Kur Marco Verratti u largua nga stërvitja në muajin maj, ai mendoi se pjesëmarrja në Kampionatin Evropian kishte mbaruar para se të fillonte. Përsëri.
Mesfushori i zellshëm i Italisë e kishte humbur paraqitjen në “Euro 2016” për shkak të një problemi në ijë, e që kishte nevojë për operim. Dhe, kur dëmtoi gjurin e djathtë në stërvitje me Paris Saint-Germainin më 8 maj, rreth një muaj para fillimit të “Euro 2020”, 28-vjeçari Verratti ishte tejet i shqetësuar. Natyrisht, kishte të drejtë për këtë.
“Sigurisht pas dëmtimit, tri ose katër ditë më vonë, mendova se nuk do t'ia dilja mbanë”, tha Verratti të enjten, dy ditë pasi Italia u kualifikua në finalen e “Euro 2020”, në të cilën do të përballet me Anglinë. “Ishte një dëmtim i rëndë, makthet e vitit 2016 u kthyen. Por me punë të madhe, falë stafit mjekësor të PSG-së dhe ekipit kombëtar, unë ia dola dhe arrita të kthehem në gjendje të shkëlqyeshme. Kam arritur të luaj katër ndeshje pa dhimbje. Jam vërtet i lumtur, sepse do të ishte vështirë për mua nëse do të mungoja edhe këtë herë”.
Verratti i humbi dy ndeshjet hapëse të turneut të këtij viti. Zëvendësuesi i tij, Manuel Locatelli, shënoi dy gola kundër Zvicrës në ndeshjen e dytë të Italisë në kuadër të fazës së grupeve. Verratti u rikthye për ndeshjen e fundit në grup kundër Uellsit dhe menjëherë luajti në përbërjen e parë të Italisë. Jo vetëm që asistoi në golin e vetëm të ndeshjes për Matteo Pessinan pas harkimit nga gjuajtja e lirë që e fitoi vetë, por Verratti ishte kudo në fushë, duke kompletuar 94 për qind të 113 pasimeve të tij - 30 më shumë se çdo lojtar atë ditë - dhe duke vrapuar më shumë se dhjetë kilometra.
Verratti ishte gjithashtu pasuesi më efikas në fushë në fitoren 2:1 ndaj Austrisë në 1/8 e finales, të cilën Italia e arriti pas vazhdimeve. Mesfusha e Italisë ishte deri diku e tejkaluar në gjysmëfinale kundër Spanjës, por skuadra e Roberto Mancinit përsëri arriti të përparonte duke e fituar ndeshjen me penallti pas barazimit 1:1. Verratti është i katërti në përgjithësi në listën e UEFA-s për lojtarët më në formë të turneut, i renditur duke përdorur një algoritëm të hartuar posaçërisht për këtë vlerësim. Ai dhe pjesa tjetër e mesfushës së Italisë do të jenë përsëri kryesorët në finalen e së dielës në stadiumin “Wembley” kundër Anglisë.
“Kjo ndeshje finale dhe ajo kundër Spanjës janë dy duele shumë të ndryshme”, insistoi Verratti. “Mesfusha mund të jetë zona ku ne mund dhe duhet të bëjmë ndryshimin. Duhet të krijojmë ritmin, duhet të kemi një paraqitje të shkëlqyeshme. Por është një finale. Çdo detaj mund të bëjë ndryshimin, qoftë në mesfushë, mbrojtje apo sulm”.