Spanja mund ta thërrasë lojtarin më me përvojë për ndeshjen më të rëndësishme në “Euro 2020”.
Sergio Busquets pritet të kthehet për ndeshjen e së mërkurës ndaj Sllovakisë. “La Roja” përballet me mundësinë e eliminimit të turpshëm që në fazën grupore të Evropianit dhe ata para tifozëve të saj në Sevilla. Ndeshja fillon në orën 18:00.
Vetëm fitorja do të jetë e mjaftueshme për Spanjën për të siguruar vend në një të tetën e finales. Barazimi mund të jetë i mjaftueshëm, por vetëm nëse Polonia nuk e mposhtë Suedinë në ndeshjen tjetër të grupit E. Ndeshjet luhen në kohë të njëjtë.
32-vjeçari Busquets, lojtari i vetëm i mbetur te Spanja prej skuadrës që fitoi Botërorin në vitin 2010, nuk ka luajtur në dy ndeshjet e para në “Euro 2020” për shkak të infektimit me koronavirus. Mesfushori i Barcelonës ishte i detyruar të izolohej dhe i është bashkuar skuadrës vetëm të premten. Ai nuk ishte në skuadër për ndeshjen e së shtunës ndaj Polonisë.
“Na ka munguar ai”, ka thënë mbrojtësi Cesar Azpilicueta. “Jemi munduar ta mbulojmë mungesën e tij, por Sergio është lojtar vendimtar për këtë ekip dhe ne jemi të lumtur që ai është kthyer”.
Rodri Hernandez ka luajtur në pozitën e Busquetsit në dy ndeshjet e para, barazimin pa gola me Suedinë dhe barazimin 1:1 me Poloninë. 25-vjeçari i Manchester Cityt nuk ka luajtur dobët, por nuk ka shkëlqyer po ashtu.
Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, nuk e ka konfirmuar Busquetsin në përbërjen startuese, por ka thënë se lojtari është i gatshëm të luajë që nga momenti që është bashkuar me skuadrën.
“Sergio është lojtar shumë i rëndësishëm për shkak të përvojës, brenda dhe jashtë fushës”, ka theksuar Azpilicueta. “Ai është kapiten i jashtëzakonshëm që e ndihmon gjithë ekipin. Të gjithë e dimë se sa dominues është ai në mesfushë, si në aspektin defansiv ashtu edhe atë ofensiv”.
Azpilicueta mund të jetë një tjetër veteran që aktivizohet te Spanja që përballet me eliminim. 31-vjeçari i Chelseat nuk ka luajtur ende në “Euro 2020”, pasi Enrique ka preferuar Marcos Llorenten në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Jordi Alba është graduar në kapiten në mungesë të Busquetsit. Sergio Ramos nuk është ftuar pasi nuk luajti shumë për Real Madridin shkaku i lëndimeve. Lënia jashtë e Ramosit ka bërë që Enrique të kritikohet shumë. Shumë kanë vlerësuar se ekipi mbeti pa lider të vërtetë.
“Ka shumë lojtarë të rinj në këtë grup që po luajnë në turne të madh për herë të parë. Dhe ata po mësojnë. Të gjithë ne duhet të kontribuojmë sa më shumë që të jetë e mundur. Ne kemi shumë kapitenë prej skuadrave të tyre që kanë përvojë. Ata dinë si të përballen me këtë situatë të vështirë”, ka theksuar Azpilicueta.
Spanja që të gjitha ndeshjet në grup i luan në Sevilla, është dy pikë prapa lideres, Suedisë, dhe një prapa Sllovakisë, që befasoi me fitoren 2:1 ndaj Polonisë para se të mposhtej 1:0 nga Suedia.
Sllovakisë i duhet barazim për të garantuar vendin në raundin tjetër. Ajo po paraqitet për herë të dytë në Evropian, pas debutimit në “Euro 2016”. Të dy përfaqësueset ishin eliminuar në një të tetën e finales në vitin 2016. Spanja për herë të fundit është ndalur në fazën grupore në vitin 2004.
Mbetet të shihet çfarë përkrahjeje do të marrë Spanja nga tifozët në “La Cartuja” pasi një videoincizim i lojtarëve duke injoruar tifozët është shpërndarë shumë. Po ashtu ka paqartësi për gjendjen e fushës në “La Cartuja”, për të cilën kishte ankesa nga lojtarët pas dy ndeshjeve të kaluara.
“Euro 2020”, Grupi E: Sllovakia – Spanja, e mërkurë (18:00)