Një trajner çek i futbollit, konsumues i madh i duhanit, mund të ketë ndikim në këtë skuadër të Italisë aq sa ka edhe Roberto Mancini.
Ciro Immobile, Lorenzo Insigne dhe Marco Verrati shpërthyen në edicionet kur u drejtuan nga Zdenek Zeman në Serie B. Ndodhi kjo afër një dekadë më parë në Pescara, ku ata mësuan filozofinë sulmuese të cilën po e aplikojnë tani në Kampionatin Evropian.
Goli i tretë i Italisë në fitoren 3:0 kundër Turqisë në ndeshjen hapëse të “Euro 2020” ishte rast tipik. Immobile thuajse pa shikuar fare dërgoi topin mes dy mbrojtësve dhe e gjeti Insignen që plasoi topin në mënyrën që ai preferon.
“Më bënë të kujtoj se si ata e kuptojnë njëri-tjetrin në fushë, si e gjejnë njëri-tjetrin me sy mbyllur, si e flasin gjuhën e njëjtë, si lëvizin me dhe pa top. Shpresoj dhe besoj se i kam ndihmuar ta mësojnë këtë”, ka thënë Zeman.
“Bukuria e Immobile-Insigne është se ata e formojnë një dyshe”, tha Zeman në një shkrim të publikuar në “Gazzetta dello Sport”.
“Ata luajnë së bashku, njëri për tjetrin, e shikojnë njëri-tjetrin dhe në fund e gjejnë njëri-tjetrin”.
Pra njësoj si në Pescara në edicionin 2011/12, kur Immobile shënoi 28 gola dhe Insigne pati 18 gola.
Shumica e atyre golave u ndërtuan nga 18-vjeçari i mesfushës, i quajtur Verratti, i cili pasi e ndihmoi Pescaran ta fitojë titullin në Serie B dhe të ngjitet në Serie A, menjëherë vazhdoi zhvillimin në fuqinë evropiane Paris Saint-Germain, pavarësisht se nuk kishte luajtur asnjëherë në elitën e futbollit të ndonjë shteti të fortë.
Pasi e humbi ndeshjen kundër Turqisë ndërsa po punon për t’u rikthyer nga lëndimi i gjurit të djathtë, Verratti pritet të jetë në bankën rezervë të Italisë të mërkurën, në ndeshjen e dytë të Grupit A kundër Zvicrës.
Verratti e tregoi se ishte i gatshëm gjatë një stërvitjeje ndërmjet rezervistëve të Italisë dhe ekipit të të rinjve të Pescaras, të shtunën. Ai madje e pati veshur një fanellë të Pescaras.
Nëse Turqia fiton ose barazon kundër Uellsit gjatë ditës së mërkurë, Italia do ta zinte vendin e parë nëse e mposht Zvicrën. “Azurët” po shpresojnë që ta sigurojnë një vend në 16 skuadrat më të mira të Evropianit.