Euro 2020

“Bufi i vogël”, Verrati, ia jep një impuls të ri Italisë fluturuese

Kthimi i mesfushorit Marco Verratti nga dëmtimi ia ka dhënë një impuls të ri Përfaqësueses së Italisë, që duket gjithnjë e më shumë pretenduese për ta fituar titullin e kampionit në “Euro 2020”.

Mesfushori i Paris Saint-Germainit u kthye pas një pushimi prej gjashtë javësh shkaku i lëndimit të gjurit për ta ndihmuar Italinë, që regjistroi tri fitore në po aq ndeshje të luajtura në fazën e grupeve. Ai u kthye fundjavën e shkuar në duelin kundër Përfaqësueses së Uellsit.

Ndeshja e ardhshme e Italisë në “Euro 2020” është ajo kundër Austrisë në 1/8 e finales, që zhvillohet të shtunën në stadiumin “Wembley” në Londër.

Ishte një goditje e lirë nga Verratti, i njohur si “Bufi i vogël”, që u kthye në asistim për Matteo Pessinan, i cili shënoi golin e vetëm për fitoren e Italisë ndaj Uellsit.

28-vjeçari e mori shiritin e kapitenit kur qendërmbrojtësi Leonardo Bonucci u zëvendësua në pjesën e dytë, me kapitenin e rregullt të italianëve, Giorgio Chiellini, që nuk u paraqit në këtë përballje për shkak të një problemi muskulor. Përzgjedhësi Roberto Mancini, i kënaqur, e përqafoi Verrattin ndërsa ai u largua nga fusha në “Stadio Olimpico”, pasi kishte tejkaluar pritjet duke luajtur gjithë ndeshjen në mesfushë së bashku me Jorginhon.

“Verratti tregoi që të gjithë në ekipin tonë janë titullarë”, tha trajneri Mancini, i cili la jashtë formacionit mesfushorin Manuel Locatelli për t’i bërë vend Verrattit.

Verratti dhe Jorginho janë çifti i pëlqyer i përzgjedhësit Mancini për mesfushë, dhe një dyshe e tillë është garanci mjaft e madhe për ekipin. Në fakt te Italia i kanë rritur shpresat se mund të shpallen kampionë të Evropës për herë të parë që nga viti 1968. Të dy mesfushorët janë me përvojë të madhe në skenën evropiane, me Verrattin që është nënkampion i Ligës së Kampionëve në vitin 2020 me PSG-në, ndërsa Jorginho, 29-vjeçar, i lindur në Brazil, e ngriti trofeun e garës elitare me Chelsean muajin e kaluar. Mancini bëri tetë ndryshime për ndeshjen ndaj Uellsit, me Jorginhon që ishte njëri nga tre lojtarët që mbetën. Ai ka luajtur të të tri ndeshjet në grup.

Locatelli luajti në mungesë të Verrattit në dy ndeshjet e para dhe shënoi një gol kundër Zvicrës.

Ndërsa Verratti po kthehet, Locatelli ende mund të shpresojë të luajë një rol të rëndësishëm te Italia. Mesfushorët bëjnë rotacion në stërvitjet e ekipit në qendrën stërvitore në Coverciano jashtë Firencës.

“Kur themi se kjo skuadër është për të gjithë, ne nuk po e bëjmë vetëm sa për sy e faqe. Në fakt të gjithë jemi titullarë, pasi askush nuk e ka vendin e garantuar në ekip”, tha Verratti, i cili ka luajtur 41 ndeshje për Italinë qëkur bëri debutimin kundër Anglisë në gusht të vitit 2012, duke shënuar tre gola deri më tani.

“Jemi 26 lojtarë dhe të gjithë jemi krenarë që përfaqësojmë vendin tonë dhe jemi të gatshëm të japim më të mirën nga vetja për suksesin e Italisë”.

Verratti ka falënderuar përzgjedhësin Mancini që nuk e la jashtë listës për “Euro 2020”, por e priti që të rikuperohet.

“Unë jam shumë i kënaqur që jam kthyer dhe falënderoj Mancinin që më priti. Ishte e vështirë, pasi në fillim nuk isha i sigurt nëse mund të luaja këtë turne pas dëmtimit. Një gjë e tillë më ndodhi në vitin 2016 dhe kisha frikë se do të më ndodhte përsëri. Falënderoj stafin mjekësor dhe trajnerin që më priti. Ishte një ditë e veçantë për mua ndeshja kundër Uellsit dhe unë jam shumë i lumtur”.

Mancini mori detyrën e përzgjedhësit pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror të vitit 2018. Dhe, nën drejtimin e tij Italia ka humbur vetëm dy herë në 35 ndeshje. Me Mancinin në krye, italianët kanë 26 fitore e shtatë barazime. Verratti dhe Jorginho munguan në të dy ato humbje - nga Franca në një miqësore në qershor të vitit 2018, dhe nga Portugalia në Ligën e Kombeve në shtator të vitit 2019.

Që nga ajo kohë italianët janë të pamposhtur dhe një ndeshje e 31-të pa humbje kundër Austrisë do të bënte që futbollistët e Mancinit ta kalonin rekordin italian të trajnerit fitues të Kupës së Botës, Vittoro Pozzo në vitet 1930. Mancini ka përdorur 25 nga 26 lojtarët në dispozicion, me përjashtim të portierit të tretë, Alex Meret.

Portieri Gianluigi Donnarumma ndihmoi në arritjen e 11 fitoreve radhazi pa pësuar gol. Një fitore e 12-të radhazi pa gol të pranuar do të barazonte ekipin aktual me atë të drejtuar nga Ferruccio Valcareggin, i cili udhëhoqi Italinë drejt titullit të vetëm të Evropës në vitin 1968, dhe drejt vendit të dytë në Botëror, dy vjet më vonë. Goli i fundit që Italia e Mancinit e ka pranuar ishte në tetor të vitit 2020 kundër Holandës.

“Deri më tani Italia ka treguar futbollin më të mirë në Evropian”, tha ish-kapiteni i Anglisë, Sol Campbell për “Gazzetta Dello Sport”. “Mancini po bën një punë të shkëlqyeshme. Edhe në ndeshjen e fundit kundër Uellsit, me gjithë tetë ndryshimet, skenari ka mbetur i pandryshuar. Më pëlqen Verratti, ai është shumë i rëndësishëm në mesfushë. Pessina është një zbulim, sikurse edhe Rafael Toloi”.

Italia ka fituar të katër takimet e saj të mëparshme kundër Austrisë në turne të mëdhenj.