ka fituar grupin me 7 pikë, ndërsa Zvicra avancon në një të tetën e finales nga pozita e dytë. I ka pesë pikë.
Gjermania fitoi 5:1 ndaj Skocisë e 2:0 ndaj Hungarisë. Por me Zvicrën kishte telashe të mëdha për të shënuar.
Zvicra fitoi 3:1 ndaj Hungarisë dhe luajti 1:1 me Skocinë.
Granit Xhaka udhëhoqi lojën e Zvicrës. U shqua me paraqitjen në mesfushë. Selektori i Zvicrës, Murat Yakin vendosi të mos e aktivizojë fare yllin e përfaqësueses, Xherdan Shaqiri. Në stol mbeti edhe Ardon Jashari.
Xhaka: Mund të jemi krenarë me paraqitjen
Granit Xhaka e ka vlerësuar paraqitjen e Zvicrës ndaj Gjermanisë. Gjermania barazoi në minutat shtesë, ndërsa Xhaka u shpall lojtar i ndeshjes.
“Mendoj se kur të shohim gjermanët që po festojnë për barazim, mund të jemi krenarë me veten. Nuk është e lehtë me ekipe si Gjermania. Por goli në minutat shtesë lëndon. Natyrisht duhet të komplimentohet edhe kundërshtari. Por mbi të gjitha duhet të jemi krenarë me veten. Secili ka luftuar për secilin dhe ka vrapuar për tjetrin. Gjithnjë kemi thënë se duhet të jetë ditë shumë e mirë, se duhet të shkojmë në limite. Dhe kur e bëjmë këtë mund të mposhtim të gjithë, Spanja, Italia, Shqipëria apo Kroacia mund të pasojnë tani”, ka thënë Xhaka për SRF.
Ai ka thënë se futbolli nuk ka të bëj vetëm me lojën me top. Ka theksuar se forca e tij është edhe kur luan kundër topit.
“Shumë presin pasime dhe gjëra të tilla nga unë. Por unë mund të luaj edhe kundër topit. Trajneri e ka përgatitur ekipin shumë mirë për këtë ndeshje. Kemi bërë hapin e parë dhe tani po shikojmë dreit një të tetës së finales”, ka shtuar Xhaka.
Moment krenarie, Xhaka sërish lojtar i ndeshjes
Granit Xhaka është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes mes Zvicrës dhe Gjermanisë. Xhaka për herë të dytë shpallet më i miri i ndeshjes në Euro 2024. Ishte shpallur më i miri edhe në fitoren 3:1 të Zvicrës ndaj Hungarisë.
Gjermania ka plot yje në përbërje, por ylli i së dielës ishte Granit Xhaka.
Barazon Gjermania
Gjermania ka barazuar rezultatin në 1:1 në ndeshjen ndaj Zvicrës.
Niclas Fuellkrug shënoi në minutën e 92-të.
Zvicra në epërsi pas pjesës së parë
Nikoqirja e Evropianit, Gjermania, po befasohet në ndeshjen në Stuttgart.
Pas pjesës së parë, Zvicra udhëheq 1:0 ndaj Gjermanisë në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit A.
Dan Ndoye shënoi golin e vetëm në minutën e 28-të. Më herët Gjermanisë iu anulua një gol për ndërhyrje të palejuar.
Shokohet Gjermania, Zvicra në epërsi
Zvicra ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Gjermanisë. Për 1:0 shënoi Dan Ndoye në minutën e 28-të.
Gjermanisë i anulohet goli
Gjermania dërgoi topin në rrjetë por arbitri e anuloi atë pas rishikimit të situatës në VAR.
Kështu rezultati në ndeshjen ndaj Zvicrës mbetet 0:0.
Robert Andrich është realizator në minutën e 17-të. Ai realizoi me goditje nga distanca, falë ndërhyrjes së zbehtë të portierit Yann Sommer.
Por VAR-i shpëtoi Zvicrën.
(19:47) - Shaqiri sërish nuk starton te Zvicra
Murat Yakin ka befasuar sërish me vendimin për Xherdan Shaqirin.
Ndonëse shënoi supergol ndaj Skocisë, ylli i Zvicrës nuk starton ndaj Gjermanisë, në ndeshjen që fillon në ora 21:00.
Granit Xhaka është startues dhe kapiten.