Euro 2020

Busquets e ktheu Spanjën në rrugën e duhur në “Euro 2020”

Sergio Busquets

Pasi ndihmoi Spanjën ta shmangte eliminimin në Kampionatin Evropian, mesfushorit Sergio Busquets iu desh të ndalonte për një moment derisa fliste për kohën e tij larg ekipit për shkak të koronavirusit. Kapiteni i Spanjës u lodh duke kujtuar dyshimet që i kaluan nëpër mendje, pasi iu tha se duhej të shkonte në izolim vetëm disa ditë para se të fillonte turneu “Euro 2020”.

“Unë jam emocional, sepse isha i detyruar të kaloja disa kohë të vështira”, tha Busquets. “Unë duhej të qëndroja në shtëpi për dhjetë ditë, duke mos ditur nëse do të kthehesha apo jo”.

Te Spanja ishin të kënaqur që Busquets arriti të kthehet në kohën e duhur për ta udhëhequr ekipin në fitoren ndaj Sllovakisë të mërkurën mbrëma. Mesfushori i Barcelonës u shpall lojtari i ndeshjes në fitoren 5:0, që e dërgoi Spanjën në 1/8 e finales pas barazimeve zhgënjyese në dy ndeshjet e para të grupit, kundër Suedisë dhe Polonisë.

Rezultati lejoi Spanjën të përfundojë e dyta në Grupin E, duke caktuar përballjen me Kroacinë në 1/8 e finales, ndeshje kjo që do të luhet të hënën në stadiumin “Parken” në Kopenhagë.

“E gjithë kjo situatë na ndihmoi të rriteshim”, tha Busquets. “Tani, të gjitha sfidat që i kemi përpara do t'i përballojmë me këtë mentalitet”.

Kthimi i Busquetsit ishte një nxitje e madhe për një ekip të Spanjës, të cilit në dy ndeshjet e para i munguan shumë gjëra: lidershipi, konkretizimi i rasteve dhe mbrojtja e palëkundur. Mesfushori 32-vjeçar, i vetmi anëtar i mbetur nga skuadra e Spanjës që fitoi në Kupën e Botës në vitin 2010, ia dha ekipit ekuilibrin e nevojshëm që i kishte munguar deri më tani në “Euro 2020”.

Busquets ishte spanjolli i parë që preku topin kur filloi ndeshja në stadiumin “La Cartuja” dhe ishte në kontroll të mesfushës prej atij momenti e deri në fund të takimit. Me lojën e zakonshme që e bën te Barcelona, Busquets nuk tregoi shenja të prekjes në përgatitjet e tij më pak se ideale për shkak të koronavirusit. Ai drejtoi vazhdimisht shokët e tij të skuadrës dhe ndihmoi në krijimin e rasteve në sulm, por ndihmoi shumë edhe repartin e mbrojtjes.

Busquets, i cili nuk kishte simptoma të virusit dhe mund të stërvitej në shtëpi gjatë kohës së izolimit, në dy ndeshjet e para të Spanjës u zëvendësua nga Rodri Hernandez, i cili nuk mund të shfaqte të njëjtin qëndrim dhe udhëheqje të lojtarit veteran të Barcelonës.

Busquets e mori shiritin e kapitenit te Spanja, pasi qendërmbrojtësi Sergio Ramos u la jashtë skuadrës si pasojë e dëmtimeve të shumta që i përjetoi gjatë sezonit 2020/21. Ndërkohë, në mungesë të Busquetsit, mbrojtësi i krahut të majtë, Jordi Alba, ishte kapiten në “Euro 2020”.

Brohoritjet e tifozëve spanjollë nga tribunat ishin të mëdha kur Busquets u zëvendësua nga Thiago Alcantara në minutën e 71-të, pasi ndjeu një dhimbje në muskul, por që, sipas tij, nuk ishte asgjë për t’u shqetësuar. Busquets pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme të Spanjës dhe përzgjedhësi Luis Enrique llogarit në liderin e tij.

“Ai luajti në mënyrë perfekte”, pranoi trajneri i Spanjës, Luis Enrique, i cili vendosi ta presë Busquetsin në vend se ta largojë nga skuadra, pavarësisht se nuk e dinte nëse do të shërohej plotësisht nga virusi. “Ai është unik, një garanci në mesfushë. Kështu që, i tillë do të jetë edhe në ndeshjen tjetër”.

Me kthimin e Busquetsit, ekipi i Spanjës tashmë e ka gjetur edhe ritmin e golave. E, pikërisht për këtë arsye, përzgjedhësi Enrique është i bindur se Spanja do të jetë pretendete për të triumfuar në “Euro 2020”. Ai pranoi se ka gjithmonë gjëra për të përmirësuar, por shtoi se “La Roja” mbetet në mesin e favoritëve për ta fituar titullin e kampionit të Evropës.

“Ne po fitojmë vrull. Jam i sigurt se nëse pyet ndonjë nga rivalët tanë, askush nuk do të jetë i lumtur që do të duhet të luajë kundër nesh”, insistoi Enrique. “Tani duhet të luajmë kundër një ekipi të Kroacisë, që ka lojtarë të shkëlqyeshëm dhe luan në një nivel të lartë. Nuk mund të presësh skuadra të dobëta në 1/8 e finales”.